(8 vjet më parë, të shtunën e 6 majit të 1967 - s, bash në Ditën e Shëngjergjit e arrestojnë bashkë me bashkëshorten për arratisje jashtë Shqipërisë, mbas kthimit që u bëjnë në kufi forcat policore jugosllave. Do kohë më vonë e dënuan me 15 vjet heqje të lirisë, ndërsa bashkëshorten me 10 vjet.)
Prej atëherë, qyshse e zhvendosën në zgafellë, mu në minimumin e jetës vet, tashti kërkonin me ngulm dhe ngutshëm një shkretim tjetër për H. Nelën, ridënimin.
Skena për përgatitjen e ridënimit qe e gatshme, e studiuar imtisht më parë.
Duhej që regjimi të futej thellë - thellë edhe në zgafellën e kamp - burgut 303 të Spaçit, ta ndiqte sërish, rrekej ta zhbënte edhe atje, si t’ish a mos t’ish qenie njerëzore.
Lojësit (aktorët) që po luanin dramën tjetër H. Nelës mbas dënimit të parë ose që po luanin dramën e ridënimit të tij, janë krejt-e-krejt të qetë, anipse të gjunjëzuar në shpirt e mendje.
Si ata që ishin jashtë kamp - burgut 303 të Spaçit (prokurori, operativi, n/oficerat, hetuesi dhe krejt shpura ndihmëse), por edhe ata që ishin brenda atij kamp-burgu (raportuesit, thithësit krejt sy e veshë të fjalëve të H. Nelës - bashkëvuajtës me të dhe që më pas kthehen lehtas në dëshmitarë), duhej të punonin me çdo kusht që veprimtaria e tij të zhytej te neni 73/I-rë i Kodit penal.
Si për rastësi, i njëjti hetues (Shaban Dani), që po merrej me çeshtjen e H. Nelës, një vit më vonë, do merrej në hetuesinë e Shkodrës edhe me çeshtjen e poetit Frederik Rreshpja.
Atë verë, pra H. Nela gjendej në qelinë e hetuesisë së Rrëshenit.
Si 500 metra prej aty, gjendej në kthinën e vet e internuara Musine Kokalari, një kundërshtare e hapur e regjimit komunist. E kishin dëbuar n’atë qytet, më saktë n’atë qytetzë, qyshprej 1961-it. Në zymtinë e gjatë të përditshme e të përnatshme t’asaj qytetze ajo prekte si me gishta një grimëz liri vetëm tek shfletonte libra kur shkonte në bibliotekë. Do t’i thoshte lamtumirë jetës në vitin 1983, pesë vjet më parë se kundërshtari tjetër i hapur i atij regjimi, H. Nela, do ndëshkohej me varje me 10 gusht të 1988-s.
Nuk besoj se M. Kokalari ta ketë njohur H. Nelën, por ky i fundit kish dëgjuar për M. Kokalarin. Them kështu se do vjet më vonë, në kamp - burgun e Burrelit i thoshte bashkëvuajtësit Uran Kalakula se “Në Rrëshen dergjet nji fisnike, Musine Kokalari.
Gjithmonë njerëz të tillë po i dalin të tepërt vendit tonë”.
Natyrisht, që duhet një shpjegim epik për jetën e vrazhdë të H. Nelës.
***
Akt-akuza e prokurorit Hulusi Topalloj ndaj H. Nelës, i përket datës 16 korrik të 1975 - s.
Në prani të hetuesit Shaban Dani, H. Nela e merr akt - akuzën 12 ditë më vonë, me 28 korrik. Po përgatiteshin procedurat që i akuzuari të shkonte në Gjykatën e rrethit Mirditë, ku formalisht do i jepej dënimi (ridënimi) me 8 vjet të tjera, me vendimin Nr. 49, me 8 gusht të po atij viti.
Prokurori merr pjesë vetëm dy herë gjatë marrjes në pyetje në hetuesi të H. Nelës. Ky i fundit, pyetet prej hetuesit, jep përgjigjet e veta, por prokurori nuk ndërhyn. Prokurori dhe hetuesi, aspak ndërdyshtas në mendimet e veprimet e tyre: I akuzuari s’ishte gjë tjetër për ta veçse një armik që “Ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor”.
N’anën tjetër, përballësi i tyre nuk i shihte vetëm si rreziktarë, si vegla të diktaturës, por pjesë të një mekanizmi represiv, të cilët me mish e thonj mundoheshin ta mbanin atë në këmbë.
Prokurori dhe hetuesi kishin përballë një kundërshtar politik të hapur të regjimit, që s’ngurronte të thoshte mendimet e veta edhe brenda në hetuesi. Ata të dy dhe krejt shpura që mbante të lidhur regjimin mendonin se qielli mund të ndahej përgjysmë, se mund të kish eklips të përhershëm të diellit e të hanës, por kurrsesi se do përmbysej ai regjim.
Në një farë forme, i akuzuari, i qetë, krejt i vetëdijshëm, i kthjellët dhe i krejtbindshëm n’ato gjëra që po thoshte, me autoritetin e vet moral sikur po u këndonte këngën e pushtetit të tyre funebër.
E njëjta akt - akuzë shabllone e prokurorit që përdorej rëndom ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit. Veçse sipas hollësive të veçanta të t’akuzuarve (për arratisje, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit, etj, etj.)
Dhe, dashur pa dashur, prokurori shpalon dritësinë e mendimeve të H. Nelës, i cili kish agjituar e propaganduar kundër pushtetit, se standardi i jetesës në vend qe shumë më i ulët se i vendeve të Perëndimit, se Konferenca e Sigurimit europian qe në dobi të popujve, etj, etj.
Kësisoj, H. Nela kërkonte të kthente kryeposhtë programin e pushtetit parajonak të diktaturës, ashtu, me format e veta përmes fjalës së vet të lirë, që e administronte shkëlqyeshëm.
Bash ato ditë, në qelinë e Rrëshenit, në burg-zgafellën ku e kishin ndry, H. Nela i këndonte Konferencës së Helsinkit, mirëkuptimit dhe paqes njerëzore, ndërsa Shqipëria e asokohshme po shkonte hijerëndë, plot këndellje dhe me duartrokitje drejt mbylljes së plotë fatale:
Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera.
Këtu, në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë.
***
MIRATOHET
PROKURORI RRETHIT
HULUSI TOPOLLAJ
(firma)
AKT-AKUZË
KUNDËR TË PANDEHURIT HAVZI SHABAN NELËS
AKUZOHET: Se ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet nga neni 73/I-rë i Kodit penal
Mbi materialin që disponohej, hetuesia e organeve të punëve të mbrendshme, Mirditë, me datën 30/V/1975, filloi çeshtjen penale në ngarkim të pandehurit Havzi Shaban Nelës dhe në të njëjtën kohë kreu arrestimin e tij për krimin e agjitacionit e propagandës që ka zhvilluar në dëm të pushtetit popullor.
Nga hetimet e para ka rezultuar se:
I pandehuri Havzi Nela, i dënuar për krim kundër pushtetit popullor me 15 vjet heqje të lirisë, vuante dënimin në Repartin e riedukimit 303, Spaç. Megjithëse i dënuar për një krim shumë të rëndë dhe të nxirrte mësime e të jepte prova rehabilitimi, i pandehuri Havzi Nela si element armik, e thellon më tej veprimtarinë e tij armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës për kundër pushtetit popullor duke agjituar e propaganduar te disa të dënuar në repartin e riedukimit në Spaç, siç janë: Petro D., Sotir D., Agustin P., Zenel B., etj.
Në këtë mënyrë, i pandehuri Havzi Nela, në forma e metoda të ndryshme, qysh nga ardhja etij në kampin e Spacit me 1970, e në vazhdim kur është arrestuat ka agjituar e propaganduar ndër të dënuar duke iu kundërvënë pushtetit popullor për të helmuar ndërgjegjen e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ka propaganduar duke thënë se standard i jetësës në vendin tonë është shumë më i ulët nga standardi i jetësës së popujve të shteteve të tjera të Perëndimit e të Lindjes, si në Amerikë, Gjermani, Francë e në vende të tjera.
Se në vendet e Perëndimit, sipas tij “lulëzon” liria e demokracia, se njerëzit atje janë të lirë të flasin e të shkruajnë e të thonë atë që mendojnë edhe për kundër sistemit, të bëjnë greva politike, ekonomike dhe kërkesa të tjera dhe askush nuk i dënon, ndërsa këtu, në vendin tonë, sipas të pandehurit, nuk paska liri e demokraci për popullin, se për të pasur liri njerëzit duhen të lihen të lirë të flasin e të shkruajnë çfarë të mendojnë edhe për kundër sistemit në fuqi, të shkojnë e të shetisin në shtetet e tjera kur të duan e ku të duan pa ndonjë kufizim.
Se dënimet që jepen për arratisje, sipas këtij, janë të padrejta, por ato bëhen vetëm e vetëm për të mbajtur të shtypur popullin, etj.
Duke folur për Konferencën e sigurimit europian, u ka thënë se kjo është në dobi të të gjithë popujve, se do të sigurojë popujt nga luftërat, do të bjerë zhvillim të madh kultural, shkencor, ekonomik, etj., dhe se pamvarësisht se Shqipëria nuk merr pjesë në këtë konferencë, kjo përfundimisht do të detyrohet nga fuqitë e mëdha për t’iu nështruar vendimeve të saja dhe si përfundim diktatura e proletariatit në fuqi do të marrë fund, etj.
I pandehuri Havzi Nela, duke ju biseduar për tradhtinë e Beqir Ballukut etj, të dënuarve Sotir D., etj, ndërmjet të tjerash ju ka thënë se Beqir Balluku me disa të tjerë gjeneralë ka folur në byronë politike disa mendime të kundërta me tjerët, duke thënë se Shqipërija nuk duhet rrijë e veçueme “izolueme”, por duhet të bëjë kthesë e të bëjë marrëdhënie me vendet e tjera të Perëndimit e të Lindjes, etj. Se tani, me tradhtinë e tij, ne të dënuarit dhe gjithë populli do të kemi përfitime, se udhëheqësve të tjerë të partisë e të shtetit ju ka ardhun fundi, se ju ka shkuar litari në grykë, dhe pikërisht për këtë ato kanë bërë pastrime të mëdha në ushtri duke hequr të gjithë ato kuadro që kanë studiuar në B. S, sepse ato janë të papërshtatshëm me politikën e këtyre dhe do t’i zëvendësojnë me kuadro të reja, etj.
Në këtë mënyrë, i pandehuri ka mbajtun shpresë për përmbysjen e pushtetit tonë popullor, duke i injoruar fitoret që ka arritur populli nën udhëheqjen e partisë e pushtetit popullor, forcën e vitalitetin e tij në luftë kundër armiqve të mbrendshëm e të jashtëm imperjalisto - revizjonistë. I pandehuri Havzi Nela, edhe në kohën e revoltës që është bërë nga të dënuarit me 1973 në Spaç për kundër pushtetit, është bashkuar me elementë kundër revolucionarë dhe ka marrë pjesë në mbledhjen ndërkrahinore, etj.
Krimi i agjitacionit dhe propagandës në dëm të pushtetit popullor nga i pandehuri Havzi Nela, është pohuar plotësisht si me pohimet e tija të bëra në hetuesi, me shpjegimet e dëshmitarëve, me ballafaqimet e bëra si dhe me dokumentat e tjera shkresore që ndodhen në dosjen hetimore në ngarkim të tij.
…………………………………………………
Dosja 9912/3 - f. 1, 2, 3 (Viti 1975)