Ylli i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo e ka pranuar më në fund që shpresat për të fituar kampionatin spanjoll kanë marrë fund dhe se objektivi i vetëm është Liga e Kampioneve.

Barazimi me ekipin e Osasunës dhe fitorja e Barcelonës me ekipin e Malagas kanë venitur shpresat e merenguesve për të fituar La Ligën. Portugezi shprehet se shpëtimi i edicionit është Liga e Kampioneve.

“Teorikisht kampionati ka përfunduar për Realin, pasi Barcelona është shkëputur ndjeshëm. Kështu që Liga e Kampioneve është mundësia e vetme për të shpëtuar edicionin.

Do të japim maksimumin që të arrijmë në finalen e madhe. Ekipi është në gjendje shumë të mirë dhe nuk arrij të kuptoj përse kemi hasur probleme në kampion” deklaron portugezi.

Ndërsa nga ana tjetër Murinjo ndeshjen me Manchester United e konsideron si një finale. “ Real – United duhet të kishte qenë finalja e kompeticionit.

Do të jetë një ndeshje mjaft e fortë dhe vështirë për të përcaktuar fituesin. Megjithatë kam besim që do kalojnë në turin tjetër” përfundon Murinjo.


(d.b/shqiptarja.com)