Ibrahimovic do të shohë kampionatin botëror të Brazilit përmes ekranit, pasi super sfida e ‘play-off’ – it ka vendosur që Portugalia të presë biletën për në eventin më të madh të futbollit botëror. 4 golat e Ronaldos i kanë dhënë mundësinë që të jetë pjesë e 32 ekipeve më të mira të botës.

Super sfida ka dhuruar shumë emocione dhe spektakël në fushë. Portugalia udhëtonte në Suedi pas fitores 1-0 në shtëpi me golin e Ronaldos, por pavarësisht rezultatit pozitiv, të besuarit e Bentos nuk tërhiqen, por shënojnë përsëri me Ronaldon në Suedi duke i çuar shifrat në 2-0.

Por Suedi nuk dorëzohet dhe shënon dy herë brenda pak minutave dy gola me Ibrën duke kthyer shifrat. Megjithatë, Portugalia në mënyrë të paparashikueshme shënon dy herë të tjerë përsëri me Ronaldon në minutat e 77’ dhe 79’ duke e dërguar rezultatin final në 4-2 për brazilianët e vegjël.

Pa asnjë dyshim që merita kryesore e kualifikimit shkon për Ronaldon që shënoi 4 gola, njërin më të bukur se tjetrin duke treguar edhe njëherë që është një nga futbollistët më të mirë për momentin, por edhe në të gjithë historinë e futbollit. Greqia ka ruajtur fitoren në Athinë duke barazuar në Rumani 1-1.

Rumania e pafuqishme për të reaguar pranon humbjen. Kroacia ashtu sikur pritej ka shmangur të gjitha surprizat duke fituar në shtëpi ndeshjen me Islandën 2-0 me golat e Manzukic dhe Srna dhe fluturuar për në Brazil.

Vendasit dominuan në të gjitha aspektet duke mos e vendosur në dyshim asnjëherë kualifikimin. Franca realizon një përmbysje spektakolare në shtëpi 3-0 duke bërë të pavlefshme fitoren e Ukrainës 2-0 në Kiev. Golat për ‘Gjelat’ u shënuan nga Sakho dhe Benzema. Ndërsa goli i tretë, vendimtari ishte autogol nga ukrainasit.