Nikolla Velçoja nuk do ta harrojë kurrë fundjavën e tretë të dhjetorit 1981. Ishte 26 vjeç, i diplomuar disa muaj më parë në Institutin e Lartë të Arteve si violonçelist, dhe të dielën e 20 dhjetorit, do të bëhej dhëndër. Martohej me një bashkëqytetare, nga një familje shumë e mirë, me të cilën ishin lidhur që kur ajo ishte adoleshente. I gjatë e simpatik, me një portret mjaft të qetë, Nikoja, siç thirrej prej shokëve, duhet të kishte qenë në ëndrrat e plot vajzave durrsake, pse jo edhe tiranase, sidomos pas një ngjarjeje, që vuri familjen Velço në qendër të vëmendjes në Durrës, qytetin ku ata banonin. Vajza e vogël e familjes, Marjeta Velço, ende pa mbushur 15 vjeç, ishte bërë nusja e Bashkim Shehut, pinjollit të fundit të kryeministrit të asokohshëm të Shqipërisë, njeriut që konsiderohej si pasardhësi i natyrshëm i diktatorit Enver Hoxha.
“Ju keni një çadër të madhe që ju mbron. Këto qenë fjalët e para që Aishja na tha, duke parë me sy nga qielli. Më pas me zë të ulët shtoi: Këta që e gatuan gjithë këtë histori e kanë një fund. Këta do të shemben”! Kjo qe profecia e Aishes, që u ktheu besimin dy të rinjve që kishin lidhur jetën dhe hallet në të njëjtën dashuri të madhe.
“U kapëm pas atyre fjalëve, duke kërkuar dritë në fund të tunelit”, – thotë Nikolla, që dëshmon se ka qenë përsëri në shtëpinë e së motrës në vitin 1996, disa muaj para se Aishja të vdiste nga një sëmundje e rëndë. “Nuk e mbante mend rastin tonë, (plot njerëz me pushtet apo krejt të zakonshëm kishin shkuar tek ajo), por pak a shumë ruante në kujtesë situatën e asaj kohe, kur kishin kaluar gati 15 vjet”.
Jeta e Anulës dhe Nikollës ka marrë një kuptim tjetër në vitet 1984 dhe 1985, kur njeri pas tjetrit mbërritën Aleni dhe Arminda, djali dhe vajza, që rikthyen përsëri buzëqeshjen në shtëpinë e Velçove në Durrës. “Kthehesha nga puna dhe fëmijët në gjoks më jepnin një lumturi të pa treguar -tregon Nikolla. – Bashkë me Anulën, po mësoheshim me atë që bënim përditë.
Herë pas here shkonim të shikonim Marjetën, e cila brenda pak vitesh ndërroi disa vende internimi: Belsh, Shijak, Kryevidh, Cërrik, për t’u rikthyer në Durrës vetëm në vitin 1989. Kur Ertgreni, djali i motrës, u bë 7 vjeç, Niko u përpoq ta regjistrojë në Shkollën e Muzikës në Durrës, por kjo u bë shkak që Marjetën ta dërgonin në Cërrik, atje ku edhe fëmija trajtohej si armik”.
Vitet kalonin dhe Nikoja tashmë e kishte harruar formimin e tij profesional, e aq më tepër violonçelin, instrumentin ku kishte mbërritur rastësisht në vitin e largët 1963. Ishte në klasën e dytë fillore në shkollën “Maliq Muço” të Durrësit, kur një mësuese e re, Vitori Zaho, filloi me të mësimet e para të violonçelit jashtë mësimit.
Kur mbaroi ciklin 8-vjeçar, Nikolla Velço kishte vendosur t’i kushtohej gjimnazit, por një tjetër mësuese, mjaft serioze këtë herë, Lida Radoja, e riktheu te violonçeli. Edhe më shumë: e ndërgjegjësoi për rrugën artistike. Bashkë me të, edhe një shok i përhershëm e i pandryshuar në vite, Mon Kuriçi, i lidhën fantazitë e të ardhmes me muzikën.
Nikolla Velço mbërrin në Institutin e Arteve, pas konkurrimit, me një vit vonesë, e një vit tjetër e humbet për një motiv absurd. Shkak u bë regjistrimi në një magnetofon i disa këngëve nga Eurosong-u i vitit 1976. “Shiritat filluam t’i dëgjonim në Institut në grupe të vogla, deri sa na thirrën fillimisht në dekanat dhe më pas në … hetuesi.
Një muaj radhazi Nikolla, i cili kishte regjistruar këngët e shkëputura nga radiot e huaja, duhet të tregonte se kush ia kishte dhënë aparatin regjistrues, ku i kishte gjetur shiritat, cilët ishin dëgjuesit e “këngëve të ndaluara” e mbi të gjitha çfarë thoshin profesorët për të gjithë këtë…?!
“Lefter Zhulla dhe Nikoja u përjashtuan nga Instituti”, – kujton Moni, i cili ishte pjesë e grupit që kishte “mëkatuar” duke dëgjuar “helmin e huaj”! Bashkë me Monin, edhe Nikoja kujton pedagogët e violonçelit në shkollën e lartë: Gjergj Antoniun, përherë i heshtur e i trishtuar; si dhe bashkëshortët Ymer dhe Ludmilla Skënderi, apo “zonja”, siç e quanin studentët.
Të gjitha këto kujtime për Nikollën po zinin koren e harresës, dhe përpjekjet për mbijetesë ia kishin zënë vendin me kohë muzikës dhe artit. Një pjesë e parashikimit të fallxhores Aishe, do të realizohej 10 vjet pas ngjarjes që shkaktoi “tërmetin” në familjen Velço, dy ditë para një dasme të parealizuar, mungesa e së cilës i bashkoi edhe më shumë dy protagonistët e saj: Nikolla Velçon dhe Anula Afezollin. Në vitin 1992, me shpresën e rikthyer, ata do të ndesheshin me absurdet e tranzicionit.
“Nga N.I. ‘Goma’, më dërguan të punoj në Shijak, si masovik në Pallatin e Kulturës, por ky nuk ishte profesioni im” -shprehet Nikolla për ditët e para të tij jashtë kafazit, ku e vunë për vite me radhë. “Kur dirigjenti Vullnet Sabahu, së bashku me një koleg gjerman, mblodhën orkestrën e qytetit, mora edhe një herë në dorë violonçelin. Nuk mund t’ua shpjegoj përjetimin, ashtu si edhe kur pas një turneu me veprat e Vivaldit në Italinë jugore, më thanë se violonçeli duhet të kthehej në Shqipëri”.
Nikolla Velço, përkundrazi, menjëherë pas turneut, që e ndau nga edhe një herë nga instrumenti i tij, po nisej për të kërkuar fatin e ri: këtë herë në Gjermani. Familja mbërriti më vonë dhe befasia ishte violonçeli: “Anula e kishte blerë instrumentin tim, që kishte qenë në pronësi të Pallatit të Kulturës”-tregon Niko. Në vitin 1994, familja e Nikolla Velços transferohet në Francë. Fillimisht në Lë Mans, e më pas në Nicë dhe në rrethinat.
Aftësitë e Anulës, gjuhët e huaja, puna e përkushtuar, e fëmijët e mbarë, i bënë Velçot të ndjehen mirë në bregdetin francez. Madje, pak kohë më parë, ata kanë marrë një vendim të rëndësishëm: së bashku me djalin, Alenin, menaxhojnë një dyqan suveniresh në Principatën e Monakos. Kjo është arsyeja, që Niko ato ditë gushti, kishte ardhur vetëm në Durrës. Anula dhe fëmijët nuk e prisnin të kthehej si herët e tjera, por krejt ndryshe.
“Florian Vlashi, i cili vjen shpesh në apartamentin e vet në Nicë, në një nga mbrëmjet e përbashkëta më pyeti për violonçelin që qëndronte në qoshe të dhomës”, tregonte Niko. – “Kam frikë ta prek”, – ka qenë përgjigja e tij, që njihej me Florianin, që kur ai ende fëmijë frekuentonte shkollën e Muzikës në Durrës. “Përse duhet të kesh frikë.
Mjafton t’i hapësh një nga një ‘sirtarët’ dhe çdo gjë do të vijë natyrshëm”, – kishte këmbëngulur Floriani në atë mbrëmje miqsh, në verën e disa viteve më parë. Kaq u desh dhe disa ditë më vonë Anula dhe vajza, Arminda, kanë sjellë në shtëpi një dhuratë të veçantë: disqet me Gjashtë Suitat e Bahut, nën interpretimin e violonçelistit Jean Queras, një nga më të mirët në Francë. –
“Mbaj mend se më 28 nëntor të 2011-tës, me këmbënguljen e Anulës e mora edhe një herë në dorë violonçelin e harruar në qoshe të dhomës”, – kujtonte Nikoja. Kishin kaluar gati 31 vjet nga martesa e tyre. Nikolla tregonte se kishte rifilluar si të ishte nxënës në klasën e parë; “Kisha harruar edhe solfezhin, që e kisha ruajtur në kokë për disa dekada”.
Por tani gjithçka ishte pa kthim. Florian Vlashi i kishte propozuar të luante në orkestër në edicionin e Bienales 2013. Sfida ishte e madhe. Dhimbjet që ndiente kur ushtronte “vibratot” në tastierën e violonçelit, e kanë detyruar Nikon të shkojë te mjeku. “Artrozë në gishtat e dorës”, – ishte diagnoza e specialistit, i cili e kishte inkurajuar violonçelistin rishtar: “vazhdoji ushtrimet, pasi janë terapia më e mirë e mundshme”!…
Tre ditë më parë, Nikolla Velço ishte ulur në pultin e violonçelave të orkestrës “Aleksandër Moisiu”, bashkë me mësuesen e tij Lida Radoja dhe shokun e tij të ngushtë, Moni Kuriçi. Askush në sallë nuk e dinte, se çfarë ndodhte në shpirtin e instrumentistit Nikolla Velço, që po rikthehej para publikut të Durrësit, pas tre dekadave.
Përballë tij mbi lexhio partiturat e Vivaldit dhe brenda tij përgjegjësia e madhe dhe emocioni i një fillestari me shkollë të lartë. “Po më merrej fryma dhe nuk dija nëse do t’ia arrija”.
Këto ishin fjalët me të cilat Nikolla Velço, bashkënxënës i imi në shkollë dhe shok pune në N.I. Goma, violonçelist i diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë vitin 1981, më shpjegoi gjendjen e tij në Koncertin e Katedrales “Shën Luçia” të Durrësit.
Në vendin e shenjtë profecitë e fallxhores u bënë përfundimisht realitet. Nikolla Velço iu rikthye violonçelit, instrumentit me të cilin tani bashkëbisedon çdo ditë nga 2-3 orë në shtëpinë e tij, në kodrat pranë Nicës. Duke e kthyer kokën pas, gjithnjë e më pak!/Memorie.al
Komente









