Policia e Spanjës ka arrestuar 40-vjeçarin Adrian Ogiçi, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi ishte dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Hetimet treguan se në qershor 2015, Adrian Ogiçi, në bashkëpunim me Vitor Islamin dhe persona të tjerë të paidentifikuar, kanë rrëmbyer në shëtitoren e Sarandës shtetasin Ridvan Lamaj.

Lamaj u fut me forcë në një automjet, ku dyshohet se më pas u transportua drejt zonës së Xarrës në Konispol. Aty dyshohet të jetë ekzekutuar, pavarësisht se trupi i tij i zhdukur ende pas më shumë se një dekade nuk është gjetur.

Adrian Ogiçi, Vitor Islami dhe Ridvan Lamaj, kanë pasur njohje të mëparshme dhe marrëdhënie shoqërore, ndërmjet tyre. Sipas gjykatës, të pandehurit Ogiçi e Islami, si dhe i dëmtuari Ridvan Lamaj dhe shtetasi A. K. janë përfshirë në trafikun e kanabisit drejt Greqisë.

Ky trafik bëhej duke e transportuar lëndën narkotike, me këmbë, jashtë pikave të kalimit kufitar, ku i pandehuri Adrian Ogiçi, ishte në rolin e financuesit dhe siguruesit të lëndës narkotike.

Ndërsa i pandehuri Vitor Islami, së bashku me shtetasit Ridvan Lamaj dhe A. K. bënin transportimin e saj, në këmbë, të ngarkuar vetë, jashtë pikave të kalimit kufitar, në territorin grek.

--------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë


Lajmi kryesor:

Rrëmbeu para 11 viteve një person për prishje të pazareve të drogës, arrestohet në Spanjë 40-vjeçari nga Saranda (EMRI)