Rrëfimi i të internuarit: 11 vjeç në kamp mblidhnim predha lufte, shumë fëmijë u vranë

Rrëfimi i të internuarit: 11 vjeç në kamp mblidhnim predha lufte, shumë fëmijë u vranë

Shefqet Dobra, ish-i internuar në Tepelenë

Njeriu i ditur, i jep nder vetes, kur e thotë të vërtetën, edhe historiani ynë këtë bëri. Mos u çuditni! Unë që po shkruaj, kam qenë në atë kamp, nga fillimi, kur shkuam nga Berati deri në ‘54-ën. Kur u shkri ai kamp i mallkuar isha njëmbëdhjet vjeç, mbaj mend çdo gjë e ç’do pëllëmbë të atij vendi. Gjynah të qahemi, s’na paska munguar as gjë, më mirë e paskan ditur ata që nuk kanë qenë atje. Njerëz të pa njohur, që flitnin, jo vetëm dialekte por, edhe gjuhë të ndryshme, burra, gra, fëmijë e të vjetër, madje dhe të sëmurë psikik e sakatër, intelektualë e të pa shkollë, i grumbulluan në këto kazerma të mëdha me katër radhe krevatesh, na vendosën partizançe, si lopët në stallat, flinin radhë familje pas familje, në ato krevate pa shkëputje.

Ky ishte “kampi pushimit” të Tepelenës, ku këta njerëz, duhet të mësoheshin të bashkëjetonin me njëri tjetrin, nëe mungesë të lirisë dhe me rregullat e ashpra të burgut, por, ky, nuk ishte një burg sido ku do, jo, jo, ky ishte burg familjar, aty kishte njerëz nga një vjeç deri në ndoshta nëntëdhjetë vjet. I rrethuar me tela me gjemba, ruheshin me roje të armatosur. Kjo do ishte jeta e këtyre njerëzve të quajtur fajtorë edhe se asgjë, nuk kishin bërë, e të padënuar me ndonjë vendim gjyqësor.
Puna e parë që do bënin këta njerëz, ishte: të grumbullonin predhat që avionët e pushtuesve tanë- për të mos vrarë njerëz të pa fajshëm, nuk i kishin hedhur predhat në qytet, por në pyllin e Bençës.

Ne, burra e gra, fëmijë e të vjetër, na vunë t’i grumbullojmë, u bënë aq stiva, sa ai vend dukej si fushë drush, shumë, sidomos fëmijë, u vranë nga ato të mallkuar. E ç’faj kishin pushtuesit, se vriteshim ne, ai ruajti qytetarët e Tepelenës, ne na vunë që të vriteshim, nuk ka arsye tjetër; duheshin njerëz të specializur për atë punë, jo ne. Edhe fusha brenda rrethimit, ishte e minuar, shteti ynë, nuk e kishin çminosur para se të na grumbullonin ne aty; ato të mallkuara shpërthenin poshtë këmbëve tona, herë pas here, secila prej tyre, merrte një ose më shumë jetë njerëzish, si të qëllonin, kjo ishte: njerëzit të vriten, e fajtor mos kishte.

Eh, ç’janë kujtimet e vegjëlisë, ato nuk shlyhen kurrë nga kujtesa jonë, ato janë si themeli i shtëpisë që, edhe nëse shtëpia shembet, themelet janë të gatshëm të ngrihen mure tjera, dhe vuajtjet e këtyre njerëzve, veçse përsëriteshin nga koha në kohë, gjithnjë më të vështira por, Tepelenën, nuk mund ta harrojmë.  Pasi mbaroi kjo punë e mallkuar, që u pagua me jetë njerëzish, nënat tona, duhet të bënin dy rrugë të ngarkuara me dru, nga mali i Luzatit, të furnizonin: mencat, furrat dhe zyrat e qytetit, edhe të kampit- këtu ne, na kishin çu për të bërë “qejf” për të ngrënë, na jepnin vetëm 400 gram bukë misri thatë deri në pesëdhjetën. 

Por, kishte edhe më keq; në 1950, një ditë, nuk i çuan në punë, na nxorën në fushë që në mëngjes, nuk dini çfar prisnim, afër drekës, erdhën ca makina me të internuar tjerë nga Cerriku, ata i rreshtuan veç nesh. Pastaj, thirrën të gjithë të ata që ishin në moshë pune, nga kampi ynë, i hipën në makinat që prunë tjerët. Dita e ndarjes ka qenë dita më e zezë; nënat qanin se, po linin fëmijët në mëshirë të fatit, fëmijët ulërinin, kur prindërit i hipnin në makinat, ishte tamam si kur ndanin shqerrat nga delet, po, me një ndryshim, se për shqerrat kujdesej e i kulloste bariu, kurse për ne fëmijët, pleq e të sëmurët, nuk kishte më kush të kujdesej. 

Ne fëmijët, e hanim atë pak bukë që në mbrëmje, pritnim kur të merrnin racionin mbrëmjen tjetër, të hanim, se nuk kishte prind të na e raciononte. Por, bujaria e shtetit, nuk mbaronte, kishte punë edhe për ne të vegjlit, kur vinim nga shkolla, na vinin të pastrojmë gurët, kur plugohej ekonomia ndihmëse e repartit. Ishte punë e rëndë për ne, ti nxirrnim nga dheu dhe, t’i largonim me tezgë nga ara, ne ishim edhe të pa ngrënë, dhe nëse nuk kënaqej polici që na ruante, na dënonin: me birucë, ose, na priste racionin e bukës. Sot duket e pa besueshme, por jemi shumë që akoma jetojmë dhe i mbajmë mend këto mizori të atij kampi “dëfrimi” si thotë historiani i “nderuar” shoku Xhufi.

Kur ishim në Turan, ishin varret e italianëve shumë të rregullt, kurse në kampin e Beçës, ata që u vranë nga predhat ose nga minat, që ishin të mbuluar në fushën para kazermave, nga sëmundjet apo pleqëria, të cilët varroseshin, xhelati, mëkëmbësi i komandantit të madh,: toger Hakiu, çdo pranverë, i plugonte. Pra, ne shqiptarët, nuk duhet të kishim as varre. Ç’rëndësi kishte për ne, se ishin me tulla kazermat, ne ankoheshim për trajtimin, jo për muret. Në fund, të vdekurit, i varrosën te ura Bençës, atje i lamë, kur na larguan nga ky kampi i “qejfit” por, më vonë, edhe këta, i kishin prishur, dhe e dini pse? Siç më tregonte një plak vendali, në 2010/tën, kur kthehesha nga Greqia, shkova ti shikoja varret e moshatarëve të mi- plaku kulloste delet aty- ai më pyeti ça po kërkoja; i thash se këtu ka pas ca varre- ai më tha:- Po si mund rrinin ato varre aty more djalë? -Pse? -i thash unë. Se ata varre ishin dëshmi për egzistencën e atij burgu. Kur po shkonte, Enveri ynë i “dashur” në Gjirokastër, kishte pyetur: - ç’janë këto varre këtu mo? Janë të atyre të kampit- i kishin thënë.

-Bah!- kishte bërë. Po, përse nuk i kanë prishur akoma? Kur të kthenemi nga Gjirokastra, nuk dua ti shëkonj më, më kupton apo jo? I plugoni, që mos u duket nam as nishan. Armiqtë tanë, edhe në varr o t’i ndjekë ndëshkimi ynë! – kishte thënë. Dhe brenda asaj dite, i pluguan- tha plaku Këta ishin sundimtarët e pa dinjitet, që hakmerreshin ndaj të pa mbrojturve, të pa fajshmëve - me motivin se këta, ishin fajtor vetëm se ishin, fëmijë, nipa, stërnipa, apo kushërinj të “armiqve”. dmth, këta ishin të dënuar bedela. Vetëm në Shqipërinë “demokratike” socialiste apo Shqipërinë lule, kishte tillë. Por ne nuk e paskemi ditur sa rehat paskemi qenë, paska tjerë, që nuk kanë qenë në atë kamp, që e ditkan më mirë nga ne. 

Po, si intelektual Pëllumi, të mbyllë sytë për disa minuta, ta imagjinoj veten të ishte moshën tonë, në atë në atë kamp “rehatllëku”, me nënë motër e tjerë, të vuante si ne, vetëm se është: djali, nipi, kushëriri apo dhëndër atje ku është, dhe të jetonte në ato kushte që ishim ne, si do mund të fliste sot vallë?
Pëllumi është një nga historianët më të mirë, në mbrojtje të së vërtetës kriminale, të asaj kohe. Si historian, e ka për detyrë, në fund të fundit, të lehtësojë barrën e të parëve të tij.
Kaq për sot...

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja