Partia Demokratike rrezikon të mos regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi mbrëmjen e sotme se nuk do të ndryshojë qëndrim përsa i takon kërkesës së kreut  të KQZ-së, Ilirjan Celibashi për dorëzimin e një dokumenti të firmosur nga Basha për të bërë regjistrimin e PD-së në zgjedhjet lokale.

Pas një mbledhje me anëtarë të grupit parlamentar që zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, në një dalje për mediat, Alibeaj tha se do të vijonte me procedurat e mëtejshme për regjistrimin e PD-së në zgjedhje dhe se do të dorëzohej sqarimi përkatës për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai theksoi se Basha është i dorëhequr dhe se të gjitha dokumentet e dorëzuara nga Partia Demokratike janë në përputhje me legjislacionin.

“Është diskutuar edhe vendimi i KQZ. PD do të ndjekë të gjitha procedurat dhe i gjithë dokumentacioni i depozituar pranë KQZ është në përputhje të plotë me legjislacionit dhe ju komunikoj që PD do të regjistrohet, do të marrë pjesë në zgjedhje e do jetë e fokusuar te 14 maji. E kemi bërë të qartë dje. Dorëheqja e Bashës është fakt publik s’ka ngelur njeri i madh apo i vogël që s’është në dijeni. Sqarimin përkatës ne do ta dërgojmë pranë KQZ, kështu që nuk ka asgjë për  t’u diskutuar apo të paqartë. Kjo është një çështje e zgjidhur”, tha Alibeaj.

Sipas burimeve të Report TV, gjatë diskutimeve të mbajtura në mbledhje, ka qenë deputeti Dashnor Sula ai i cili ka kërkuar të gjendet gjuha e përbashkët mes 2 anëve të Partisë Demokratike. Sipas tij, duhet evituar dalja me dy kandidatë.  Kjo ka qenë një pikë tepër e debatuar mes palëve, çka ka sjell edhe tone të larta në mbledhje.

Sipas informacioneve, jo të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD-së ishin të pranishëm në mbledhje. Përveç ligjvënësve që kanë shprehur haptas mosdakordësinë e tyre me Alibeajn, ndër deputetët që munguan ishin Lefter Gështenja, Jorida Tabaku dhe Arbi Agalliu Mbledhja nisi e Alibeajt. 

Kujtojmë se gjatë seancës së KQZ-së të mbajtur në 9 mars, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi bëri të qartë se Partia Demokratike nuk do të regjistrohet dot në zgjedhjet lokale të 14 majit, nëse nuk dorëzohet dokumenti me deklaratën e firmosur nga Basha lidhur me Kodin Zgjedhor.

Ndërsa kanë mbetur edhe pak orë nga përfundimi i afatit prej 48 orësh që Celibashi i dha PD-së për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, duket se Basha nuk do të nënshkruajë dokumentin si kryetar në detyrë. Si rrjedhojë pritet që të nesërmen të ketë një vendim negativ nga ana e Celibashit dhe ky vendim do të ankimohet në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Gjatë mbledhjes u fol edhe për miratimin e kandidatëve të PD-së për bashkitë e vendit, proces për të cilin, Alibeaj tha se do të përmbyllet deri në datën 20.  

Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t'u regjistruar në zgjedhje, KQZ vendosi të mos i pranojë të dyja. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë. Ndërsa deputeti Gazment Bardhi në një reagim të bërë u shpreh se kjo ishte një deklaratë politike e KQZ dhe se nuk do të bëhej asnjë plotësim tjetër i dokumenteve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:41
Alibeaj pas mbledhjes me deputetët: PD do të ndjekë të gjitha procedurat, do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit! Dorëheqja e Bashës, fakt publik

 

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka folur pas takimit me deputetët duke thënë se do të regjistrohen në zgjedhjet e 14 majit dhe do të ndjekin procedurat e kërkuara nga KQZ.

“Kjo ishte mbledhje e radhës së Kryesisë e grupit parlamentar. Do të jenë më të shpeshta. Diskutimet dhe vendimet janë të fokusuara te aspekti organizativ i PD lidhur dhe në funksion të fushatës zgjedhore. Deri në datën 20 të përmbyllet procesi i miratimit të kandidaturave. Përveç kësaj janë diskutuar çështjet e organizimit, janë vendosur detyrat përkatëse që do të merren në aspektin e fushatës me organizimin dhe rifreskimin e strukturave tona. Jemi të vetëdijshëm për situatën jo aq të shëndetshme që kemi kaluar.

Tani që ka nisur fushata dhe është miratuar pozicioni i PD në fokusimin e zgjedhjeve të 14 majit, po kthehet në rutinën e funksionimit.

Është diskutuar edhe vendimi i KQZ. PD do të ndjekë të gjitha procedurat dhe i gjithë dokumentacioni i depozituar pranë KQZ është në përputhje të plotë me legjislacionin, janë çuar dhe sqarimet përkatëse për këdo që ka paqartësi në depozitimi dhe përmbajtjen e dokumentacionit dhe ju komunikoj që PD do të regjistrohet, do të marrë pjesë në zgjedhje e do jetë e fokusuar në shërbimin ndaj qytetarëve. 

E kemi bërë të qartë dje. Dorëheqja e Bashës është fakt publik s’ka ngelur njeri i madh apo i vogël që s’është në dijeni. Sqarimin përkatës ne do ta dërgojmë pranë KQZ, kështu që nuk ka asgjë për  t’u diskutuar apo të paqartë. Kjo është një çështje e zgjidhur”, tha Alibeaj.