Vallet tradicionale dhe kostumet popullore sollën atmosferë festive në Rrajcë të Prrenjasit, ku u zhvillua për herë të parë festivali “Rrajca e Valleve”. Përmes këtij aktiviteti, Bashkia synon të promovojë turizmin malor, kulturën dhe traditat.
***
Tingujt e daulleve që jehojnë në male, vallet tradicionale dhe kostumet shumëngjyrëshe sollën atmosferë festive në fshatin turistik të Rrajcës, ku për herë të parë u organizua festivali folklorik “Rrajca e Valleve”.
“Sot ne kemi vendosur festivalin e parë ta zhvillojmë në Rrajcë, pasi nga këtu nis gjithçka. Këtu janë shumë familje e shumë artistëve të zonës që kanë trashëguar valle ndër breza",- thotë Valter Hana, specialist i Kulturës në Bashkinë Prrenjas.
Festivali u hap nga artistët e ansamblit të Prrenjas, të cilët u ngjitën në skenë performuan kenge e valle tradicionale.
Kryetari i Bashkise tha se synon të promovojë jo vetëm folklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonës, por edhe potencialin e madh që ka turizmi malor.
“Një instrument i rëndësishëm i cili na është vënë është paketa e maleve, ku zona jonë ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit, dhe me këtë paketë ne do arrijmë që shumë njerëz që kanë aplikuar të marrim lejet pranë bashkisë e të zhvillojnë bujtina për të pritur sa më shumë turistë. Rrajca është një vend që ka tradita në folklor, por nuk ngelet mrapa dhe me kulinarinë",- thotë Nuri Belba, Kryetar i Bashkisë Prrenjas.
Banorët e zonës thonë se kanë shumë për t’u ofruar vizitorëve, nga natyra dhe klima e freskët deri te gatimet tradicionale.
“Këtu është edhe mali, këtu është edhe freskia. Këtu është edhe kulinarja e vendit tradicionale. Këtu është edhe kultura e lashtë edhe e valles dyshe për herë të parë në 49-ën, kanë qenë dy djem nga ky fshat dhe orkestra Xhio Halil Turturi. Kështu që turizmi tashti është një nevojë e domosdoshme",- thotë Xhuzel Halili.
Masivi malor i Rrajcës, pjesë e Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, përfaqëson një ndër zonat me biodiversitetin më të pasur ne vendin tone. Për turistët, ky park ofron një sërë mundësish si hiking në shtigjet alpine, eksplorim i liqeneve akullnajore, kamping ne natyre.
Komente









