Etapa e tretë e Rrethit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë është mbyllur këtë të mërkurë me itinerarin Elbasan - Vlorë, në një distancë prej rreth 149 kilometrash. Pas një gare të fortë dhe shumë emocionuese, fitues i etapës u shpall çiklisti zviceran Guillaume Haldimann, i cili arriti të marrë vendin e parë vetëm në metrat e fundit të finishit në Vlorë. Vendin e dytë e zuri holandezi Niels Reemeijer dhe vendin e tretë rumuni Cristian Raileanu.
Pas tre etapave të zhvilluara deri tani, renditjen e përgjithshme të Rrethit Çiklistik e kryeson pikërisht Guillaume Haldimann, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer në këtë edicion të garës.
Në fjalën e tij, presidenti i Federata Shqiptare e Çiklizmit, Skënder Hanxhaku, falënderoi organizatorët dhe vlerësoi faktin që Vlora është pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti sportiv. Në ceremoninë përmbyllëse ai i dhuroi edhe fanellën e verdhë drejtoreshës së klubit shumësportësh, Elona Hasanaj.
"E nderuar zonja e shtëpisë, ndihem shumë mirë këtu në Vlorë. Unë kam lindur këtu dhe jam simpatizant i këtij qyteti. Në emër të Federatës, plus fanellës së verdhë dhe mirënjohjes, është edhe simboli i Vlorës si një dhuratë", tha Skënder Hanxhaku.
Ndërkohë, të enjten do të zhvillohet etapa e katërt në itinerarin Vlorë - Llogara - Himarë - Kuç - Vlorë. Në edicionin e këtij viti marrin pjesë 18 ekipe nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës.
Komente










