Rrëfehet avokati: Arjan Selimi
u vra ditën kur kërkoi lirinë

Rrëfehet avokati: Arjan Selimi <br />u vra ditën kur kërkoi lirinë
Sokol Koçiu, ish avokati I fundit i të ndjerit Arjan Selimi, në një rrëfim për “Shqiptarja.com” rrëfen momentet e fundit të takimit me të, para se të vritej mbrëmjen e 26 shtatorit 2011. Koçiu tregon se ditën e ngjarjes së bashku me Arjan Selimin, po diskutonin për të bërë një kërkesë para gjykatës me qëllim ndryshimin e masës së sugirisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim paraqitje”, pasi Selimi ishte familjar dhe kjo masë e ndihmonte për të punuar me qëllim sigurimin e të ardhura financiare. Ndërsa për sa i përket procesit “Dajti”, avokati Koçiu thotë se gjykata po tallet me këtë çështje, duke kërkuar penalizimin e avokatëve, të cilët në fakt i ka caktuar vetë. Pasi sipas tij asnjëri prej tyre nuk është zgjedhur nga i pandehuri Dritan Dajti.

Avokat ju keni qenë një nga personat e fundit që keni takuar shtetasin Arjan Selimi, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz. Cila ka qënë biseda e fundit me Arjanin dhe sip o shkojnë hetimet lidhur me këtë çështje?
Në momentet e para pas vrasjes së Arjanit unë kam qenë ai që ka ndjekur procesin e Arjanit në Gjykatën e Lartë, nga e cila ju prish edhe vendimi duke u kthyer për rigjykim. Pas kësaj Arjani konsiderohej i padënuar. Ishim bashkë, sepse të nesërmen kishte një seancë gjyqësore ku ai kishte dëshirë të merrte pjesë vetë dhe u ulëm që të bisedonim lidhur me strategjinë se çfarë kërkesash duhet të paraqitnim në atë seancë. Për sa i përket hetimit unë për momentin nuk di asnjë gjë sepse, jo vetëm që në fazën e hetimit të gjitha provat janë secrete, por që nuk ka pasur as kontakte me punonjësit e policisë që po meren me këtë çështje.
Si e shpjegoni ju që në atë periudhë Arjan Selimi ka qënë me masën e “Arrestit në shtëpi” dhe se dalja jashtë banesës ishte thyerje e kësaj mase?
Arjan Selimi nuk kishte dalë jashtë shtëpisë, pasi ishte poshtë banesës së tij. Dhe banesa, përfshin ambjentet ndenjëse dhe ambientet e përbashkëta. Nuk mund të thuash “Arrest shtëpie”, pra shtëpi pa një ambjent të përbashkët. Përderisa je në ambjentet e përbashkëta je brenda shtëpisë.

E kujtoni dot bisedën që bëtë me Arjan Selimin para se të vritej?
Po si jo. Ishim duke diskutuar për procesin që me çfarë kërkesash do të dilnim në seancën gjyqësore. Ideja ime në ato momente ishte që të bëhej një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë meqënëse ishte familjar duhet me patjetër të nxirte të ardhura financiare. Kaq vite burg masa e “Arrestit shtëpiak” e dëmtonte për të nxjerë të ardhura për të jetuar. Kështu që ajo kërkesë që mendohej që të bëhej atë ditë ishte ndryshimi i masës së sigurisë.
Kryetari i gjykatës së Krimeve të Rënda ka reaguar nëpërmjet një medie duke bërë akuza se avokatët e të pandehurit Dritan Dajti janë shkaktarë të shtyrjes së proceseve gjyqësore. Sandër Simoni paralajmëron për dështimin e këtij procesi gjyqësor. Çfarë mnund të thoni ju për këtë?
Gjithsesi e para që duhet thënë është se deklarata e zotit Simoni është e gabuar si në thelb ashtu dhe në etikë, sepse e para e punës ata nuk janë mbrojtësit e Dritan Dajtit, ata avokatë janë mbrojtësit e gjykatës që kjo gjykatë i ka caktuar kryesisht. Dritan Dajti në këtë gjyq është pa mbrojtës të zgjedhur prej tij dhe që nga ky moment ata konsiderohen si avokatë të caktuar nga gjykata dhe se në rastin konkret nuk bëhet fjalë për zvaritje nga mbrojtësi i zgjedhur nga i pandehuri Dritan Dajti. Nga pikëpamja etike zoti Simoni nuk është kryetar gjykues që gjykon çështjen tek krimet e rënda, por ai është kryetar për sa i përket organizimit administrative të atij institucioni. Në këtë drejtim e mira ishte që ai të shprehej më qartë me ata avokatë, të cilët i ka caktuar gjykata, që i ka paguar, pasi detyrimi i tij kryesor është që të paguajë avokatë që ka caktuar gjykata vetë. Për këtë ai duhet të dalë dhe të shprehet, pasi pjesa tjetër është një absurd. S’mund të akuzosh dot të pandehurin ti për avokatët që i cakton gjykata që pse nuk i vijnë në sallën e gjyqit.

Ju keni lexuar dosjen e Dritan Dajtit. Si ka ndodhur realisht dinamika e ngjarjes së 7 gushtit në Durrës, ku u vranë katër efektivë policie?
Unë e kam shprehur disa herë publikisht mendimin tim. Ngjarja që ka ndodhur në Durrës ku kanë mbetur të vrarë katër punonjës policie dhe një civil, nuk ka lidhje fare me atë që ka prezantuar prokuroria në kërkesën për gjykim. Nuk e them këtë në rolin e mbrojtësit apo në rolin e atij që kërkon të justifikojë apo në raport në mbrojtjen e një të pandehuri, por e them në raport me provën që ka paraqitur vetë akuza. Pse? Sepse janë totalisht kontradiktorë. Kur them totalisht e shpreh në pjesën profesionale, ku asnjë nga provat nuk përputhet me pretendimet që kanë bërë prokurorët në kërkesën për gjykim. Nuk përputhen me provat e paraqitura nga vetë organi i akuzës, që kanë ardhur nga mjekësia-ligjore, nga laboratori shkencor i ministrisë dhe nga ekspertimi biologjik.

Po në bashkëbisedimet që keni bërë me Dritan Dajtin në ambientet e burgut, realisht çfarë ju ka thënë ai për këtë ngjarje?
Nga bisedat që kam bërë me Dritanin, sigurisht që ai nuk pranon asnjë nga ato akuza, sepse ai e ka përjetuar dhe parë vetë teatrin se si është zhvilluar ngjarja. Dhe asnjë nga këto që pretendohet nuk përputhet me ngjarjen reale siç ka ndodhur. Fakti që aty janë lëvizur kufomat nga njëri vend në tjetrin, janë edhe gjurmët e gjakut në rrugë që tregojnë lëvizjen drejtvizore të trupave, tregon që është munduar nga organet e policisë që të krijohet një alibi. Kjo me qëllim që të përshtatet sa më shumë akuza që ju bë me mënyrën se si janë vendosur viktimat.

Gjatë bashkëbisedimit Dajti ka kërkuar ndjesë për famijarët e efektivave të policisë?
Gjatë bisedave që kam bërë me Dritan Dajtin, ky i fundit ka kërkuar dhe asistuar që familjarët e viktimave duhet të ishin në sallën e gjyqit. Dajti do ishte shumë i lumtur që familjarët të ishin pjesë e këtij procesi, që të vinin të dëgjonin vetë me veshët e tyre dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët dhe provat e paraqitura nga prokuroria, sepse aty do të mernin vesh të vërtetën se si ka ndodhur ngjarja dhe se kush janë autorët.

Momentalisht prej 13 seancash vashdon të shtyhet gjyqi, sipas jush cila do të ishte zgjidhja?
Zgjidhja do ishte që disa anëtarë të trupit gjykues duhet të jepnin dorëheqjen, pasi kanë konflikt të pastër interesi. Unë për vete nuk e mendoj ngërçin nga avokatët të caktuar nga vetë gjykata, ngërçi vjen nga gjyqtarët dhe kryesisht nga kryetarja e seancës Nertina Kosova dhe një nga gjyqtarët e tjerë Gurali Ibrahimllari që ka bërë kallëzim penal ndaj Dritan Dajtit. Që në momentin kur gjyqtari ka bërë kallëzim penal, atij me ligj i ndalohet që të jetë pjesëtar i trupit gjykues për shkak se krijohet konflikti i interesit. Mirëpo ai vazhdon të jetë.

Në disa seanca gjyqësore dy gjyqtarët që ju përmedni janë fyer rëndë madje janë kërcënuar nga i pandehuri Dritan Dajti?
Ndoshta kjo vjen si pasojë. Reagimi i tij është pasojë, sepse nëse ti i mbyll dyert e gjykatës kur thirren dëshmitarët, nëse t’i nuk lejon rregjistrimin audio-viziv të seancave, nëse ti nuk i lejon që ai të paraqitë provat e shfajësimit të tija, nëse ti i ndërpret fjalën, nëse ti me çdo kusht kërkon që ta mbyllësh gjyqin për një muaj, dhe nëse ti si gjyqtar i deklaron pa filluar gjyqi se unë do të dënoj, sigurisht se në këto raste pasoja të tilla do jenë, pasi aty është luftë nervash në një moment të caktuar.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Kombëtarja 'blindon' portën, lojtari i Olympiacos afrohet te kuqezinjtë

Kombëtarja 'blindon' portën, lojtari i Olympiacos afrohet te kuqezinjtë