Humbja ndaj Cagliarit ka ndezur dritën e kuqe te Roma, me trajnerin Gian Piero Gasperini që po analizon me kujdes situatën përpara sfidës së Europa League kundër Celtic. Problemi kryesor mbetet efikasiteti në sulm, një çështje që po e shqetëson dukshëm teknikun verdhekuq.

“Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë më pak të rrezikshëm se tani dhe kjo mund të jetë problem struktural,” u shpreh Gasperini. “Kundër Napolit dhe Cagliarit krijuam shumë pak raste. Nuk është çështje individësh, por e gjithë skuadrës që duhet të performojë më mirë.”

Trajneri siguroi se ekipi nuk ka probleme fizike, ndonëse efikasiteti ka rënë në ndeshjet e fundit: “Atletikisht jemi mirë. Nuk ka lodhje të veçantë, skuadra vrapon deri në fund.”

Në qendër të vëmendjes mbetet sulmuesi Evan Ferguson, i cili nuk po gjen rrugën e rrjetës. Megjithatë, Gasperini i qëndron besnik talentit të ri.

“Nuk është çështje preferencash. Ai ka pasur mundësi, është shumë i ri dhe vjen pas një viti jashtë fushave. Duhet ta presim. Shpresoj që, si Hermoso që është bërë shtyllë e ekipit, edhe Ferguson të arrijë të njëjtin konsolidim”, tha ai.

Lajmi pozitiv për Romën lidhet me Paulo Dybala. Argjentinasi, i cili ka kaluar një grip të lehtë, ka rikthyer intensitetin në stërvitje dhe pritet të jetë në gjendje të luajë të gjithë 90 minutat kundër Celtic.

“Kur rikuperon, je gati për të luajtur”, theksoi Gasperini. “Dybala është stërvitur dhe çdo lojtar mund të qëndrojë në fushë 90 minuta.”

Roma kërkon reagim të menjëhershëm dhe sfida kundër Celtic do të jetë testi i duhur për të kuptuar nëse verdhekuqtë do t’i japin fund krizës në fazën sulmuese.