Rregullorja e re e GJKKO-së nuk prek vetëm mediat. Kufizimi për përdorimin e telefonit celular gjatë seancave gjyqësore shtrihet edhe ndaj avokatëve. Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia dorëzoi sot një kërkesë në GJKKO, përmes së cilës kërkon rishikimin e depozitave që prekin komunitetin e avokatëve. Haxhia paralajmëron se nëse nuk do të ketë reflektim nga drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani, do të mblidhet Komiteti Drejtues për të vendosur hapat e mëtejshëm që do ndjekin, duke paralajmëruar deri në bojkot të seancave.
Haxhia, si edhe kreu i Dhomës së Avokatisë Tiranë, Klodian Skënderi e quajtën ndalimin e telefonit në gjyq si një masë që bie ndesh me ushtrimin e profesionit të avokatit.
“Kufizon haptas të drejtën e mbrojtjes, për të ushtruar profesionin e avokatit, të paktën prisnim konsultim me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Rregullorja në 3 nene kufizon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit, jo në aspektin për të folur, por për të punuar. Gjë që bie ndesh me stadin e jetës së të gjithë shoqërive në mbarë botën. Celulari është një studio lëvizëse e jona, e kemi mjet pune. Për të qenë korrekt ne kemi bërë sot një kërkesë për rishikim. E kemi dorëzuar sot se ishim me shpresën që nuk do vihej në zbatim. Ne po presim një reagim këto ditë në përgjigje kërkesës për titullarin dhe pastaj do mblidhet komiteti drejtues për të përcaktuar qëndrimet e mëtejshme”, tha Maks Haxhia.
“Kjo masë është ekstreme, nuk gjemë logjikë apo arsye përse duhet të vendoset ky kufizim. Telefoni është mjet pune për në avokatët. Zhvillohen seanca 6 orëshe, avokati ka nevojë të kom qoftë edhe me familjarët. Kufizim që bie ndesh me të drejtë për të ushtruar profesionin”, tha Klodian Skënderi.
Nëse GJKKO nuk tërhiqet nga kufizimet, avokatët nuk përjashtojnë reagim më të ashpër. Haxhia shprehet se anëtarët e Këshillit kanë propozuar edhe bojkotimin e seancave, por fillimisht do të kërkohet dialog me institucionet. Më pas, ai thotë se bashkë me median do të shohin edhe mundësinë e dërgimit të kësaj rregulloreje në Gjykatë.
“Qëndrimi ynë është i unifikuar me qëndrimin e medias. Është shkelur haptazi parimi i seancave që janë publike. Injorim i hapur që i bëhet këtij profesioni, ne s’do ta lejojmë, shohim keqtrajtim, mos marrje në konsideratë, mungesë respekti ndaj profesionit të avokati.
Unë jam avokat, anëtar i Dhomës, jam edhe titullar i këtij komuniteti. Pa ikur me leje, të gjithë anëtarët e këshillit ishin të revoltuar dhe reaguan për një bojkot pa kompromis. Ne do të ndjekim disa rrugë, në radhë të parë jemi profesionistë që duhet të vendosim ura komunikim mes institucioneve. Kemi bërë kërkesë takimi për GJKKO për ti transmetuar problematikat dhe pastaj do ti çojmë edhe te komisioni i Nismës Qytetare. Duke u bashkuar edhe me median, ta çojmë edhe në gjykatë”, tha Haxhia.
Rregullorja e re e GJKKO-së hyri në fuqi më 1 shtator, pavarësisht kundërshtimeve të ngritura nga mediat dhe avokatët.


Kërkesa e Dhomës së Avokatisë për rishikimin e rregullores së GJKKO-së










Komente
Komento