Itali- Karabinierët italianë në Monterotondo në rajonin e Romës, kanë arrestuar dy adoleshentë shqiptarë, 18 dhe 19 vjeç, që po shisnin drogë në një festë të zonës.
Operacioni është kryer mbrëmjen vonë të 19 Janarit dhe u njoftua sot nga policia vendase. Të rinjtë kishin menduar pikërisht si strategji për të shitur sa më shumë drogë festën që zhvillohej në komunën e Erezzo, për nder të Sant'Antonio Abate.
Duke diktuar aktivitetin e paligjshëm në këto raste, karabinierët kishin rritur edhe shërbimet e patrullimit, që hasën mjetin e shqiptarëve, duke vendosur ta kontrollonin. Në përfundim u gjetën dhe sekuestruan 29 gramë kokainë, e ndarë në 39 doza dhe 3,5 gramë hashash në tre doza, si dhe 30 euro cash, që dyshohet se janë të ardhurat nga veprimtaria e paligjshme.
Gjykata e Tivolit dha masën arrest shtëpiak ndaj tyre, teksa për 18-vjeçarin u vendos edhe dëbimi nga vendi, i lëshuar nga Komisariati i Policisë së Romës, informon media e vendit fqinj. I riu nuk do të mund të kthehet më në Itali për një vit.