Roy Stevens: Arsyet pse erdha
të këndojë Skënderbeun

Roy Stevens: Arsyet pse erdha <br />të këndojë Skënderbeun
TIRANE- Skënderbeu i shkruar në partiturat e kompozitorit Prenk Jakova duket se është personazh operistik i lindur vetëm për ta kënduar tenori i famshëm amerikan Roy Stevens. Ai ka një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, ku është spikatur për aftësitë e zërit të tij të dizajnuar me timbrin e një baritoni dramatik. Është bërë i famshëm në karrierën e tij në rolet e Falstaff-it, Rigoletto-s, Nabuço-s, dhe me një sërë rolesh të operave bashkëkohore. Roy Stevens ka performuar gjatë karrierës së tij në Teatrin e La Scalas, në operën e Frankfurtit, në Operën e Dallas, në Chicago, në Metropolitan Opera, etj, ku është vlerësuar gjithmonë për lojën skenike dhe timbrin e veçantë të zërit të tij. Prej shumë ditësh tenori amerikan ndodhet në Operën e Tiranës dhe është duke bërë provat për rolin e Skënderbeut. "Roli i Skënderbeut: dhuratë shqiptarëve për pavarësinë". Kjo është kryefjala e intervistës për Shqiptarja.com të tenorit amerikan Roy Stevens. Duke e ditur se roli është një ndër më të vështirët për çdo tenor, ai me këtë kërkon t'i jap një lloj krenarie edhe vendit të tij, kur thotë se "Këndoj Skënderbeun që të jem një ambasador kulturor i SHBA-ve në festën e pavarësisë së shqiptarëve". Madje me plot siguri thotë se "Kam mësuar historinë e Shqipërisë dhe të Skënderbeut për rolin." E ka bërë vërtetë..., madje duke na rrëfyer se pse është kaq e vështirë ta këndosh në opera Heroin Kombëtar të shqiptarëve Skënderbeun.

Si është për një tenor amerikan të këndojë për Heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun?
-Është një privilegj i madh, një nder i madh që më bëhet mua të këndojë për një hero të përmasave të tilla, siç është heroi juaj kombëtar Skënderbeu. Unë kam studiuar shumë për Historinë e Shqipërisë dhe Historinë e Skënderbeut dhe kam kuptuar se çfarë njeriu është ai. Skënderbeu nuk është vetëm një luftëtar i madh, por si person ai duhet të ketë qenë një lider i mrekullueshëm, me shumë karizëm, përderisa arriti të çonte në bashkimin e Shqipërisë, duke i bindur të gjithë princat e principatave shqiptare. Është mahnitëse nga pikëpamja historike të arrish një rezultat të tillë, është e mahnitshme sesi arriti të çonte drejt unifikimit kombin shqiptar. Por nuk është çështja vetëm se ka një histori fantastike që mua më pëlqen ta këndojë Skënderbeun, por më pëlqen edhe nga karakteri të cilin duhet ta luaj, ta portretizoj në skenë. Dhe sigurisht unë kam dëshirë ta luajë këtë hero të madh. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që mu dha për të qenë përfaqësuesi i vendit tim në Shqipëri. Dëshiroj të jem një ambasador kulturor i SHBA-ve me rastin e 100-vjetorit të popullit shqiptar, që është një përvjetor lirie dhe pavarësie.

Me sa dëgjoj ju ditkeni shumë për historinë dhe Heroin kombëtar...!
-Po di më shumë se njerëzit e tjerë. Kam mësuar shumë sepse unë e dua këtë rol dhe dëshiroj ta prezantoj sa më mirë vendin tim në këtë festë pavarësie. Sepse di nga historia që presidenti amerikan Willson dha ndihmën e tij që të krijohej ky shtet i pavarur. Kështu që jam i nderuar që të jem pjesë e popullit amerikan, që të ndihmoj edhe në këtë 100 vjetor, duke dhënë kështu një dhuratë inspiruese, pikërisht nëpërmjet këtij roli. Pse unë kam mësuar kaq shumë për historinë e Shqipërisë... Kur rritesh me një histori, nuk mendon shumë për të. Më duket se shumë europianë dinë më shumë për Historinë e Amerikës se ajo që di unë. Këtë njohje e kam vënë re vet tek europianët. Kjo ndodh sepse nëse mendon për një histori të tjetrit, heton për të dhe zbulon më shumë.

Profesonistët e operës thonë se Skënderbeu është i vështirë për t'u kënduar si personazh. Ka lëvizje të intonacionit lart, poshtë, brenda një kohe të shkurtër. Sa e vërtetë është kjo?
-Të këndosh Skënderbeun në variantin operistik është një realizim i vështirë skenik. Ka shumë vështirësi vokale dhe kërkon mundim të arrish nivelin e duhur. Unë kam eksperienca të shumta. Kam bërë role të gjata, role më të gjata, por ky rol është i veçantë për nga shkalla e vështirësisë. Ka një shkallë vështirësie si të ishte një rol i bërë nga Ëagneri, është i njëjti problem që të del kur luan rolet e Ëangerit. E vërteta e vokalit është se ai nuk shkon as shumë lart, as shumë poshtë, por shkon në limite të tilla që duhet ta mbash zërin të tendosur, mesatarisht lart. Këtu qëndron vështirësia, sepse do të thotë që muskujt e grykës të bëhen shumë të rëndë sikur ngre pesha. Pra, i mban kordat e zërit tendosur gjithë kohën. Kështu që lodhesh. Këtë mënyrë të kënduari e ka bërë vetëm tenori shqiptar Xhoni Athanas.

Megjithatë ju nuk u frikësuat, e morët përsipër këtë rol
-Zëri im është i dizajnuar për këtë lloj të kënduari, është i krijuar për të qenë gati në një përvojë të tillë. Kjo është ajo që përcakton të veçantën time si artist, për atë që unë këndoj në botë. Por puna me rolin e Skënderbeut nuk mbaron këtu. Unë duhet të shqiptojë gjuhën. Sigurisht që ky rol është ndryshe në gjuhën shqipe. Dhe kam punë përditë, sepse duhet ta shqiptojë gjuhën. Megjithatë, nga mënyra si janë shkruar partiturat unë do ta kem më lehtë. Janë shkruar shumë mirë. Mënyra si janë shkruar të ndihmon të shqiptosh operën në gjuhën shqipe.

Ju keni kënduar në opera të mëdha që nga Metropolitan Opera deri në La Scala. Si ndiheni nëse luani në një opera kaq që të vogël. A ju duket e varfër duke parë ambientet e vjetruara të saj?
-Së pari, nuk do ta konsideroja të varfër këtë opera ngaqë nuk ka ende ambiente më të mira. Ndoshta kjo opera nuk ka shumë para, sa ka Metropolitan Opera ose La Scala, nuk mendoj se ambientet e bëjnë një opera vërtetë të varfër. Ajo që nuk më lë ta quaj këtë opera të varfër është se këtu punohet me entuziazëm, punohet me këngën, muzikën, punohet me artistët dhe pjesa më e madhe kanë talent. Nëse dini ju që ka edhe artistë mesatar ose të patalentuar, kjo ndodh në të gjitha operat e botës. Ka raste kur ka artistë që nuk kanë një zë të rëndësishëm në opera, por janë të domosdoshëm për veçoritë, qoftë edhe të një zëri të vogël. Për mua është kënaqësi kur vij e të punoj me ta, është kënaqësi të vij e të punoj pjesët me artistë të operës shqiptare. Nuk ka rëndësi se nuk janë artistë të famshëm në botë, por janë shumë të mirë. Ata punojnë bashkë me mua dhe janë treguar shumë të mirë. Zhani Ciko është një artist shumë i mirë dhe këtu ai punon me artistët. Ai më vuri re mua timbrin e zërit kur ka qenë në Amerikë dhe mendoi se zëri im i ngjante zërit të Xhoni Athanas që ka mundur të këndojë Skënderbeun. Pra, të dish të bësh rolet nuk kërkohen shumë para.

Thatë se artistë janë treguar të mirë, pse si prisnit të tregoheshin me ju?
-Janë të mirë dhe janë shumë të dashur. Në një rast tjetër ata mund të ishin xheloz, sepse kush nuk do të donte ta këndonte rolin e Skënderbeut dhe ndoshta mund të mbanin qëndrim të ftohtë. Por ata punojnë me mua me dashuri dhe më përkrahin kur dua të shqiptojë në gjuhën shqipe fjalët e Skënderbeut.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut