Procedura për referendumet është duke marrë formë të paktën në Komisionin Rregullator të KQZ.
Rregullatori ka miratuar projektvendimin që përcakton rregullat dhe procedurat për mbledhjen, administrimin dhe verifikimin e nënshkrimeve për zhvillimin e referendumeve në Shqipëri. Vendimi synon të unifikojë procedurat për grupet nismëtare dhe administrimin e procesit nga KQZ-ja.
Sipas projektvendimit, një nismë për referendum mund të nisë vetëm pasi KQZ të regjistrojë grupin nismëtar, i cili duhet të përbëhet nga të paktën 12 persona me të drejtë vote.
Nënshkrimet mund të mblidhen nga anëtarët e grupit ose persona të autorizuar prej tyre, ndërsa ndalohet çdo formë presioni, premtimi për përfitime apo ndikimi i padrejtë ndaj qytetarëve për të firmosur. Çdo zgjedhës mund të mbështesë vetëm një herë të njëjtën nismë referendare.
Projektvendimi parashikon që nënshkrimet të mblidhen vetëm në formularët tip të miratuar nga KQZ, ku do të regjistrohen të dhënat identifikuese të mbështetësve dhe nënshkrimi i tyre. Firmat mund të mblidhen në mjedise publike ose private të identifikuara qartë dhe të aksesueshme për qytetarët.
Nëse deri më tani KQZ bënte verifikimin e nënshkrimeve, tanimë rregullatori tha se nuk ka asnjë bazë ligjore të lëshuar nga to për këtë verifikim.
Projektvendimi përcakton gjithashtu rastet kur një nënshkrim konsiderohet i pavlefshëm, si mungesa e të dhënave të kërkuara, firmosja e dyfishtë për të njëjtën nismë, nënshkrimet nga persona pa të drejtë vote ose ato të mbledhura në kundërshtim me procedurat ligjore.
Referendumet janë një e drejtë kushtetuese, e përcaktuar në nenin 150 të Kushtetutës së Shqipërisë, që parashikon se 50 mijë qytetarë, ose 28 deputetë mund të thërrasin qytetarët në votim të drejtpërdrejtë, por rruga drejt tyre duket e gjatë për shkak të vakuumit ligjor.
Kodi Zgjedhor aktual nuk ka asnjë parashikim për mënyrën se si zhvillohen referendumet. Në të, ka vetëm një dispozitë kalimtare që thotë se parashikimet në kodin e vjetër zgjedhor do të qëndrojnë në fuqi derisa të miratohet një ligj për zhvillimin e referendumit.
Sipas atyre parashikimeve, referendumet mund të zhvillohen vetëm në një ditë gjatë vitit dhe nuk mund të mbahen gjatë periudhave 6 muaj para zgjedhjeve dhe deri në 3 muaj pas tyre. Qeveria tanimë ka gati një projektligj por që nuk ka nisur duke u diskutuar ende zyrtarisht.
Komente






