Bilanci i përmbytjeve katastrofike në zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit vijon të rëndohet. Sipas të dhënave paraprake, deri tani janë nxjerrë 330 viktima, ndërsa rreth 1 500 persona rezultojnë të zhdukur.

Mes të zhdukurve janë edhe 466 turistë të huaj nga 26 vende. Mbi 100 prej tyre janë shtetas indianë, ndërsa raportohen edhe 45 amerikanë, 33 britanikë, si edhe turistë nga Holanda, Gjermania, Franca, Meksika dhe Brazili.

Operacionet e shpëtimit po ecin me vështirësi për shkak të rrugëve të shkatërruara, rrezikut të rrëshqitjeve të tjera të dheut dhe të paktën 80 urave të shembura. Nga ana e Nepalit janë angazhuar edhe helikopterë privatë shpëtimi, të cilët deri më tani kanë transportuar 14 të plagosur në Katmandu.

Autoritetet italiane konfirmojnë se nga 90 shtetas italianë të regjistruar nga Ministria e Jashtme në Nepal dhe Tibet, vetëm dy ndodheshin në zonën e goditur nga përmbytjet. Ata ishin në një zonë më të lartë së bashku me guidën e tyre, nuk kanë pësuar lëndime dhe po punohet për evakuimin e tyre.

Zona e prekur shtrihet përgjatë kufirit mes Nepalit dhe Kinës. Shkaku i katastrofës mbetet ende nën hetim. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë kapur edhe momentin kur një masë gjigante uji, balte dhe shkëmbinjsh, më e lartë se një ndërtesë gjashtëkatëshe, përfshiu gjithçka përpara.

Një nga hipotezat kryesore është se një akullnajë u shemb si pasojë e temperaturave të larta, duke bllokuar përkohësisht rrjedhën e lumit Bhote Koshi dhe më pas duke çliruar një masë të madhe uji. Një hipotezë tjetër, e përmendur nga ministri i Jashtëm i Nepalit, e lidh ngjarjen me një lëkundje sizmike me magnitudë 4.4 të regjistruar në Tibet pak para përmbytjes.

Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), sinjali sizmik i klasifikuar fillimisht si tërmet u vlerësua më pas si pasojë e shembjes së bllokut gjigant të akullit dhe shkëmbinjve.

Por frika nuk ka kaluar. Autoritetet druhen se diga natyrore e krijuar nga rrëshqitja e dheut vazhdon të mbajë një sasi të madhe uji dhe, nëse çahet, mund të shkaktojë një valë të dytë përmbytjesh.

Lajm në përditësim…