Rrëfimi i një gruaje afgane në Kabul

Rrëfimi i një gruaje afgane në Kabul

Mëngjesin e herët të së dielës, isha duke shkuar në universitet për të ndjekur leksionin kur një grup grash dolën jashtë nga konvikti. I pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe njëra prej tyre më tha se policia po i evakuonte pasi talebanët kishin mbërritur në Kabul dhe se ata do t’i keqtrajtonin gratë që nuk mbanin burka.

Të gjitha donim të ktheheshim në shtëpi, por nuk mund të përdornim transportin publik. Shoferët nuk do të na linin në makinat e tyre sepse nuk do të donin të merrnin përgjegjësinë për transportimin e një gruaje. Ishte edhe më keq për gratë nga konvikti, të cilat janë nga jashtë Kabulit. Ato ishin të frikësuara dhe të hutuara se ku duhet të shkonin.

Ndërkohë, burrat që qëndronin përreth po talleshin me vajzat dhe gratë, duke qeshur me tmerrin tonë.

“Shkoni dhe vishni burkën tuaj”, thirri njëri. “Janë ditët tuaja të fundit të daljes në rrugë”, tha një tjetër. “Unë do të martohem me katër prej jush brenda një dite”, tha një i tretë.

Me mbylljen e zyrave qeveritare, motra ime vrapoi për kilometra të tëra nëpër qytet për t’u kthyer në shtëpi.

“Fika kompjuterin që më ndihmoi t’i shërbeja popullit dhe komunitetit tim për katër vjet me shumë dhimbje”, tha ajo. “Lashë tryezën time me sy të rrëmbushur dhe u thashë lamtumirë kolegëve të mi. E dija që ishte dita e fundit e punës sime aty”.

Kam përfunduar gati dy diploma të njëkohshme nga dy prej universiteteve më të mira në Afganistan. Duhet të diplomohesha në nëntor nga Universiteti Amerikan i Afganistanit dhe Universiteti i Kabulit, por këtë mëngjes gjithçka mu fanit para syve.

Kam punuar kaq shumë ditë dhe netë për t’u bërë ajo që jam sot, dhe këtë mëngjes kur arrita në shtëpi, gjëja e parë që unë dhe motrat e mia bëmë ishte fshehja e dokumenteve identifikuese, diplomave dhe certifikatave tona.

Ishte rrënuese. E pse duhet t’i fshihnim gjërat për të cilat duhet të jemi krenare? Tanimë, në Afganistan nuk na lejohet të njihemi si njerëzit që jemi.

Si grua, ndihem sikur jam viktimë e kësaj lufte politike që kanë nisur burrat.

Ndjeva se nuk mund të qesh më me zë të lartë, nuk mund të dëgjoj më këngët e mia të parapëlqyera, nuk mund të takoj më miqtë e mi në kafenenë tonë, nuk mund të vesh më fustanin tim të verdhë që aq shumë e dua apo buzëkuqin rozë. Dhe nuk mund të shkoj më në punën time ose të finalizoj diplomimin universitar për të cilin kam punuar me vite për ta arritur.

Më pëlqente të përkujdesesha edhe për thonjtë. Sot, teksa po kthehesha për në shtëpi, i hodha një sy sallonit të bukurisë ku shkoja për manikyr. Dyqani, i cili ishte zbukuruar me fotografi të bukura të vajzave, ishte venitur brenda natës.

Gjithçka që pashë rreth meje ishin fytyrat e frikshme dhe të frikësuara të grave dhe fytyrat e shpërfytyruara të burrave që urrejnë gratë, të cilët nuk i pëlqejnë gratë të arsimohen, të punojnë dhe të kenë liri. Më shkatërruesit për mua ishin ata që dukeshin të lumtur dhe talleshin me gratë.

Në vend që të qëndrojnë pranë nesh, ata qëndrojnë me talebanët dhe u japin atyre edhe më shumë fuqi.

Gratë afgane sakrifikuan shumë për lirinë vocërrake që arritën.

Si jetime, unë thurja qilima vetëm për të marrë arsimimin. U përballa me shumë pengesa financiare, por kisha shumë plane për të ardhmen time. Nuk e prisja që gjithçka të përfundonte kështu.

Tani, duket se më duhet të djeg gjithçka që kam arritur në 24 vitet e jetës sime. Të kesh ndonjë kartë identiteti ose çmime nga Universiteti Amerikan sot është e rrezikshme. Edhe nëse i mbajmë, nuk jemi në gjendje t’i përdorim. Për ne, nuk ka punë në Afganistan.

Kur krahinat u shembën njëra pas tjetrës, po mendoja për ëndrrat e mia të bukura vajzërore. Motrat e mia dhe unë nuk mund të flinim gjithë natën, duke kujtuar historitë që nëna ime na tregonte për epokën e talebanëve dhe mënyrën se si ata i trajtonin gratë.

Nuk e prisja që ne do të privoheshim përsëri nga të gjitha të drejtat tona themelore dhe do të udhëtonim prapa në 20 vjet më parë. Që pas 20 vitesh luftë për të drejtat dhe lirinë tonë, duhet të rendim pas burkave dhe të fshehim identitetin tonë.

Gjatë muajve të fundit, teksa talebanët morën kontrollin nëpër provinca, qindra njerëz ikën nga shtëpitë e tyre dhe erdhën në Kabul për të shpëtuar vajzat dhe gratë e tyre. Ata jetojnë në parqe ose në qiell të hapur.

Isha pjesë e një grupi studentësh të Universitetit Amerikan që u përpoq t’i ndihmonte ata duke mbledhur donacione në para, ushqim dhe nevoja të tjera dhe duke ua shpërndarë më pas.

Nuk mund t’i ndalja lotët kur dëgjova historitë e disa familjeve. Një kish humbur djalin në luftë dhe nuk kishte para për të paguar taksinë për në Kabul, kështu që ata e dhanë nusen e tyre në këmbim të transportit. Si mund të jetë e barabartë vlera e një gruaje me koston e një udhëtimi?

Pastaj sot, kur dëgjova se talebanët kishin arritur në Kabul, ndjeva se do të kthehesha në skllave. Ata mund të luajnë me jetën time si të duan.

Kam punuar edhe si mësuese në një qendër arsimore në gjuhën angleze. Nuk mund të duroj as të mendoj se nuk mund të qëndroj më para klasës, duke i mësuar ata të këndojnë ABC-të e tyre. Sa herë që mbaj mend që vajzat e mia të bukura dhe të vogla duhet të ndalojnë shkollimin dhe të qëndrojnë në shtëpinë e tyre, lotët e mi vërshojnë./ “The Guardian” 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Papagalli: 16/08/2021 21:15

    Amerika nuk e ka per here te pare kete keshtu veproi edhe me luften ne Vietnam ne vitet 50 70 te shekullit te kaluar kur ne vitin e larget 1975 u largua nga Vietnami i Jugut duke ja lene pushtetin komunisteve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje