Rreth 20 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb kanë paraqitur në mënyrë kolektive kërkesat për ta braktisur FSK-në. Që të gjithë, janë nga rajoni i Gjilanit. Ata nuk e pëlqejnë të flasin për mediat, disa thonë se vendimin e kanë marrë për arsye personale, e të tjerë thonë se këtë e kanë bërë “për Serbinë”.
Njëri prej tyre, që për arsye personale insistoi që të flasë në kushte anonimiteti, tha se bëhet fjalë për një vendim kolektiv të pjesëtarëve serbë të FSK-së nga kjo anë që ta braktisin këtë forcë, andaj, sipas tij, edhe ai nuk ka mundur të vendosë ndryshe.
“Të gjithë e braktisën, m'u desh edhe mua që ta bëj këtë. Në kufi, nuk na lejojnë që të kalojmë në Serbi, kështu që u desh ta bëjmë këtë”, tha ky pjesëtar serb që sapo kishte vendosur ta braktisë FSK-në.
Ai tha se me vite ishte pjesëtar i FSK-së dhe se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem dhe se rregullisht ka pranuar pagën, kurse tash thotë se nuk e di as vetë se si do t’ia bëjë që të fitojë para për të jetuar.
“Vërtet, nuk e di se si do të bëhet tash. Nuk kemi ku tjetër që të punojmë, nuk kemi zgjidhje. Nuk ishte dëshira jonë që ta braktisim. Nuk kemi pasur kurrfarë probleme. Na është dashur ta braktisim, por kemi familje”, tha ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë. FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të së cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. FSK-ja numëron më shumë se 2000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 u përkasin komuniteteve pakicë, kurse 100 janë nga komuniteti serb.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar duke i cilësuar presionet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si të pakuptimta dhe krim ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Ky presion është i pakuptimtë, është i dalë kohe sepse këto metoda kanë ndodhur diku para dhjetë vjetësh dhe jemi të habitur nga kjo qasje. Është shumë e padrejtë, sepse dikush po ushtron krim ndaj këtyre qytetarëve të Kosovës, nga këtyre të rinjve dhe të rejave, ndaj familjeve të tyre”, ka deklaruar Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
“Është kundër konventave, është kundër të drejtave të njeriut, është kundër sigurisë së këtyre qytetarëve, e ne si Kosovë kemi vepruar me kohë, kemi ndërmarrë veprime, si në planin e jashtëm ashtu dhe të brendshëm që të sqarohet ky veprim i papranueshëm”, tha Haradinaj.
Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura. Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve./rel