Rrëfimi i Valdetes: E pamë
Gjergj Elez Alinë, pa Agronin

Rrëfimi i Valdetes: E pamë <br />Gjergj Elez Alinë, pa Agronin
TIRANE- Premiera e së shtunës në TKOB, e baletit "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë", e gjeti koreografin Agron Aliaj, (ne foto) në spitalin "Hygeia", ndërsa merrte frymë ende me vështirësi përmes aparaturave… Familja e tij, bashkëshortja Valdete, djali dhe vajza e tij e ndoqën plot emocione e me sytë lot këtë premierë.

Përjetimet e vështira, dhe gjendjen ende të rëndë shëndetësore të maestros, valdetja na e rrëfen sot, ndërsa kujton se ende vërtitet, krejt pa sukses dhe e dëshpëruar, sa te njëra ministri tek tjetra, për të kërkuar një takim e për të folur mbi ato pak shpenzime që shteti shqiptar premtoi se do të merrte përsipër për kurimin e maestros, premtime që duket kanë mbetur në harresë.


Znj. Valdete ju e ndoqët premierën e baletit "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë" së bashku me dy fëmijët tuaj. Ju ishit në sallë, ndërsa maestro në spital, duke luftuar për jetën... Si e përjetuat atë premierë pa Agronin?
Morëm ftesë për ta parë premierën e baletit "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë dhe shkuam bashkë me dy fëmijët e mi. E ndoqëm me kënaqësi dhe një emocion të jashtëzakonshëm. Atë ditë që ndodhi aksidenti, unë e prisja Agronin të vinte nga provat. Ai i kishte llogaritur të gjitha. Me datën 20 do të jepej shfaqja. Kishte lënë thuajse gjithçka gati.
Përshtypja e premierës ishte e fortë. U prit shumë mirë dhe ndjeva ngrohtësi. Të them të drejtën dridhesha e tëra edhe unë edhe fëmijët. Shfaqja na pëlqeu shumë. Më vjen mirë që ata balerinët, që Agroni i ka dashur dhe i do shumë, kishin punuar me impenjim. Megjithatë ndjeva se mungonte ajo përkujdesja e Agronit, ajo e dora e fundit që i jep ai veprave, dora agroniane si të thuash. Kjo i mungonte, por ishte mjaft mirë edhe pa këtë element.

Si i përjetoi këto ditë pas aksidentit, përgatitjet e premierës?
Agroni i do shumë balerinët. Është për t'u çuditur, por natën e dytë pas aksidentit, (mjekët më kishin shpjeguar për traumën e vështirë psikologjike që përjetohet), por në këtë gjendje ai fliste vazhdimisht dhe thoshte "...tre balete me një personazh...". Infermieret që ishin aty u habitën të gjitha. Më thanë: "Nuk kemi parë një të aksidentuar të traumatizuar në këtë shkallë e të flasë ende për balet. Pastaj thoshte "...erdhi Gjergj Elez Alia, erdhi...". Natyrisht unë u traumatizova. Më kanë mbetur në mendje ato fjalë që i përsëriste vazhdimisht. Në shqetësimin më të madh psikologjik që kishte ai përmendte baletin.
Pastaj më vonë, një ditë kur nuk kishte më shqetësime aq të mëdha më tha: "Valdet, e pe atë djalin që erdhi e më vizitoi???"
Ishte një djalë i gjatë, i bukur. Më tha: "Ai është balerini më i talentuar në Shqipëri, ai është e ardhmja e baletit tonë. Sot është 17 vjeç por shpejt do të jetë në kulmet e karrierës..."
E kërkova me sy atë natë, gjatë premierës, por ai nuk interpretonte atë natë. Shfaqja e tij është sonte (mbrëmë). Por kur dola natën e premierës në pushimin midis pjesëve, ai erdhi më përqafoi e më puthi dorën. Mu kujtuan fjalët e Agronit për të.
Pjesën tjetër të trupës nuk munda të shkoi e ti uroj pas premierës edhe pse e dëshiroja këtë gjë. Por e dija që do të më pyesnin për Agronin e nuk doja t'i mërzisja...(qan)..

A i treguat maestros për premierën dhe emocionet e asaj nate?
Vajta e vizitova të nesërmen pas premierës, të dielën në mëngjes. I tregova për emocione te shfaqjes i thashë që kishte dalë bukur dhe balerinët kishin punuar shumë. Nuk foli. Tha vetëm një "po po..." Por ndjeu kënaqësi. E dalloja. Megjithatë s'mund t'i flisja gjatë. Mjeku na thotë shpesh që të mos ia kujtojmë shumë emocionet e skenës e të Tetarit pasi preket shumë. Një ditë kishte qarë pasi kishte takuar Zhani Cikon.
Mjeku na e tregoi këtë. Na tha: "Ju mendoni se ai nuk e mban mendjen atje, por e shoh që mendon vetëm për baletin. Kur i thashë që shfaqja kishte dalë shumë bukur, ai ktheu kokën mënjanë dhe sytë iu mbushën me lot".

E shqetëson fakti që s'mundi ta mbyllte premierën?
Ai në fakt e suporton me vështirësi faktin që u shfaq premiera dhe ai s'mundi të jetë aty...

Si është tani gjendja e tij shëndetësore?
E vështirë ende. Vijon të marrë frymë përmes ndihmës së një aparati të veçantë për frymëmarrjen. Po rikuperohet po ngadalë. Operacioni erdhi vërtet vonë. Mjeku grek që e operoi na shpjegoi se ndërhyrja kirurgjikale duhej të ishte bërë menjëherë pas aksidentit, më së voni deri dy ditë pas aksidentit. Vonesat e shumta i shkaktuan shumë dhimbje, shpesh kishte kriza të forta sa na thoshte "Më mirë më mbysni!!!". Të paktën tani nuk ka dhimbje. Është i qetë dhe shpresoj se do ta kalojmë edhe këtë gjendje.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza