TIRANE- Jetmir Llani, babai i Indritit 9 vjeç i akuzuar nga policia se është autori i dyshuar i vrasjes së Mark Shkretës, mohon të jetë ai autor i këtij krimi të ndodhur dy ditë më parë në Tiranë. “Unë nuk e kam vrarë Mark Shkretën. Nuk merrem me pleq. Unë hakun tim do ta marr me dy çunat kur të dalin nga burgu. Me ata do të hakmerrem dhe më pas do dorëzohem në polici dhe do të them që unë jam ai që kreva vrasjen.”- thotë Jetmiri në një lidhje telefonike ekskluzive me tv A1 Report.

Jetmir Llani humbi djalin e tij të vogël, Indritin, ndërsa i vëllai u plagos kur mesditën e 5 qershorit djaloshi së bashku me të vëllanë, kushërirën, nënën e tij dhe xhaxhanë po udhëtonin me makinë. Vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta akuzohen se i kanë dalë para makinës dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku. Pak ditë më vonë policia arrestoi autorët, ndërsa të enjten (19 korrik) plumbat i morën jetën Mark Shkretës, 71 vjeç babait të vëllezërve Altin dhe Vladimir. Vrasja u shënua në rrugën Hoxha Tahsim në Tiranë dhe policia akuzoi Jetmir Llanin si autorin e dyshuar.

Jetmiri tregon për A1 Report se nuk kishte qenë në Tiranë ditën e vrasjes dhe që prej 14 korrikut ndodhet në Athinë.

“Kam qenë në Athinë. Më 14 korrik në orën 06. 30 të mëngjesit kam kaluar në Kakavijë drejt Athinës edhe po merrem me vizitat e vëllait. Sa të mbaroj punë do vij në Shqipëri.”- tregon Jetmiri në një lidhje telefonike.

Jetmiri tregon se me autorin e vrasjes së djalit të tij, Altinin kishin qenë shokë të ngushtë. “E kisha në krah të djathtë. Lija vëllanë tim në shtëpi dhe merrja atë”- tregon 33 vjeçari duke sqaruar dhe si kishte nisur konflikti.

“ Më 4 qershor ( një ditë para vrasjes) Unë po pija kafe me ca shokë dhe mi bie telefonit një komshi dhe më thotë kanë rrahur fëmijën e vëllait tënd. Shkova ke dajat e Altinit për të sqaruar problemin. U thashë nëse fëmija ka vjedhur dhe ju jeni të sigurtë për këtë, ne ju paguajmë por nuk keni të drejtë ta rrihni. Aty na ofenduan, dhe ne u larguam. Më vonë vëllai im shkoi te dajat dhe i qëllon me shpulla dhe nisi konflikti. Në mbrëmje më mori Altini në telefon dhe më kërkoi sqarime. I tregova për keqkuptimin dhe u sqaruam.” Po atë mbrëmje Jetmiri tregon se kishte pirë kafe me dajat e Altinit. Të njëjtën gjë kishte bërë dhe rreth orës 10:00 të paradites së 5 qershorit, pak kohë para vrasjes.

“Unë isha në Mamurras, ndërsa vëllai do të shkonte të bënte furnizim për shtëpinë. Në makinë ishin dy djemtë e mi, nusja, goca e baxhanakut dhe vëllai im që i jepte makinës”- tregon Jetmiri për momentin kur kishte mësuar për vrasjen e djalit.

Kur gazetarja Mira Kazhani kërkoi reagimin e tij për faktin se dy vëllezërit Shkreta kishin deklaruar në burg se nuk donin t’i vrisnin djalin por atë vetë ai u përgjigj:
“Unë nuk e di se kë donin të vrisnin, por ata i janë turrur edhe djalit tim të madh i cili ishte në makinë prapa. Ai ka arritur të shpëtojë pasi është futur në një karburant.”

Kur gazetarja e pyeti nëse kishte dyshime se kush mund të kishte kryer vrasjen Jetmiri u përgjigj: Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë kryer vrasjen. Unë lajmin e mësova në internet dhe në telefon nga Shqipëria. Ata nuk kanë pasur konflikt vetëm me mua. Ata kanë pasur konflikte dhe me njerëz të tjerë dhe me shtetin e bashkinë”

Menjehërë pas vrasjes së kryer më 19 korrik policia nxorri një deklaratë ku policia konfirmoi se vrasja kishte ndodhur për hakmarrje dhe se ishte vënë në kërkim të autorit Jetmir Llanaj. “Nga hetimet paraprake dyshohet se autor i kesaj ngjarje eshte shtetasi Jetmir Isuf Llani, 33 vjeç, banues ne Mamuras. Vrasja dyshohet se eshte kryer per motive te hakmarrjes, pasi para 2 muajsh ne Mamuras, djemte e viktimes, i kane vrare Jetmir Llanit djalin 9-vjeç, si dhe i kane plagosur vellain.”- njoftoi policia.
(sg/shqiptarja.com)