Ish-deputeti Ervin Salianji, ka ndarë pamje dhe një mesazh politik në rrjetin social Facebook nga takimi i tij me demokratë në Shkodër, duke bërë thirrje për rotacion politik por edhe reformim dhe hapje të Partisë Demokratike.
Salianji u shpreh se rotacioni nuk është as hakmarrje dhe as luks, por një domosdoshmëri për funksionimin e demokracisë, duke shtuar se pushteti aktual, sipas tij, përbën rrezik për të ardhmen demokratike të vendit.
“Partia Demokratike ka brenda vetes fuqinë për ta realizuar këtë. Për të përmbushur këtë pritshmëri historike Partia Demokratike duhet të ndryshojë, të reformohet, të hapet ndaj shoqërisë. Të fitojë!”, tha Salianji.
Sipas tij, koha e pushtetit aktual ka përfunduar, ndërsa takimi në Shkodër u cilësua si një mesazh i qartë për ndryshim, duke paralajmëruar vijimin e takimeve në të gjithë vendin për bashkimin e demokratëve dhe qytetarëve.
“Takimet tona nuk janë thjesht një fushatë për këtë qëllim. Ato janë një përballje morale. Mes arrogancës dhe dinjitetit. Mes frikës dhe guximit. Mes së vjetrës që mban peng dhe së resë që çliron. Koha e këtij pushteti ka mbaruar”, shkruan Salianji.
Në takimin e së shtunës, në një sallë të mbushur plot me demokratë, Salianji ua bëri të qartë Sali Berishës dhe Flamur Nokës se nuk ka në plan të tërhiqet nga rruga që ka nisur pavarësisht presionit që po i ushtrojnë. Ndonëse preferoi të mos i përmendë me emër, Salianji tha se presionin nuk e njeh, e sidomos nga njerëz që përballë “regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”.
Komente












