Rreziku i opozitës në rolin e 'supervizorit'

Rreziku i opozitës në rolin e 'supervizorit'

Trualli i shkollës Sami Frashëri

Kam disa ditë që dua të kuptoj përse bën video mesazhe një deputete e Partisë Demokratike, tek vendi ku po rindërtohet gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë. Në fillim u hap si lojë nga Kryemadhi, e cila papërgjegjësinë e gjërave që thotë e ka si imunitet. Ajo shpiku që gjimnazi “Sami Frashëri” do të ndërtohet në Paskuqan.

Përpara kësaj historie, një grup tjetër grash afër PD-së kishin protestuar pse u prish shkolla, se aty kishin kujtimet e rinisë, dhe po prishej memoria e Tiranës.

Në fakt, ndërtesën e prishi tërmeti, i cili duket se ishte treguar i pamëshirshëm me kujtimet e këtyre grave në moshë.

Pastaj doli një version tjetër, që truallin do ta marrë pronari e nuk do të ndërtohet shkolla, por pallat.

Ndërkohë aty është bërë tenderi dhe ka nisur puna nga ndërtimi.

Pas kësaj u pranua që shkolla po ndërtohet, por Veliaj po gënjen se aty nuk po punohet shpejt, por po punohet ngadalë. Bile një video-mesazh tregonte se aty në një orë të pacaktuar të ditës, nuk po punohej fare.

Tani unë e kuptoj që disa nga gratë e reja të opozitës duan të bien në sy, derisa të bëhen listat, por nuk është e thënë që të bien në sy për kauza boshe, pasi përveçse humbet besueshmërinë kur do të thuash ndonjë gjë të rëndë vërtet, bëhesh dhe i lodhshëm për qytetarët.

Unë personalisht fillova të interesohem vërtet, duke pyetur si nga Bashkia, ashtu dhe nga opozita, se mos dinin ndonjë gjë që nuk e kuptoja dot, pse duhet të merret opozita në Tiranë, një javë rresht, me këtë shkollën, por asnjë nuk kishte përgjigje.

Nga akuza për prishje të paligjshme, pasi u dëmtua nga tërmeti, tek akuza për përvetësim trualli, pastaj tek  ndërtim në Paskuqan, pastaj tek vonesa në ndërtim dhe vazhdimi më tej i kësaj historie, të krijon përshtypjen se opozita në Tiranë është supervizorja e kompanive që ndërtojnë punët publike.

Nuk di sa mund të jetë mobilizuar kompania që ndërton gjimnazin në fjalë pas vërejtjeve të supervizores opozitare, por pas kësaj pres ta shikoj në ndonjë pallat tjetër të prishur nga tërmeti, duke u ankuar për cilësinë apo sheshin e ndërtimit. Bile në një rast pashë që opozita kishte protestuar pse Edi Rama e merr podiumin me vete, që të mos i bëhen këpucët me baltë në kantier. Prit kur të veshë çizme dhe ai.

Kjo gjë vetëm sa i bën nder Qeverisë. Nëse e shikon sa i papërtuar është Veliaj dhe Rama t’u përgjigjen për këtë rast, e kupton se sa rehat kanë rënë me supervizorët e tyre.

Në të njëjtin kurth ka rënë dhe vetë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, të cilit i është mbushur mendja se ka një plan me 5 pika kundër COVID, që po ta zbatojë Rama, as do kemi të sëmurë, as të vdekur, as të prekur nga varfëria prej pandemisë.

Guximi për ta trajtuar pandeminë dhe protokollin shëndetësor të saj, si një plan të Edi Ramës kundër shqiptarëve, që e ka zbuluar Lulzim Basha, është fëminor dhe si gjetje.

Ne për fat jemi ende në kufijtë kritikë të daljes së situatës nga kontrolli, por nuk kemi mbërritur pikën më të keqe. Nuk është asnjë surprizë që mund ta mbërrijmë në një vend ku masat izoluese neglizhohen dhe opozitarët quajnë opozitë të zihen me policët pse nuk mbajnë maskën, dhe ta shajnë “nga robtë e shtëpisë”, Edi Ramën.

Por COVID do iki një ditë dhe do t’i kthehemi jetës normale. Këto takimet e Lulit me mjekë që janë anëtarë të PD, për t’u treguar atyre si shpëtohet nga COVID, janë fyese dhe për ata vetë, edhe pse janë me PD. Në fund të fundit ata mjekë janë, dhe më shumë se Basha marrin vesh nga kjo histori. Le pastaj kur tenton të flasë dhe me shifra.

Zgjedhjet në SHBA sapo mbaruan dhe presidenti Trump, një menaxhues skandaloz i COVID, nuk është dëmtuar aspak prej saj, edhe pse mund të humbasë për arsye të tjera.

Nëse Basha mendon se Ramën do ta mundë me ndihmën e Zotit, d.m.th me tërmetin dhe pandeminë,  vetëm sa ja bën më të lehtë fitoren.

Kurse këtë zellin për t’u shfaqur si supervizor i punëve të qeverisë, nuk ja merr kush për keq. Problemi është të jetë opozitë me mënyrën si qeverisë Rama, jo “supervizor” i punëve të tij. Se atë punë ja lë me qejf ai.

 

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 05/11/2020 09:04

    Kjo babale-opozite nuk di te beje qofte edhe nje pune te hajrit,,edhe kur eshte ne pushtet.Ti Mero djali e di me mire nga te gjithe kete fakt. Kusarllekun ,krimin dhe antishqiptarizmin e perbetuar ka zanatet e saj ekskluzive. Une pres drejtesine e reformuar te beje detyren e vet,,e as me duhet fare se babalet shtyjne ditet me gjoja supervizime. Vetem drejtesia e drejte do te cele edhe shanset per themelimin e nje te djathte patriote ne Shqiperine tone dhe per ngordhjen,pa kthim, te babaleve te integrum.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja