Mbesa e poetit të madh Ali Asllani, mjekja Selma Dino ka rrëfyer në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, një pjesë të rrugëtimit të jetës së saj, duke ndarë emocione nga jeta familjare dhe profesionale. Dino ka zbuluar shpirtin e saj artistik në një sagë letrare duke sjellë për lexuesin shqiptar një tetralogji vëllimesh. Botimet “Pasdite në kopshtin e shtëpisë - Piktura” dhe “Pasdite në kopshtin e shtëpisë - Muri”, sjellin tek lexuesi një histori që zhvillohet në Angli në fillimet e Luftës së Dytë Botërore.
“E gjithë historia është mes Anës dhe Perlatit si dhe simbolika e kopshtit. Personazhet janë të trilluar. Ana ka një kujtim të rinisë së saj ku në kopshtin e shtëpisë bëheshin mbledhjet për çaj. Kopshti ishte vendi ku fëmijët luanin, Ana është një personazh që ka dashuri shumë të madhe për gjithçka, madje edhe për barin ku shpesh e vogël hiqte edhe këpucët për ta ndjerë ndjesinë e tij. Ndërsa Perlati ka pak nga karakteri i Dorit, kjo më ka ardhur natyrshëm”, u shpreh Dino.
Selma rrëfeu se ishte bashkëshorti i saj mjeku i ndjerë Dori Mihali, i cili ka bërë kopertinat e dy vëllimeve.
“Piktura dhe Muri, kopertinat janë bërë nga Dori në fund të vitit 2021. Ai i skicoi, bëri disa variante, por e kishte nisur si me shaka. Unë u dashurova menjëherë pas skicës dhe i thashë kjo do jetë. Kopertinën e dytë ai e bëri me nxitim sikur e dinte që nuk do ishte gjatë në këtë botë, ndërsa kopertina e librit të tretë është bërë nga im bir”, u shpeh Dino.
Mjekja rrëfeu edhe për disa nga momentet më të vështira të jetës së saj. Vendimi për t’u larguar nga Shqipëria në vitin 1991, vështirësitë e emigracionit si dhe ndarjen nga jeta të onkologut të njohur bashkëshortit të saj Dori Mihali.
“Ikja në Milano ishte dëshira e Dorit, pasi i erdhi shpirti në majë të hundës, para ‘90 e transferuan nga një fshat në një fshat tjetër. Dori kërkoi që të vinte në Tiranë, por e çuan në Borizan. Aty ishte sikur e kishe Tiranën vite dritë larg. Kur filluan lëvizjet në 1991, Dori më tha duhet të ikim. Fillimi ishte shumë i vështirë për ne, Dori bëri i pari barazimin e diplomës dhe më pas kreu edhe specializimin. Fitoi dy konkurse dhe zgjodhi kemioterapinë, ndërsa unë vazhdova punën si mjeke e përgjithshme, kam punuar me moshat e treta. Mund të them se kemi filluar të jetojmë pas 15 vitesh, pra të dilnim të udhëtonim, kemi vuajtur shumë vitet e para të emigrimit”, u shpeh Dino.
Por momenti më i vështirë i jetës së saj ka qënë ikja nga jeta e bashkëshortit. Selma Dino shpehet se kjo është plaga e jetës së saj.
“Ikja e Dorit është plagë e jetës time, unë nuk pajtohesha me ikjen e tij, unë isha në qiell. Më flisnin që të më zbrisnin në tokë, por nuk guxonin të ma thonin. Dori iku i qetë pa pishman, ai i kërkoi të gjithë njerëzit, u nda me ta sikur i tha mirupafshim”, rrëfeu mes lotësh Selma Dino.
Në fund të bisedës Dino u ndal edhe për planet e afërta. Ajo tha se në Prill do të përkthehen në shqip botimet “Gjerdani” dhe “Kthimi në Kopsht”, ndërsa shpjegoi edhe ndjesinë që krijoi kur shkoi fizikisht në fshatin e Anglisë, fshatin në të cilin ishin zhvilluar ngjarjet në librin e saj.
Komente












