TIRANË- Kryeministri Edi Rama thotë se do të presë fjalën e KFOR-it për rrëmbimin e 3 policëve kosovarë nga policia serbe, mesditën e sotme (14 qershor). Në reagimin e tij të parë për këtë çështje, kreu i qeverisë shqiptare thotë se kush deklaron se ai po hesht, nuk e bën për Kosovën, por për luftë politike.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë. Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat!” shkruan Rama.

Në lidhje me rrëmbimin e 3 policëve ka reaguar edhe opozita në Shqipëri. Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha e cilëson si një akt të ulët e provokativ të Aleksandër Vuçiçit, për të cilin shton se synon përshkallëzim të tensioneve. Basha thotë se Vuçiç duhet të urdhërojë menjëherë lirimin e policëve të Kosovës dhe se palët duhet të ulën në tavolinën e bisedimeve. Nga ana tjetër Sali Berisha, thotë se arrestimi i efektivëve është një akt terrorist i urdhëruar direkt nga Putini i vogël.

3 policë të Kosovës u arrestuan sot nga forcat serbët, ndërsa policia e Kosovës e cilëson këtë akt si rrëmbim klasik. Për ngjarjen reagoi kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani të cilët kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre, duke e cilësuar aktin agresion të Serbisë me qëllim destabilizimin. Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kurti kërkon me çdo kusht luftë e konflikte.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
Rrëmbimi i tre policëve, Basha: Akt i ulët provokativ, Vuçiç synon përshkallëzim të tensioneve! Të urdhërojë lirimin e tyre

1684669836_1679211917800063a973cbbeaf0.png

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Basha shkruan se ky është një akt i ulët provokativ i Aleksandër Vuçiç i cili synon përshkallëzim të tensioneve. Basha thotë se Vuçiç duhet të urdhërojë menjëherë lirimin e policëve të Kosovës dhe se palët duhet të ulën në tavolinën e bisedimeve.

“Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë është një akt i ulët provokativ që synon destabilizim. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i garantuar nga faktori ndërkombëtar dhe akte të tilla janë thjesht dhe vetëm tentativa për përshkallëzim të tensioneve.

Aleksandër Vuçiç duhet t’i ndalojë menjëherë provokimet dhe të urdhërojë lirimin e punonjësve të Policisë së Kosovës! Kosova dhe Serbia duhet pa humbur kohë të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe së bashku me partnerët tanë SHBA dhe BE të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar dhe për t’i dhënë fund më njohje reciproke mosmarrëveshjeve që po prodhojnë vazhdimisht tensione. Vetëm në këtë mënyrë do të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal dhe të dy vendet do të fokusohen drejt zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve”, tha Basha.

Ora 19:57
Rrëmbimi i tre policëve në veri të Kosovës, Berisha: Akt terrorist i urdhëruar direkt nga Putini i vogël

1686393242_saliberisha.jpeg

Sali Berisha, ka reaguar për arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga policia serbe. Berisha me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se e dënon këtë arrestim të policëve.

'Akt terrorist i urdhëruar direkt nga Putini i vogël. Ky është momenti kur grupi terrorist ushtarak serb rrëmben në territorin e Kosovës, në veri, tre policë shqiptarë që kryenin detyrën. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt terrorist, kriminal të falangave të Vuçiç dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkomëtar të dënojë me forcën me të madhe këtë akt terrorist luftënxitës të Millosheviçit të ri Aleksandër Vuçiç.'- shkruan Berisha.