Dy aktiviste italiane janë rrëmbyer në Siri 7 ditë më parë, ndërsa lajmi është bërë publik vetëm dje nga frika e autoriteteve për jetën e tyre. Siç raportojnë mediat italiane Vanessa Marzullo, 21 vjeçe dhe Greta Ramelli, 20 vjeçe janë marrë peng nga një grup kriminal në natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit.
 
Dy vajzat janë futur në një furgon nga dhjetra burra të armatosur që mësynë në një apartament në zonën e Alepos, ku dy vajzat kishin mbërritur vetëm 3 ditë përpara. Po sipas mediave italiane, nuk dihet ende se cili grup ka kryer rrëmbimin dhe as nuk ka patur ndonjë deklaratë që të marrë përsipër pengmarrjen e tyre.
 
Ndaj autoritetet italiane mendojnë se do të jetë e vështirë të gjenden ndërmjetësit e duhur dhe negociatat pritet të jenë të gjata.
 
Për këtë arsye, lajmi për rrëmbimin e tyre, edhe pse u mësua që të shtunën e kaluar, u mbajt i fshehtë për të evituar rritjen e vlerës së shpërblimit që mund të kërkojnë pengmarrësit apo ndonjë kërkese politike nga ana e tyre. Por gjithsesi lajmi arriti të publikohet nëpër media dhe dje në mbrëmje doli sërish në Twitter.
 
Vanessa Marzullo dhe Greta Ramelli kishin hyrë në Siri përmes Turqisë 10 ditë më parë për të çuar përpara një projekt solidariteti me popullsinë siriane, që ka për qëllim shpërndarjen e kutive të ndihmës së shpejtë dhe pakove me ushqime nëpër zonat kufitare dhe instruktimi i të rinjve të japin ndihmën e parë të plagosurve.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)