Metarrëfim është edhe demokracia, ku vota është më e rëndësishme se personi e, rrjedhimisht, dy budallenj vlejnë më shumë se një i mençur. I revoltuar ndaj të gjitha rrëfimeve të tilla, Jean-François Lyotard në vitin 1979 shfaqi mosbesimin në metarrëfime, qëndrim ky i stërpërgojuar katër dekadat e fundit.
Metarrëfimi e ka dominuar edhe letërsinë shqiptare, e cila ka gjetur strehë te tre metarrëfime: religjioz, nacional dhe politik.
Metarrëfimi religjioz
Metarrëfimi i parë i madh i letërsisë shqipe është religjioni. Ai dominon veprat e para të letërsisë shqipe dhe nuk ndalon së shfaquri (edhe pse i zbehur) deri në gjysmën e parë të shekullit 20: “Meshari”, “Doktrina e kërshtenë”, “Rituali roman”, “Pasqyra e të rrëfyemit”, “Çeta e profetëve”, “Gjella e shën Mërisë virgjër”, “Jusufi dhe Zylihaja”, “Qerbelaja”, “Vallja e Parrizit”, “E madhe është gjëma e mëkatit” etj. Të gjitha këto vepra u shkruan nga autorë me bindje të thella fetare dhe, natyrisht, trajtimi është bërë sipas etikës fetare, konform kodit biblik e kuranor. Estetika u vu në shërbim të etikës. Pas Luftës së Dytë Botërore, ky metarrëfim pushoi së kultivuari.
Në të gjitha veprat e këtij kodi synohet bindja ndaj Zotit. Përjashtim bën “Baba Musa Lakuriq” që inauguron parodinë e metarrëfimit religjioz në letërsinë shqipe. Edhe pse për nga trajtimi ajo është vepër modeste, për nga guximi mbetet vepra e parë e madhe e letërsisë shqipe. Pra, aty strategjia është vlerë, struktura dobësi. Çajupi është i pari që përqeshi Zotin, profetët dhe besimtarët. Ai është i pari që përmbysi metanarracionin e parë.
Metarrëfimi nacional
Letërsia shqiptare ka temë dominante qëndresën, e cila bëhet tipar esencial i kodit nacional, i cili si metarrëfim është kulm i letërsisë shqiptare. Madje, mund të thuhet se ai është kodi më i madh, natyrisht edhe dominues, i letërsisë shqiptare, ndërsa figura kryesore e tij, sigurisht, është Skënderbeu, i cili shfaqet që në letërsinë humaniste të shkruar në latinishte.
Autori i parë mbetet “historiani” Marin Barleti me “Historinë e Skënderbeut” (rreth v. 1508-1510), që himnizon luftën dhe qëndresën e shqiptarëve përballë pushtuesit osman, duke veçuar një epokë të artë që do të njihet si Mot i madh. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, shkrimtarët e Rilindjes Shqiptare e rilindin mitin për Motin e madh, si mit nacional për të himnizuar “të kaluarën e lavdishme”: De Rada (“Skënderbeu i pafan”), Dara i Riu (“Kënga e sprasme e Balës”), Naim Frashëri (“Istori e Skënderbeut”) etj.
Në shekullin e njëzet prapë shfaqet dëshira për kthim në “kohën e artë” dhe zgjohet interesimi për figurën e Skënderbeut: Çajupi (“Burr’ i dheut”), Ethem Haxhiademi (“Skënderbeu”) etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, i njëjti mit shfaqet te Kadare (“Kështjella”), Xhaferi (“Ra Berati”), Godo (“Skënderbeu”) etj. Tema e qëndresës ilustrohet me kështjellën, kështjella simbolizon Shqipërinë. Te Ismail Kadare, që përfaqëson metarrëfimin nacional, kështjella dhe Shqipëria janë e njëjta gjë, ato nënkuptojnë njëra-tjetrën; janë të papushtueshme.
Metarrëfimi nacional ka prodhuar vazhdimisht poezi, poema, drama, tregime e romane historike. Hera e parë që letërsia shqipe kaloi nga fiksioni historik në metafiksion historiografik, ishte viti 2002, kur Rexhep Qosja botoi tregimi satirik “I ringjalluri i penduar”, ku figura qendrore e metarrëfimit nacional, Skënderbeu, shihet nga një optikë ironike.
Metarrëfimi politik
Komunizmi, si metarrëfim politik, krijoi iluzionin e utopisë socialiste. Realizmin socialist, ose artin komunist, e lindi “Nëna” e Gorkit. Katër rregullat bazë u aplikuan gjithandej ku funksiononte kjo metodë: si pikënisje dhe destinacion, arti proletar paraqet klasën punëtore dhe është i kuptueshëm prej saj; temën e merr nga jeta e përditshme me personazhe nga “gjiri i popullit”; për nga metoda duhet të jetë realist; realizmi duhet të ndjekë parimet e shtetit socialist.
Në Shqipëri kjo metodë funksionoi gati gjysmë shekulli. Për nga sasia, letërsia e kësaj kohe është më pasura, kurse për nga cilësia, më e varfëra. Është më e varfër se çdo letërsi paraprake, sepse është letërsi e shkruar sipas një platforme politike, të cilën nuk ka guxuar ta kundërshtojë. Si e tillë, letërsia e realizmit socialist sot është letërsi e vdekur, në varrin e së cilës futen të gjithë shkrimtarët që shkruan në këtë kohë, me ndonjë përjashtim të ndonjë vargu a, shumë shumë, të ndonjë vepre.
Pra, nga kjo periudhë ka gjasa të mbetet ndonjë vepër e pastër, por s’ka gjasa të mbetet një autor i pastër. Metarrëfimet politike të Shuteriqit, Spasses, Gjatës, Abdihoxhës, Musarajt, Markos, Agollit, Kadaresë dhe një vargu të gjatë shkrimtarësh të realizmit socialist që “pasqyrojnë” metarrëfimin komunist, bien bashkë me sistemin.
Ndryshe nga shkrimtarët tjerë shqiptarë që fundosen bashkë me “Titanikun” politik, Kadarenë e shpëtojnë veçmas “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (që kodin nacional e ka më të fortë se atë socialist) dhe “Kronikë në gur” (që është rrëfim minimalist, krejtësisht jashtë metodës letrare zyrtare), sado që vetë autori dhe disa studiues të tij, si varkë shpëtimi e shohin “Pallatin e ëndrrave”, që, siç dihet, ishte novelë modeste në kohën e komunizmit, por u bë kryevepër pas amplifikimit ideor e strukturor në demokraci.
Si goditje ndaj këtij metarrëfimi politik është parë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i krahasuar aq shpesh me “Shakanë” e Kunderës. Por, dihet që kjo dëshirë e kritikëve nuk ka qenë edhe dëshirë e autorit, pasi që Dritëro Agolli mbetet mohikan i fundit i komunizmit.
Ngjyrat e letërsisë dhe fundi i një modeli
Duke e parë që letërsinë shqipe e kanë dominuar tre metarrëfime, mund t’i konstatojmë edhe ngjyrat e saj, që nuk janë më shumë se dy. Metarrëfimi religjioz (esencë e ka obskurantizmin, terrin) ka ngjyrën e zezë, metarrëfimi politik (komunizmi) ka ngjyrën e kuqe, kurse metarrëfimi historik ka ngjyrat e flamurit: kuq e zi. Përjashtim këtu bën letërsia e Kosovës, e cila lind pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur kudo në botë romani ishte formë dominante dhe metarrëfimi nuk ishte i domosdoshëm.
Në këtë “periudhë të prozës”, veçohet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, që gërshetoi rrëfimin intelektual të Thomas Mannit, ankthin e Kafkës, absurdin e Kamysë dhe prosedeun e Vonnegutit.
Nga tre metarrëfimet, në letërsinë shqipe dy kanë rënë me kohë (metarrëfimi religjioz dhe metarrëfimi politik), ndërsa njëri ka mbetur (metarrëfimi nacional). Zhdukja e metarrëfimit të mbetur është kusht i domosdoshëm për shpëtimin e letërsisë, kur dihet që metarrëfimet e kanë kryer një funksion të jashtëm, por e kanë dëmtuar letërsinë së brendshmi.
Propagandat kristiane, projekti nacionalist romantik dhe utopia socialiste kushtëzuan krijimin e veprave pa të ardhme, vepra të kohës, që sollën agoninë e letërsisë shqipe, para se të mund të flitej mirë për lindjen e saj. Derisa religjioni ishte rrëfim i madh dhe përfshiu katër shekuj, por pak vepra; komunizmi ishte rrëfim i madh që përfshiu katër dekada, por shumë vepra; nacionalizmi është diskurs dominant dhe përfshin gjithë historinë e letërsisë shqipe, ku Kadare, me romanin e tij të parë të botuar, shënjon pikën më të lartë dhe njëkohësisht fundin e këtij modeli.
Shtegu i shpëtimit: minirrëfimi
Nga sa u tha, del që letërsia shqiptare karakterizohet nga metarrëfimet historike, religjioze, nacionale dhe politike. Në çdo letërsi gjenden këto, por në letërsinë shqipe më shumë se kudo. Metarrëfimet si projekte propaganduese i nxjerrin në shesh qëllimet jashtëletrare dhe manipulimet nacionaliste.
Nga Barleti deri te Kadare, letërsia shqiptare është zhvilluar si propagandë metanarrative e realizuar nëpërmjet veprave të vogla me kode të mëdha. Kështu, ajo sot është një letërsi në udhëkryq: t’u përmbahet kodeve të mëdha e ta ruajë statusin e letërsisë së vogël, apo t’u ikë kodeve të mëdha e të synojë integrimin në letërsinë e madhe?
Përkundër faktit që letërsia shqipe gjithmonë është marrë me rrëfime të mëdha, prapëseprapë ka mbetur letërsi e vogël, letërsi grindavece, që rrah gjoks para botës dhe përpiqet t’ua nxjerrë sytë fqinjëve. Falë metarrëfimeve, kjo letërsi jo vetëm që s’mund të matet me letërsitë e mëdha evropiane (gjermane, franceze, angleze, italiane, spanjolle, irlandeze, suedeze, norvegjeze), por as me disa letërsi ballkanike, si ajo greke, kroate dhe serbe.
E, një letërsi e tillë i ka ditët e numëruara, prandaj ikja nga metarrëfimet është shpresa e fundit e saj.
Kthimi nga metarrëfimi në minirrëfim ndoshta është shtegu i shpëtimit të kësaj letërsie. Kjo s’do të thotë që rrëfimi postmodernist është modeli i radhës, sado që ai është oaza e kësaj letërsie, tokën e shkretë të së cilës mund ta gjelbërojë ndoshta idiotësia performatiste, si antipod i metarrëfimeve intelektualiste dhe i erudicionit postmodernist.
Gabimi më i madh i letërsisë shqipe është se ka mbetur tepër shqiptare. Në një ese për romanin, Thomas Manni ka konstatuar se ka shumë shkrimtarë të mëdhenj gjermanë, por pak prej tyre janë shkrimtarë botërorë. Dhe shton se gabimi i tyre është se janë si tepër gjermanë, pra mendojnë dhe shkruajnë vetëm për tema që i interesojnë popullit të tyre. Ky konstatim i Mannit mund të ilustrohet me dy shkrimtarë gjermanë, Goethen dhe Schillerin, prej të cilëve i dyti me vepra si “Vilhelm Teli” e “Cubat” rri afër Goethes së “Gëcit të Berlihingenit”, por jo kurrë afër Goethes së “Faustit”, apo edhe të “Verterit”.
Ndërsa, siç u pa, në letërsinë shqipe të gjithë shkrimtarët, me ndonjë përjashtim rrallë e për mall, rrinë afër njëri-tjetrit, në pellgun e metarrëfimit. Për ta gjetur shtegun e shpëtimit do të mund të ndihmonin ata që Albert Camus i quan romancierë-filozofë, të cilët, mjerisht, gjithmonë i kanë munguar letërsisë shqipe.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Prill 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)