TIRANE, 5 Dhjetor/ATSH/- Rreth 8095 mësues do t'i nënshtrohen nesër testimit të dijeve të tyre për 2200 vende punë në arsim të cilat u hapë së fundmi pas inspektimeve të kryera nga Ministria e Arsimit dhe Sposrtit.
Në 29 qendra në të gjithë vendin, do të organizohet testimi, ndërkohë që procedura e kryerjes së tij është pothuajse e njëjtë me atë të Maturës Shtetërore. Testi do të jetë i ndarë në dy pjesë.Pjesa e parë përbën 30 pikë të testit, nga totali me 70 pikë dhe do të ketë pyetje me përmbajtje nga formimi i përgjithshëm i mësuesit, (dokumentacioni), programi, drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe komunikimi dhe etika. Ndërsa pjesa e dytë e testit përbën 40 pikë, dhe përmban pyetje profesionale, lidhur me profilin shkencor sipas fushës.
Pyetjet e provimit janë hartuar nga specialistë Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe ato do të jenë të njëjta në të gjithë vendin, por sipas profileve ku do të testohen mësuesit. Për të qenë fitues mësuesit duhet të arrijnë mbi 50% të përgjigjeve, ndërsa korrigjimi do të kryhet nga një komision i posaçëm me ekspertët më të mirë të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Publikimi i rezultateve për të gjithë mësuesit do të jetë në 22 dhjetor. Në bazë të këtyre, rezultateve mësuesve do iu bëhet renditja. Ata që do të kenë pikët maksimale do të jenë të parët që do të punësohen në 2200 vendet e shpallura bosh.
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit sa i përket zhvillimit të testimit është parashikuar edhe skualifikimi që mund t'u bëhet atyre në raste se shkelet rregullorja e testimit. Kështu një kandidat skualifikohet kur ai tenton të kopjojë apo të marrë apo japë informacion nga një kandidat tjetër gjatë provimit.
Po kështu raste skualifikimi janë edhe ku mësuesi gjatë provimit bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban celular apo çdo lloj tjetër komunikimi, plotëson me laps testin, të ndërrojë vendin e përcaktuar, apo të plotësojë në fletën e testit të tjera ushtrime dhe shënime. Kandidati, që ka shkelur një ose më shumë nga pikat e mësipërme, sipas raportimit me shkrim të administratorit përkatës, largohet nga testimi. Sipas udhëzimit, kandidatët, që nuk fitojnë testimin si pasojë e masës disiplinore, nuk kanë të drejtë të aplikojnë për një periudhë një vjeçare./a.g/