5 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim nga SPAK, pjesa më e madhe e tyre anëtarë të bandës së Durrësit, të dyshuar në përfshirjen dhe organizimin e atentatit ndaj prokurorit të shkarkuar tashmë nga vettingu, Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe shoferit që nuk mbijetoi, Andi Maloku, në 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Në një operacion të gjerë policor të koduar “Komploti” u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, 38 vjeç, agjent doganor (i afërm i Plarent Dervishaj), Endrit Sinani, 29 vjeç, Julian Pjetri, 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija, 54 vjeç.

SPAK shpalli në kërkim atë që e konsideron organizator të komplotit, Plarent Dervishaj. Ish-kunati i ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës, ndodhet në Dubai, aty ku u arrestua rreth 1 vit më parë si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lames ne 2005-ën, por u la i lirë në mungesë të një marrëveshje ekstradimi. Më 20 qershor 2019 Plarent Dervishaj i shpëtoi breshërisë së plumbave që u lëshuan ndaj makinës së tij, ku ndodhej bashkë me Bashkim Haxhijan, i arrestuar këtë të premten në operacionin Komploti dhe me Julian Meçen në kërkim.

I dyshuar për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit, është edhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. Të enjten SPAK dhe BKH bastisën shtëpinë e Ramazan Rrajës në Nikël të Fushë-Krujës, por pa rezultat. Në kërkim për operacionin “Komploti” është edhe një person i katërt, të cilit policia i ka publikuar vetëm inicialet, A.SH, që njihet me pseudonimin “Badi”, mik i Plarent Dervishaj. Burime nga SPAK thanë se ka dyshime që të dy të jenë në Dubai.

Por si arriti polici në gjurmët e organizatorëve dhe bashkëpunëtorëve në atentatin e 3 viteve më parë?

Burime për Report Tv bëjnë me dije se indiciet për këtë grup i ka dhënë fillimisht Nuredin Dumani, por ka dy bashkëpunëtorë të tjerë të drejtësisë që kanë folur, duke dhënë detaje dhe prova të përfshirjes së këtyre personave në tentativën për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja, që në atë kohë ishte në makinë me shoferin, Andi Maloku fatkeqin e këtij atentati, dhe Aleksandër Lahon, të njohur si Rrumi i Shijakut, një person me precedentë penalë.

Pas kësaj dëshmie kyçe të dëshmitarëve të drejtësisë që autoritetet i ruajnë duke mos i nxjerrë emrat, operacioni policor me përfshirje të forcave elitë RENEA u shtri në Tiranë, Durrës, Fushë Krujë dhe u kontrolluan 11 banesa.

Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, 11 orë dore të markave të shtrenjta, të cilat do të analizohen në vijim nga hetuesit deri në detaje. Policia ka pasur dyshime se ky grup i strukturuar kriminal mund të kishte fshehur nën tokë sende të paligjshme ndaj bëri kontrolle edhe me detektorë metalesh. 

Të gjithë akuzohen për 5 vepra penale, nga vrasje e funksionarëve publikë, mbetur në tentative, vrasje në rrethana të tjera cilësuese me pasojë vdekjen dhe e mbetur në tentativë, sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe vjedhje më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

4 ditë pas atentatit të nëntorit 2019, policia arrestoi në atë kohë Ariol Halilajn dhe Redjan Rrajën, të afër të deputetit socialist, me profesion mjek stomatolog i përfshirë edhe në rastin e Xhisiela Malokut, vajzës të lidhur me djalin e deputetit Rraja, Rexhepin, dhe që trazoi edhe ujërat e politikës pas dëshmive se ishte dhunuar prej tij. Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë vijon gjykimi për 2 të pandehurit Halilaj dhe Rraja dhe procesi është pothuajse drejt fundit.

Të akuzuarit dhe akuzat
Të arrestuar:
Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku (40 vjeç) që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka (38 vjeç), Endrit Sinani (29 vjeç), Julian Pjetri (45 vjeç) dhe Bashkim Haxhija (54 vjeç). 
Të shpallur në kërkim: Julian Meçaj, Plarent Dervishaj që dyshohet se ndodhet në Dubai dhe Ramazan Rraja, i cili nuk ndodhej në shtëpi ditën e djeshme kur u ushtrua kontroll. Ata janë të tre jashtë vendit dhe po punohet me autoritetet e huaja për arrestimin e tyre. I katërti i shpallur në kërkim është identifikuar si A.SH. (alias D. Sh).
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Laho, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Çfarë u sekuestrua nga operacioni i SPAK 
Nga operacioni i koduar “Komploti” i SPAK në bashkëpunim me Forcat Operacionale, RENEA dhe FNSH u ushtruan kontrolle në 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë. Gjatë kontrolleve sekuestruan 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.  

Hetimet e këtij procedimi penal janë drejtuar nga 2 prokurorët e çështjes dhe veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit dhe administrimin e disa prej akteve nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës gjyqësore ndërkombëtare në fushën penale.

Atentati ndaj prokurorit Ndoj
Në vitin 2019 një atentat iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoj, Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit",  Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi). i njohur si 'Rrumi i Shijakut', dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 24 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve. Nën akuzë për atentatin ndaj Ndojës janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.  

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Keti Banushi dhe Sokol Dema

1674207458_page.jpg

Plarent Dervishaj dhe Akil Nerjaku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Atentati ndaj Arjan Ndoja dhe 'Rrumit të Shijakut', dyshohet se u organizua nga Plarent Dervishaj! 3 bashkëpunëtorë drejtësie rrëfyen detajet

 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Rrumit të Shijakut u organizua nga Plarent Dervishaj, i cili dyshohet se ndodhet në Dubai.

Të penduarit e drejtësisë që kanë dhënë detaje për këtë ngjarje kriminale janë 3, mes të cilëve edhe Nuredin Dumani.

Po ashtu mësohet se SPAK ka dijeni se 4 personat në kërkim për atentatin ndodhen jashtë vendin dhe janë duke bërë procedurat konkrete.

Ora 12:33
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, SPAK: Kemi zbuluar rolin e organizatorit, ekzekutorit dhe ndihmësve

1674214659_1671891200spak11.jpeg

SPAK ka dhënë detaje nga operacioni i koduar 'Komploti' për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (mbi bazën e akteve të dërguara për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), ka regjistruar procedimin penal Nr.184/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 79/a-22; 79/dh-22; 278/1, 2; 134/2 dhe 333/a të Kodit Penal.

Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.

Nga të shtënat me armët e zjarrit, shtetasit të cilët udhëtonin në mjetin me targë AA 333 ZD kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.

Nga veprimet hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal janë identifikuar paraprakisht dy nga autorët që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, konkretisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje.

Në kuadër të hetimeve intensive të pandërprera, është bërë e mundur identifikimi i autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, e më konkretisht i shtetasve: P. D., J. M. dhe A. SH, si bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj (të cilët po gjykohen për ngjarjen e datës 01.11.2019), ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se kanë marrë pjesë në episodin e datës 01.11.2019, për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi); “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 79/a-22; 79/dh-22; 278/1,2; 134/2; 28/4; 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet e mëtejshme kanë bërë të mundur identifikimin edhe të disa subjekteve të tjerë, të cilët kanë kanë marrë pjesë si para ashtu dhe pas ngjarjes së datës 01.11.2019, periudha gjatë të cilave subjektet e dyshuar kanë ndërmarë një sërë veprimesh për konsumimin e veprave penale.

Më konkretisht, gjatë hetimit janë grumbulluar prova të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit P. D., E. S.,  J. M. A. SH., R. RR. etj, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi).

Gjithashtu, provat e mbledhura gjatë hetimit kanë krijuar dyshimin e arsyeshëm se shtetasit P. D., J. M., B. H., G. N. (alias K. N. dhe E. N.), R. RR., Ariol HALILAJ, J. P. dhe M. D, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve A.N dhe A.L, G.M dhe A.M, sipas episodeve respektive (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019).

Pas kryejes së shumë veprime hetimore me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për disa persona nën hetim si dhe ka lejuar kontrollin e 10 ambienteve në qytete të ndryshme të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Krujë).

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar 5 masa sigurimi personal për personat nën hetim: B.H., G.N., M.D., E.S., J.P.

Janë shpallur në kërkim shtetasit P.D., J.M., A.SH. (alias D. Sh) dhe R. RR., dhe po bashkëpunohet me autoritetet e huaja për kapjen dhe ekstradimin e tyre.

Ky hetim ka bërë të mundur që të evidentojë rolin e secilit prej të hetuarve në kryerjen e veprave penale, organizatorit, ekzekutorit, ndihmësit etj.

Hetimet e këtij procedimi penal janë drejtuar nga 2 prokurorët e çështjes dhe veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit dhe administrimin e disa prej akteve nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës gjyqësore ndërkombëtare në fushën penale.

Ora 11:35
‘Komploti’/ Të gjithë emrat e të arrestuarve dhe të shpallurve në kërkim, të akuzuar për atentatin ndaj Arjan Ndojës

1674208438_page.jpg

Report Tv ka mësuar të gjithë emrat e personave që janë arrestuar dhe janë shpallur në kërkim nga operacioni i SPAK për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Të arrestuar: Bashkim Haxhija; Marsel Decka; Endrit Sinani; Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku; Juljan Pjetri

Në Kërkim: Julian meçaj, Plaurent Dervishaj, Ramazan Rraja

Ora 11:20
Dalin PAMJET e operacionit të policisë për atentatin ndaj Arjan Ndoj, kërkime me metal-kërkues në 11 banesa nga RENEA, FNSH dhe Forcat Operacionale

Këto janë pamjet e operacionit të policisë që zhvilloi kontrolle në 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë për të zbuluar detaje për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Nga kërkimet me metal-kërkues nga RENEA, FNSH dhe Forcat Operacionale, në banesa u gjetën 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.  

Nga kontrollet u arrestuan 5 persona ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim.

Ora 11:19
Atentati ndaj Arjan Ndoj, policia jep detajet e operacionit: 5 në burg, 4 në kërkim! Ja çfarë u zbulua nga kontrollet në 3 qytete

Policia ka dhënë detajet e operacionit për atentatin e organizuar ndaj Arjan Ndoj dhe 'Rrumit të Shijakut' në 2019. Nga kontrollet në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, 5 u vunë në pranga dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Komploti”, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në vitin 2019. Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.  Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut. Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas. Shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë. 

Sekuestrohen 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme. Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë. Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“. 

Gjatë këtij operacioni janë ekezkutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit: B. H., 54 vjeç, M. D., 38 vjeç dhe G. N. alias K. N., 40 vjeç, të tre banues në Durrës; E. S., 29 vjeç dhe J. P., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë. 

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Vijon puna për kapjen e tyre.  Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ora 11:04
SPAK lëshoi sot urdhër arresti për të, kush është Bashkim Haxhia, i shpëtoi super atentatit në 2019-n! I dënuar për vrasje, rrëmbime dhe trafik droge

1674209132_a.jpg

Një prej personave për të cilët SPAK ka lëshuar sot urdhër arrest është edhe Bashkim Haxhia. Ai është një personazheve më të njohur të botës së krimi. Ai ka qenë njeriu i vetëm i arrestuar nga policia në ngjarjen e atentatit me armë ndaj tij, Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçe, të cilit i shpëtoi mrekullisht. 

Haxhia ndërkohë njihet si pjesë e grupit famëkeq  të Astrit Gjepalit, i vrarë në 16 janar 2014, si edhe anëtar i bandës së Durrësit.

Haxhia është ekstraduar disa vite më parë nga Italia, pasi në Shqipëri ishte dënuar me 20 vite burgim  me akuzën për vrasje, katër rrëmbime dhe grabitje. Ai po ashtu është hetuar nga drejtësia e vendeve fqinje, me akuzën për shpërndarje droge dhe trafik prostitucioni

 

Ora 10:44
Sot 5 urdhër arrestet nga SPAK për emrat e njohur të botës së krimit, si ndodhi atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj

 

SPAK lëshoi 5 urdhër arreste për emrat e njohur të botës së krimit që dyshohet se kanë gisht në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj. 

Më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit u bë atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, morën trajtim në spitalin e Durrësit dhe nuk morën lëndime që i rrezikonin jetën. Nën akuzë për atentatin ndaj ish prokurorit janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.

Ora 10:41
Kush është Plarent Dervishaj, kunati i Lulzim Berishës! U arrestua në Dubai por u la i lirë, në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames

1674206287_jhgj.png

Plarent Dervishaj, anëtari i bandës së Durrësit, ka një tjetër urdhër arresti nga dita e sotme. Ai është në kërkim edhe për vrasjen e Vajdin Lames. Dervishaj është kunati i Lulzim Berishës dhe një prej personazheve kryesore të Bandës së Durrësit.

Plarent Dervishaj u arrestua në Dubai, por u la i lirë, pas shpalljes së tij në kërkim pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë Luftar Reçit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut. Në këtë vrasje, Reçi ka treguar se e ka kryer së bashku me Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishajn. Ndërsa sipas Luftar Reçit, Lulzim Berisha ishte njeriu që i kishte propozuar vrasjen e ish-mikut të tij Saliu, në këmbim të vrasjes së hasmëve të Luftar Reçit

Ora 10:23
Atentati ndaj Arjan Ndoj, 5 emrat e botës së krimit për të cilët u lëshua urdhër arresti nga SPAK dyshohet se siguruan mjete për vrasjen

 

Emrat e njohur të botës së krimit për të cilët u lëshua masë arresti pas operacionit në banesën e Ramazan Rrajës janë Plarent Dervishaj, Julian Mecaj, Bashkim Haxhiaj, Marsel Decka dhe Akil Nerjaku.

Ata dyshohet të kenë gisht në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndojës pasi siguruan kushte dhe mjete për vrasjen.

Ora 10:17
Urdhër arrestet nga SPAK, Report Tv zbulon emrat e njohur të botës së krimit

1674206287_jhgj.png

Report Tv ka mësuar me burime emrat e 4 personazheve të tjerë të botës së krimit që SPAK ka lëshuar urdhër arrestet përveç Akil Nerjaku.

Burime për Report Tv bënë me dije se ka masë edhe për  Plaurent Dervishaj, Julian Mecaj, Bashkim Haxhiaj dhe Marsel Deçka.

 

Ora 10:07
Rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, arrestimi i 5 personave pas kontrollit në banesën e Ramazan Rrajës dyshohet se erdhi pas dëshmisë së Nuredin Dumanit

 

Bashkëpunëtori i drejtësisë që dyshohet të ketë sjellë lëshimin e 5 urdhër-arresteve nga SPAK mendohet të jetë Nuredin Dumani. Ka edhe të tjerë që i janë bashkuar drejtësisë duke rrëfyer ngjarje kriminale, por nuk është konfirmuar ende një emër konkret.

SPAK pritet të dalë në një deklaratë për media që të japë detaje nga operacioni i kontrollit në banesën e Ramazan Rrajës.

Ora 10:01
Kush është Akil Nerjaku që u arrestua gjatë kontrollit në banesën e Rrajës, si i shpëtoi atentatit me snajper në 2022

1674205262_1663059420besniknerjaku1.jpg

Akil Nerjaku, i cili  vu në pranga ditën e djeshme gjatë kontrollit të banesës së Ramazan Rrajës, ishte shënjestër e një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, por që arriti t’i shpëtojë pa lëndime. Rreth orës 12:00 të 12 shtatori në lagjen numër 13 në rrugën 'Pavarësia' u qëllua një herë me snajper në drejtim të një automjeti në pronësi të një 52-vjeçari me banim në Maqedoninë e Veriut.

Në të njëjtin moment dhe në të njëjtin vend ku ishte parkuar makina, ishte duke lëvizur me automjet Mercedez Benz një person me precedentë të theksuar kriminal, Akil Nerjaku që ishte nën shoqërinë e nipi i një ish-ministri të Partisë së Lirisë. 

Ora 09:35
Arrestohet me urdhër të SPAK Akil Nerjaku, i shpëtoi atentatit me snajper në Durrës më 12 shtator 2022

1674203889_ca4fdb613554463ea4d88aa3bf300f0d1.jpg

Akil Nerjaku, i njohur si i përfshirë i bandës së Durrësit është arrestuar me urdhër të SPAK gjatë ditës së djeshme kur u ushtrua kontroll në banesën e Ramazan Rrajës. Nerjaku ishte shënjestra e një atentati me snajper në Durrës në shtator të vitit 2022 që nuk la asnjë të lënduar.