Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm në mungesë pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak Altin Hajri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020. Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për pafajësi, GJKKO e ka gjetur fajtor dhe ka pranuar kërkesën e prokurorëve Elida Kaçkini dhe Behar Dibra për të vendosur dënimin më maksimal që parashikon ligji.
Altin Hajri është shpallur fajtor për veprat penale “Rrëmbimi apo mbajtja peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës", “Grup i strukturuar kriminal", të gjitha të kryera në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi dhe Altin Hajri janë dy nga figurat kyçe të dyshuara për organizimin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Prengës. Pala mbrojtëse ka pretenduar në mënyrë të vazhdueshme se Hajri nuk ka pasur asnjë komunikim me personat e përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës, përveç një bisede me Gentian Funiqin, që sipas mbrojtjes kishte qëllim që t’i kërkohej kopshtarit Festim Bexhdili të tërhiqte akuzat ndaj tij. Por, SPAK gjatë procesit gjyqësor ka depozituar bisedat në SkyECC mes tij dhe Dritan Rexhepit e Gentian Funiqit, të dy të dyshuar se janë përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës.
Gjatë hetimeve janë vërtetuar dyshimet se pronari i kompleksit “Golden”, ku u dërgua trupi i viktimës, ka pasur dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët.
Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Prokuroria ka provuar se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi, i njohur si një emër i botës së krimit, i cili dyshohet se e ka porositur rrëmbimin nga Ekuadori, ku ndodhej në atë kohë.
Apeli i GJKKO-së në vitin 2025 la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdilit, një tjetër i akuzuar në këtë çështje. Bexhdili ishte kopshtari i resortit ku Jan Prenga u mbajt peng dhe u torturua. Ndërsa Olsi Turja kamarieri i lokalit u dënua me 3 vite burg për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Për të njëjtën ngjarje vijon gjykimi në një proces të ndarë për Dritan Rexhepin, Korado Gështenja, Martin Bleta, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta dhe Artan Doçi.
Vendimi i GJKKO-së
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









