TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës nga forcat serbe. Begaj e cilëson këtë një akt të rëndë provokativ, që sipas tij synon vetëm destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit. Në një postim në ‘Facebook’, Begaj i bën thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë efektivët e Kosovës.

“Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme”, shkruan Begaj.

Kreu i shtetit, një thirrje e ka edhe për Kosovën që të mos bie pre e këtyre provokimeve, por të kontriubojë për uljen e tensioneve. Begaj kërkon që përmes ndërmjetësimit të SHBA dhe BE, palët të ulen në tavolinën e diskutimeve.

“Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, shkruan Begaj.

Ky reagim i Begajt vjen një ditë pasi tre efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri. Kosova ka bërë thirrje për t’i liruar menjëherë, por sipas Serbisë ata janë arrestuar pasi janë gjetur duke patrulluar 1.8 km larg kufirit me veriun. Por, Kosova thotë se janë arrestuar brenda territorit të saj.