Bojkoti i masave të sigurisë nga avokatët mund të sjellë pasoja direkte në seancat e GJKKO-së, pasi sipas avokatit Ledio Braho, një seancë për caktimin e masës nuk mund të zhvillohet pa praninë e mbrojtësit dhe mungesa e tij e bën atë të pavlefshme.

Avokatët kanë nisur bojkotin e seancave për masat e sigurisë në Gjykatën e Posaçme, në kundërshtim me rregulloren e GJKKO-së që ka hyrë në fuqi më 1 shtator.

I ftuar në emisionin “Sot Live” në Report TV, Braho shpjegoi se çfarë ndodh në rast se SPAK lëshon një urdhër arresti ndaj një zyrtari, ndërsa avokati nuk paraqitet në seancën ku duhet të caktohet masa e sigurisë.

“Bëhet fjalë vetëm për GJKKO-në e shkallës së parë, sepse vetëm kjo gjykatë ka miratuar atë rregullore të gushtit që hyri në fuqi më 1 shtator, ku ndryshohen rregullat për ushtrimin e profesionit nga avokatët dhe gazetarët. Avokatët janë të organizuar sipas ligjit për ushtrimin e avokatit. Normalisht personi ndaj të cilit duhet caktuar një masë sigurie lirohet, sepse seancat nuk mund të zhvillohen pa praninë e avokatit. Mungesa e avokatit e bën seancën të pavlefshme dhe kërkesa nuk mund të gjykohet në kohë”, tha Braho.

Sipas tij, situata mund të zgjidhet nëse GJKKO pezullon përkohësisht dispozitat për sekuestrimin e celularëve që kundërshtohen nga avokatët dhe palët ulen për konsultime.

“Situata është e zgjidhshme. Ajo që është kërkuar prej nesh është pezullimi i përkohshëm i dispozitave për sekuestrimin e telefonit nga punonjësit e gjykatës para se të nisë seanca dhe të ketë një konsultë që të gjejmë zgjidhjen që edhe gjykata të garantojë sigurinë, edhe avokatit të mos i cenohet e drejta e mbrojtjes. Mjafton një vullnet i mirë nga gjykata”, u shpreh ai.

Braho tha se konsultimi duhej të ishte zhvilluar përpara miratimit të rregullores, ndërsa shtoi se avokatët e kërkojnë prej tre javësh.

“Konsultimi duhej të kishte ndodhur që para miratimit të rregullores. Duke qenë se një konsultim i tillë nuk ndodhi, ne kërkojmë që ky konsultim të ndodhë tani. Kemi tre javë që e kërkojmë dhe reagimi ka qenë negativ dhe është pasuar me gjoba”, tha Braho.

Bojkoti i avokatëve në GJKKO nisi pas hyrjes në fuqi, më 1 shtator, të rregullores së re të gjykatës, e cila vendosi kufizime edhe për përdorimin e telefonave celularë nga mbrojtësit.

Avokatët kundërshtuan rregullat e reja, duke argumentuar se telefoni është mjet pune dhe se kufizimet cenojnë ushtrimin e profesionit.

Pas afro tre javësh bojkot të proceseve gjyqësore, më 23 shtator Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi ta përshkallëzojë atë duke përfshirë edhe seancat për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurisë.

GJKKO nuk është tërhequr nga rregullorja, duke deklaruar se ajo është në fuqi dhe duhet të zbatohet, ndërsa avokatët mund t’i kundërshtojnë dispozitat përmes rrugëve ligjore.