KOSOVË-  Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 15 qershor se nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur arrestimi i tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë. Deklarat e tyre vjen pas akuzave të kryeminsitrit Albin Kurti

“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe është në kontakt me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, dhe me autoritetet e Serbisë”.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i ka thënë se është në kontakt të ngushtë edhe më misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

“Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë”.

Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi mbrëmjen e sotme lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe.

Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller.në konferencën e përditshme për shtyp.

Ndërkohë në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti raportoi në Kuvendin e Kosovës lidhur me rrëmbimin e tre policëve kufitarë në nga forcat serbe. Kurti i bëri thirrje KFOR-it që të urdhërojë Serbinë që të lirojë 3 policët e rrëmbye. Madje indinjatën për mos reagimin e KFOR tha se ia kishte shprehur edhe ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera me të cilët kishte pasur para se të shkonte në parlament.

‘KFOR të urdhërojë  Serbinë që të kthej policët e rrëmbyer dhe të dënojë këtë shkelje flagrante të integritetit tonë territorial. Dje është shkelur pika 4 e marrëveshjes së Kumanovës. KFOR duhet të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj kësaj. Nëse KFOR  shndërron këtë heshtje në normë, atëherë një gjë të tillë i bie të mohoj një përgjegjësi ndërkombëtare që i është dashur të dënojë publikisht.’- tha Kurti.

Ndërkohë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e kualifikoi rastin si "arrestim" dhe njoftoi se po organizon një takim javën e ardhshme në Bruksel ku do i ftojë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë. Kuvendi i Kosovës zgjati rreth 2 orë ku përpos kryeministrit, folën edhe krerët e grupeve parlamentare të opozitës së Kosovës. 

Në mëngjes u mblodh Këshilli i Sigurisë
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur sërish me rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe. Kosova mblodhi në mëngjes Këshillin e Sigurisë dhe në një deklaratë për mediat, kryeministri Albin Kurti doli me një hartë në dorë ku tregoi zonën se ku ka ndodhur rrëmbimi i tre policëve. Kreu i qeverisë thekson se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës, ndërsa hedh poshtë pretendimet e Beogradit duke thënë se po bën thjesht propagandë pasi policët nuk kishin kaluar kufirin.

"Këtu e kemi një foto të hartës ku mund të shihni se si vendi ku janë rrëmbyer tre policët ndodhet 1 km larg kufirit në thellësi të territorit të Kosovës. Rrëmbimi ka ndodh në këtë vendin që është thellë, është 1 km larg kufirit në njërën anë që i bie të jetë pjesa veri perëndimore, pastaj 670 m larg pjesa veriore, 300 metra në jugperëndim", tha Kurti. 

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e Kurti kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të efektivëve, ndërsa kritika kanë për ndërkombëtarët që nuk kanë dënuar këtë akt të Serbisë, e në veçanti për KFOR-in se përse po hesht për këtë situatë të rëndë në veri, që e quajtën një agresion ndaj shtetit të Kosovës. 

Pati edhe një vizitë të Kurtit në banesat e familjarëve të tre policëve të rrëmbyer. Ai u tha se po bëheshin përpjekje për të marrë informacione mbi gjendjen e tyre. 

Kurti shpjegoi se në hetimet që janë bërë në zonën ku ka ndodhur rrëmbimi, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur gjurmët e forcave serbe, ushqimet që kanë ngrënë ushtarët serbë, si edhe pranga plastike. Në vendngjarje, ministri bëri me dije se gjatë hetimeve kanë qenë edhe forcat e KFOR, të cilës i kishin kërkuar rezultatet e hetimit para se mbahej mbledhja e Këshillit të Sigurisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 

“Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti.

“Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë”, tha Sveçla.

Sipas Kurtit, bëhet fjalë për një aksion me forca të shumta serbe, pasi dy 2 formacione të njësive speciale serbe, ‘Kobra’, janë futur brenda territorit të Kosovës. Për këtë arsye qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

"Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese", u shpreh ai.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë ende asnjë informacion se ku ndodhen policët e rrëmbyer të Kosovës. Të pyetur nga gazetarët se nëse do pranojnë një shkëmbim për tre policët në këmbim të lirimit të të arrestuarit Millun Millenkoviç, pas sulmit ndaj KFOR. Kurti u tregua i prerë dhe tha se në Kosovë sundon ligji dhe nuk mund të bëhen pazare, për tre persona të pafajshëm në këmbim të një personi me rekorde kriminale.

“Ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi. Atë edhe mund ta kërkojnë diçka të tillë, por ju nuk keni nevojë të paraqitni këtë si mundësi sepse jeni qytetarë të republikës sonë. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur?”- tha Kurti.

Në të njëjtën linjë, edhe ministri Sveçla e tha qartë se bandat kriminale në veri nuk janë më të fortë se shteti i Kosovës dhe prandaj do të dalin para drejtësisë. Në fund, Kurti tha se është i përkushtuar në dialogun me Serbinë nëse do të ketë një rinisje, por shtoi se nuk mund të bënte kompromis sa i takon sundimit të ligjit në Kosovë. 

Pas rrëmbimit të tre policëve, qeveria e Kosovës mblodhi me urgjencë mëngjesin e sotëm Këshillin e Sigurisë për të diskutuar për situatën e rendit dhe sigurisë. Në takim ishin kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministri i Brendshme, shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, ministri i Mbrojtjes, e ministrja e Drejtësisë. Për shkak të mungesës së presidentes Vjosa Osmani e cila ndodhet për vizitë zyrtare jashtë vendit, Këshilli i Sigurisë u drejtua nga kryeministri Albin Kurti. 

Tre efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri. Kosova ka bërë thirrje për t’i liruar menjëherë, por sipas Serbisë ata janë arrestuar pasi janë gjetur duke patrulluar 1.8 km larg kufirit me veriun.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:29
KFOR-i reagon për herë të parë: Nuk ishim në zonën ku u arrestuan 3 zyrtarët e policisë

1686130946_kfor.JPG

Pas akuzave të Kryeministrit të vendit, Albin Kurti ndaj KFOR-it për mos reagim ndaj rrëmbimit të tre pjestarëver të policisë së Kosovës, këta të fundit në një komunikatë për media kanë deklaruar se misioni i tyre nuk ishte në zonën kur tre policët e Kosovës janë marrë peng nga autoritetët serbe.

KFOR-i shkroi se ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e Kosovës dhe të autoriteteve serbe.

“KFOR-i gjithashtu është në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për sundimin e ligjit, EULEX-in. Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë për media.

Ata gjithashtu thekusuan po e monitorojnë situatën dhe po vazhdojnë të zbatojnë mandatin e tyre, të dalë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Ora 20:53
Deklaroi se fëmijët e mitur të Kosovës janë gati të vdesin, deputetja serbe: Vuçiçit duhet t’i bëhet kontroll psikiatrik

1686855221_602316sandaraskovic02kf.jpg

Deputetja serbe, Rashkoviç Iviç ka bërë një deklaratë të pazakontë për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ajo u shpreh se presidentit serb duhet t’i bëhet një kontroll psikiatrik. Duke komentuar deklaratën e Vuçiçit se fëmijët serbë të moshës 12 dhe 13 vjeçare në Kosovë janë të gatshëm të vdesin ‘sepse janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti’, Iviç tha se kjo është deklaratë e çmendur dhe e papërgjegjshme.

“Ka shumë kohë që nuk kam dëgjuar diçka kaq të çmendur, të pashpirt dhe të papërgjegjshme. Të thuash se fëmijët 12 dhe 13 vjeç duan të vdesin është tipike vetëm për shtetet islamike ku mbretëron xhihadi. Kështu ishte edhe në vitin 1945 në Gjermaninë naziste, kur Hitleri nuk kishte më askënd që të mobilizonte për luftë”, tha Rashkoviq Iviç.

“Nuk mund të jepet vlerësime për gjendjen mendore të asnjë personi pa një ekzaminim paraprak. Sigurisht që është një deklaratë e çmendur dhe e papërgjegjshme dhe ata që bëjnë deklarata të çmendura dihet se do të trajtohen më tej”, shpjegoi deputetja.

Vuçiç tha sot se situata në Kosovë është “tmerrësisht e rëndë dhe se fëmijët e moshës 12 dhe 13 vjeç janë gati të vdesin, sepse të gjithë janë të ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”.

Ora 20:33
SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës

 

Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi sot lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të burgosur nga forcat serbe.

Deklarata u bë nga  zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp i cili kërkoi nga Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet.

"Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

Ai shtoi më tej

"Të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja. Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë", tha zoti Miller.

Më tej ai shtoi se SHBA dënon "dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon."

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse SHBA po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje por se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje.

“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”.

 
Ora 20:06
Kurti: KFOR kishte mandatin për të parandaluar rrëmbimin e 3 policëve nga serbët

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se KFOR-i do të duhej të ndërhynte ndaj rrëmbimit të policëve në Leposaviç nga forcat serbe, pasi siç tha ai, kjo ishte përgjegjësi e këtij institucioni.

“Ne ende jemi në pritje të KFOR-it të marrjes së përgjegjësisë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë t’i kthejë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, të sovranitetit por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës. Dje është shkelur pika 4, e datës 9 qershor, 1999. KFOR-i pra nuk do të duhej të ishte i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues që kishte edhe mandat të parandalonte. Nëse e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur që dihet me ligj, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, e do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha Kurti.

 

Ora 20:02
Lajçak: Jemi mosbesues ndaj Kosovës e Serbisë për rrugën drejt normalizimit të raporteve

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten se palët nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“Të dyja palët na thonë: le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ‘ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka’, hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”.

Duke folur në kuadër të “Forumit të Prespës për Dialog”, të mbajtur në Strugë të Maqedonisë së Veriut, Lajçak ka thënë se për të çuar përpara procesin, duhet të ketë pajtim, dialog, guxim dhe vizion.

“Gjëja më e mirë që mund të ndodhë me marrëveshjet e paqes është që ato të zbatohen sa më parë”.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Ora 18:36
Kurti: Kam folur me Escobarin, në takim me ambasadorët shpreha protestë për heshtjen e KFOR-it

1686845414_kurti.jpg

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, ka mbajtur një fjalim në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për situatën në veri të vendit dhe për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se në Kuvend ka ardhur nga takimi që ka pasur me ambasadorët e QUINT-it, përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera, takim në të cilin Kurti ka thënë se e ka shprehur indinjatën e tij për mos reagimin e KFOR-it lidhur me rastin e 3 policëve.

Kreu i Qeverisë ka thënë se ka folur në telefon edhe me Gabriel Escobar lidhur me këtë ngjarje.

 “Kam folur me Escobar, ambasadorin Hovenier dhe po vij nga një takim i përbashkët nga ambasadorët zv.ambasadorët. Ku gjerë e gjatë kemi informuar për ditën e djeshme dhe të sotme. Dhe kur kanë kaluar 30 orë, dhe s’kemi deklaratë të KFOR-it, unë kam shprehur protestën time për këtë heshtje, por edhe reagim urgjent”, ka deklaruar kryeministri.

Ai tutje ka thënë se serbët kishin realizuar rrëmbimin brenda territorit të Kosovës dhe kishin lënë gjurmët e tyre, siç ka deklaruar Kurti në mënyrë të qëllimshme.

“Në vendin e ngjarjeve janë gjetur gjurmët e këpcuve që shkojnë në drejtim të Serbisë. Ata jo vetëm që e kanë kryer kidnapimin, por edhe i kanë lënë gjurmët e tyre me tendencë. Synimi i tyre ishte që ata të dihet se ishin aty në atë kohë”, ka thënë Kurti.

Ora 18:29
Rrëmbimi i 3 policëve nga serbët, raportuesja për Kosovën në BE: Serbia t’i lirojë menjëherë! Akt i një autokrati që ka presion brenda vendit të tij

1686846600_images.jpg

Raportuesja e BE-së për Kosovën, Viola Cramon ka kërkuar që Serbia të lirojë menjëherë 3 efektivët e arrestuar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cramon shkruan se është e paligjshme hyrja në territorin e Kosovës nga ana e forcave serbe dhe se Beogradi duhet t’i lërë të lirë efektivët. Më tej ajo shton se ky veprim nga ana e Serbisë vjen si rezultat i një autokrati si Vuçiç që ka presion brenda vendit të tij.

“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion brenda vendit? Ata kërkojnë mënyra dhe mjete për të larguar vëmendjen nga problemet në shtëpi. Një rast klasik i kësaj duket të jetë incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes #Kosovës dhe #Serbisë .

…por me sa duket në këmbë në korridorin 1000 metra deri në kufirin serb. Edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht njoftimit, është e paligjshme të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të policisë serbe dhe të lidhësh policët si kriminelë lufte, t’i çosh në Beograd dhe arrestoni ata atje. Përgatitja për t’u bërë anëtare e #BE-së , duhet të ndjekë #Sundimin e Ligjit , duke respektuar int. ligjin, respektoni marrëveshjet dhe lironi policët sa më shpejt. Në rrjedhën e një de-përshkallëzimi të mëtejshëm, ndalimi i njëanshëm i importit nga #Serbia i vendosur nga #Kosova gjithashtu duhet të hiqet.”- shkruan Cramon.

Ora 18:20
Borrell e konsideron 'arrestim' kapjen e 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe! Javën e ardhshme takim krize me dy palët

1679413198_49448596605.jpg

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, është deklaruar për rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia, duke e kualifikuar atë si “arrestim”.

Ai tha se janë duke tentuar të kuptojnë se çka ka ndodhur saktë më këtë rast. Borrell njoftoi se do të organizojë një për t’u marrë me krizën, duke bërë thirrje për qetësi në terren.

“E dini që ka ndodhur një incident rreth arrestimit të tre oficerëve policorë të Kosovës dhe ne jemi duke provuar ta vërtetojmë se çka saktësisht ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe me të dyja palët për të marrë vesh se çka çoi në këtë arrestim”.

Borrell njoftoi se do të organizojë një takim mes Kosovës dhe Serbisë për t’u marrë me krizën, duke bërë thirrje për qetësi në terren.

“Duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një gjendje të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Ora 18:18
Rrëmbimi i 3 efektivëve nga serbët, Kurti: I morën grupet kriminale, ‘SIE’ dhe ‘Kobra’! Policët tanë s’veprojnë politikisht, arrestimi i Milenkoviç me vend

1686845399_kurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në një seancë plenare për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës. Ai u shpreh se kanë qenë dy grupe kriminale të njohura si SIE dhe KOBRA që kanë organizuar këtë krim të paprecedentë nga ana e Beogradit. Ndër të tjera, ai shton se arrestimi i Milenkoviç është me vend pasi ai është organizatori i krimeve të njëpasnjëshme dhe të sulmit të paprecedentë të KFOR dhe gazetarëve në veri të Kosovës.

“Policia e Republikës i mbronte institucionet publike nga milicia fashiste dhe me këtë rast identifikoi shumë prej tyre, të cilët natyrisht dhe po përndiqen. Një ndër arsyet se pse unë kam përmendur emrat e tyre, është pikërisht për të thënë se nuk e kemi me komunitetin serb por me këta emra të përveçëm që janë përgjegjës për dhunën, destabilizmin dhe përshkallëzimin.

Policia e Republikës, është njësia më e trajnuar profesionale në rajon sepse është e specializuar nga vendet tona mike. Nuk bën gjueti shtrigash, këto shkolla, kurse dhe trajnime që i kanë kryer policët tanë nuk lejojnë politizimin e situatave. Unë kryeministri i Kosovës, e kam marrë vesh po si ju për arrestimin e Millokoviç. Por aq i madh është paniku te grupet kriminale të Serbisë, mua më është krijuar përshtypja sesa përmasa të krimit të organizuar ka ky personazh. Nuk bëhet fjalë për një shkelje ligji, është bërë për shumë vite rregullisht deri kur u arrestua. E pas arrestimit të tij, që organizoi sulmet e KFOR, gazetarëve, Serbia organizoi një sulm të pashembullt duke arrestuar 3 policët tanë.

Me makina pa tagra, thellë në republikën e Kosovës, rrëmbyen 3 policët tanë.

Bëhet fjalë për dy grupe kriminale që janë: SIE e KOBRA.”- tha Kurti.

Ora 18:17
Kurti: KFOR të urdhërojë Serbinë që të kthejë 3 policët e rrëmbyer

1686845431_kurti.jpg

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka bërë thirrje KFOR-it që të urdhërojë Serbinë që të kthejë 3 policët e rrëmbyer.

‘KFOR të urdhëroj Serbinë që të kthej policët e rrëmbyer dhe të dënojë këtë shkelje flagrante të integritetit tonë territorial. Dje është shkelur pika 4 e marrëveshjes së Kumanovës. KFOR duhet të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj kësaj. Nëse KFOR  shndërron këtë heshtje në normë, atëherë një gjë të tillë i bie të mohoj një përgjegjësi ndërkombëtare që i është dashur të dënojë publikisht.’- tha Kurti.

Ora 17:56
VIDEO/ Dhjetëra kamionë të bllokuar në kufirin mes Kosovës e Serbisë

 

Autoritetet e Kosovës thanë se kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe. Dhjetëra kamionë, me targa të Serbisë dhe me të Kosovës, u panë të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, pasi nuk u lanë të futen në Kosovë. Pamjet janë publikuar nga REL.

Ora 14:56
Kurti në shtëpitë e policëve të rrëmbyer në veri të Kosovës: Po përpiqemi të marrim informacione mbi gjendjen e tyre

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot familjarët e 3 policëve Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, të cilët janë rrëmbyer nga forcat serbe që prej ditës së djeshme.

Zyra e Kurtit njofton se familjarët e Shemë Mustafës dhe vëllai i këtij të fundit që po ashtu është polic kufitar, kanë pritur zyrtarët e qeverisë në banesë.

Kryeministri thuhet se i ka njoftuar familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer.

Ora 10:09
Tensionet në veri, Sveçla: Këta kriminelë nuk janë më të fortë se shteti i Kosovës, do të dalin të gjithë para ligjit

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se nuk bëjnë kompromis me ligjin. Në një konferencë për mediat, Sveçla tha se kriminelët në veri nuk janë më të fortë se shteti i Kosovës dhe të gjithë do të dalin para ligjit.

"Nuk do të zmbrapsemi në kërkim të drejtësisë dhe kushtetutës në vend. Jemi në kërkim të rendit dhe ligjit, në kërkim të një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët në vend. Çdokush i cili shkel ligjin do përballet me pasoja ligjore. Askush nuk është imun në këto shkelje, këta kriminelë nuk janë më të fortë se shteti i Kosovës dhe prandaj secili do dalë para drejtësisë. Qytetarët tanë s’do shtypen e s’do shkelen përkundrazi do mbrohen. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për aktet e saj", tha Sveçla. 

Ora 09:52
Albin Kurti: Agresioni po vjen nga Serbia! Ndaluam hyrjen e makinave serbe, forcuam kontrollet

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se vendimi për të ndaluar kalimin hyrja e manueve nga Serbia por dhe e makinave me targa serbe nuk janë masa ekonomiko tregtare por të sigurisë për shkak se gjendja nuk është aspak e zakonshme

“Për ne është e qartë që agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale dhe është e mundshme në vendkalime kufitare. Si masa të sigurisë kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një moment të dytë” tha Kurti.

Vendimi u mor pasditen e djeshme pasi forcat serbe rrëmbyen tre policë të patrullës kosovare në veri të Kosvoës.

Dje presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Kurti nuk mund të ndalonte importin e mallrave serbe pasi në këtë mënyrë po shkelte marrëveshjen e Ceftas dhe rregulloret e tjera ligjore.

Ora 09:44
Kurti: Mbetem i përkushtuar në dialog, por duhet të ketë sundim të ligjit në Kosovë! Ndërkombëtarët na premtuan pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje

 

Kryeministri Albin Kurti tha se është i përkushtuar në dialogun me Serbinë nëse do të ketë një rinisje, por shtoi se nuk mund të bënte kompromis sa i takon sundimit të ligjit në Kosovë. Ai tha se zvogëlimi i pranisë së policisë në ndërtesat komunale, do të bëhet kur të jetë garantuar sundimi i ligjit dhe arrestimi i ekstremistëve që shkaktonin trazira.

“Në dialog jam i gatshëm dhe i përkushtuar por në Kosovë duhet të ketë ligj dhe kushtetutë. Ju i keni dëgjuar 5 pikat për bindjen tonë të fuqishme. Vetëm kur ne të kemi sundim të ligjit që i largon këta ekstremistë do mund të zvogëlonim praninë e policisë sonë në ndërtesa komunale. Nuk kemi ne faj që Beogradi e kërcënon apo i bën oferta që 2 ditë para zgjedhjeve të tërhiqet nga gara. Aleksandër Jabllanoviç doli nga fushata, ka qenë fituesi i sigurtë. Ndërkombëtarët të merren me këtë. Edhe ai të ishte kryetar komune, njësoj do ta mbroja me polici nga sulmet e atyre ekstremistëve të dhunshëm që nuk i barazoj me komunitetin serb. Madje serbët janë në hall me ta. Krimi ka emra të personave të veçantë jo të një komuniteti. Dhuna më e madhe është bërë në Zveçan ku nuk ka pasur kryetar fare aty. Nuk ka të bëjë me kryetarin kjo gjë”-tha Kurti.

Mes të tjerash, ai shtoi se në 17 mars, ndërkombëtarët e patën siguruar se do të bindnin Listën Serbe të hynte në zgjedhje për komunat në veri nëse do të zgjatej afati për regjistrim. Kreu i ekzekutivit tha se nuk mund të bënin që Lista Serbe të merrte pjesë me pahir në zgjedhjet e zhvilluara.

“Më 17 mars neve ndërkombëtarët na premtuan, nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohëri u garantojmë se Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje. Unë kam qenë i gatshëm që Lista Serbe të merrte pjesë në zgjedhje, dhe u zgjat afati i regjistrimit në zgjedhje. Pavarësisht kësaj Lista Serbe nuk aplikon për t’u regjistruar, tani çfarë të bëjmë ne? Nuk i marrim dot me zor t’i fusim në zgjedhje. Ndërkombëtarët na patën premtuar se do e zgjidhnin këtë”-shtoi Kurti.

Ora 09:26
Mundësi shkëmbimi mes 3 policëve të rrëmbyer dhe kriminelit serb të arrestuar në Kosovë? Kurti: Nuk bëjmë pazare!

 

I pyetur nga gazetarët për një shkëmbim të mundshëm mes 3 policëve të Kosovës të rrëmbyer dhe kriminelit serb Millun Millenkoviç, Kurti tha se një gjë e tillë nuk është aspak në planet e tj. Ai tha se arrestimi i Millenkoviç ka shkaktuar panik tek kriminelët e tjerë të cilët nuk e mendonin se diçka e tillë mund të ndodhte.

“Tre policët që janë rrëmbyer nga njësia ushtarake e Serbisë kanë qenë në një rrugë ilegale ku ndalohej kontrabanda. Përballë tyre jkanë pasur njësi të specializuara të Serbisë. Në anën tjetër kemi një kriminel serbe që nuk është bërë kriminel vetëm në protestat në veri por ka dosje të trashë të veprave kriminale të kryera në Kosovë. Këtu ka sundim ligji, republikë demokratike. Arrestimi i Millenkovicit i ka bërë të panikosen të gjithë kriminelët. Nuk kanë mundur ta besojnë që ndodh arrestimi i tij. Prandaj kanë reaguar në atë mënyrë. Ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi. Atë edhe mund ta kërkojnë dicka të tillë, por ju nuk keni nevojë të paraqitni këtë si mundësi sepse jeni qytetarë të republikës sonë. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur?”- tha Kurti.

Ora 09:22
Rrëmbimi i tre policëve, Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë

 

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, me kryeministrin e vendit që tha se "synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë".

"Për arsye të sigursië, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese", u shpreh ai.

Ora 09:20
Rrëmbimi i tre policëve nga forcat serbe, Sveçla: Nuk e dimë ku ndodhen, gjurmët tregojnë se ka qenë një aksion me forca të shumta serbe

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla thotë se nuk e dinë se ku ndodhen tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe.

“Nuk e dimë se ku mbahen policët tanë, Serbia është një vend jo demokratik dhe nuk brengoset për liritë e të drejtat e të burgosurve. Nuk brengoset as për depëshkallëzimin e situatës aktuale. Këto informata po ndahen me partnerët tanë, edhe kur ishim aty kishte pjesëtarë të KFOR që hetonin rastin. Mund të them sa i takon terrenit të dhënat përputhen por presim deklarim zyrtar të tyre. Gjurmët tregojnë se ky ka qenë një aksion i këtyre dy njësive speciale me numër shumë më të madh se pjesëtarët e policisë tonë kanë qenë”, tha Sveçla.

Ora 09:13
Rrëmbimi i 3 policëve, Kurti: E pakuptimtë heshtja e ndërkombëtarëve, nuk ndihmon në de-përshkallëzimin e situatës

 

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi si të pakuptimtë heshtjen e ndërkombëtarëve për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme ku u rrëmbyen 3 policë të Kosovës nga ana e forcave serbe. Ai tha se qëndrimi i tyre nuk ndihmon për depërshkallëzimin e situatës.

“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i. Ne me partnerët tanë i ndajmë informaat por heshtja e tyre nuk i kontribuon as depërshkallëzimit, as hetimit dhe as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrëfarë deklarate zyrtare. Mund të jetë edhe shkelje e rezolutës por ëhstë komandanti i KFOR-it që për çdo deklaratë përmend rezolutën 1244. Ne e konsiderojmë kushtetutën e vendit dhe ligjin si të drejtë dhe përgjegjësi tonën”- tha Kurti.

Ora 09:11
Rrëmbimi i tre policëve, Kurti publikon hartën: Brenda territorit tonë, janë gjetur gjurmët, prangat e ushqimet që kanë ngrënë forcat serbe! Pse hesht KFOR

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një deklaratë për mediat ka publikuar foton e hartës ku ka ndodhur rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kurti thotë se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe policia në bashkëpunim me KFOR kanë gjetur gjurmët e policëve serbë, si edhe ushqimet që ata kanë ngrënë dhe prangat. KURTI thotë se nuk e kupton përse hesht KFOR.

Këtu e kemi një foto të hartës ku mund të shihni se si vendi ku janë rrëmbyer tre policët ndihet 1 km larg kufirit në thellësi të territorit të Kosovës. Rrëmbimi ka ndodh në këtë vendin që është thellë, është 1 km larg kufirit në njërën anë që i bie të jetë pjesa veri perëndimore, pastaj 670 m larg pjesa veriore, 300 metra në jugperëndim. Kemi foton edhe e rrugës së prerë që shihet qartazi se nuk kanë mundur të kalojën tutje siç pretendon Serbia, që paskan shkuar në serbi dhe qenkan arrestuar, bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Kjo rruga e prerë është bërë për të ndalur 16 shtigjet ilegale që janë bërë vitin e kaluar dhe nuk bëhet fjalë për tejkalim të kufirit sic pretendon Serbia. Në vendin e ngjarjes ka qenë KFOR, policia e Kosovës dhe janë gjendur gjurmët e këpucëve të huaja në drejtim të Serbisë, por edhe prangat lidhëse plastike, si është e mundur që pretendojnë se janë arrestuar në Serbi ku prangat janë në vendin që themi në. Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti se as të nesërmen me këtë të vërtetë që po e shfaqim para jush, nuk del KFOR. Ky vend është qartazi në Kosovë, edhe automjeti edh e ushqimi që kanë ngrënë policët është thellë në territorin e Kosovës.

Bëhet fjalë për 2 formacione të armatosura të Serbisë që kishin hyrë në territorin tonë me të cilat duhet të merrej KFOR-i. Dy njësitë serbe duket që kanë bërë vëzhgim dhe më pas rrëmbimin. Nuk bëhet fjalë për arrestim, arrestimin e ka bërë policia e Kosovës për kriminelin Millun Millenkoviç. Vetë policët kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë.

 

1686812871_harta.jpg

Ora 09:05
Sveçla: 3 policët tanë u rrëmbyen nga forcat serbe 'Kobra' brenda kufirit tonë! Ndërkombëtarët të dënojnë aktin kriminal të Serbisë

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla u bëri thirrje ndërkombëtarëve të dënojnë rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga ana e forcave serbe ditën e djeshme. Ai tha se Serbia po mundohet të pengojë shtrirjen e sovranitetit territorial të shtetit të Kosovës.

“Beogradi ndërmori një hap të turpshmëm të papranueshëm duke rrëmbyer 3 zyrtarë të policisë sonë. Operacioni ka qenë oragnizuar nga ekipi special i Serbisë ‘Kobra’.

Bëhet fjalë kur më herët ka pasur kontrabandë dhe ajo rrugë ishte ndërprerë nga ne. Ka qenë e pamundur që policët tanë të kalojnë në territorin e Serbisë siç thotë propaganda serbe. Ky akt criminal është bërë si akt hakmarrje për arrestimin e një krimineli.

Serbia po mundohet të pengojë shtrirjen e sovranitetit tonë në të gjithë territorin. Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse shfaq fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve tanë”- tha Sveçla.

Ora 08:19
Rrëmbimi i 3 policëve në veri të Kosovës, Kurti dhe Zveçla njoftojnë konferencë për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  do të mbajë një konferencë për media në kuadër të zhvillimeve më të fundit me tensionet në veri të vendit ku 3 policë u rrëmbyen nga forcat serbe mesditën e 14 qershorit 2023

Sipas Zyrës për Media, konferenca do të mbahet në orën 08:30 dhe bashkë me kryeministrin do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme,  Xhelal Sveçla.

Kjo konferencë do të mbahet pasi Këshilli për Siguri Kombëtare të Kosovës do të përfundojë mbledhjen e nisur në orën 07:00.