Fatos Lulo nuk bën pjesë në grupin e gjyqtarëve dhe prokurorëve më të pasur të sistemit të drejtësisë, por megjithatë nuk i shpëtoi skanerit të trefishtë të Vetingut. Subjekti i parë i skanuar dhe i ndëshkuar nga Vetingut është një sinjal i qartë për seriozitetin dhe thellësinë e këtij procesi, i cili monitorohet dhe asistohet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Lehtësia e shkarkimit nga detyra e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, projekton deri diku edhe fatin e gjyqtarëve të tjerë në të gjitha nivelet e gjyqësorit. Me këtë standard të vendosur dhe duke iu referuar pasurive që gjyqtarët kanë deklaruar ndër vite, brenda vitit Shqipëria mund të mbetet pa gjyqtarë.
Nisur nga gjyqtarët që sipas ligjit janë me prioritet për t’ju nënshtruar të parë procesit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Gjykatat e Apelit janë më të ekspozuara ndaj rrezikut për të mbetur pa gjyqtarë apo me një numër të kufizuar gjyqtarësh. Gjyqtarët e gjykatave në fjalë, sipas raporteve, analizave dhe të dhënave zyrtare, posedojnë pasurinë më të madhe në raport me të ardhurat e ligjshme. Ndërkaq, plotësimi i vendeve vakante është një sfidë e vështirë për shkak se Shkolla e Magjistraturës prodhon deri në 15 gjyqtarë në vit, ndërsa kriteret për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese janë të prera, sidomos përvoja që duhet në sistem.
Paralajmërimi
Faktori ndërkombëtar ka paralajmëruar prej dy vitesh vakancat që mund të krijohen në gjykata për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Ish-kreu i misionit të EURALIUS Rainer Deville, në Shqipëri, që në mars të vitit 2016, ka kërkuar shtimin e kuotave të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës, duke paralajmëruar boshatisjen e drejtësisë. “Problemi tjetër është që shkolla e Magjistraturës në shtator fillon vetëm me 5 vende që janë kërkuar. Pra, kursi nuk do të jetë i plotë, duhet të fillojë me të paktën 25 vende, sepse, si rezultat i procesit të vlerësimit, disa njerëz, 10 njerëzit, mund të japin dorëheqjen dhe në vitet në vijim do të na duhen ata 10 njerëz që të na i plotësojnë këto vende bosh.
Pra, në ligj na duhet numri 25, sepse ndryshe Shkolla e Magjistraturës dhe legjislacioni aktual nuk do të kenë mundësi të mbushin vendet bosh dhe duam të fillojmë që në shtator me këtë gjë. Kosovë 10 % dhanë dorëheqjen. Nëse marrim me mend që edhe në sistemin tonë numri i të dorëhequrve do të jetë 10 %, atëherë 10% do të largohen, pra nga 800 njerëz do të largohen 80, të cilët do të na duhet t‟i zëvendësojmë. Pra 3 x 25 do të jetë numri që do të na plotësojë kapacitetet që do të na mungojnë”, ka pohuar Deville.
ILDKPKI fundos gjyqtarët
Nga të dhënat e deritanishme, vetëm një numër i vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh mund t’i shpëtojnë Vetingut. Raporteve me rekomandim negativ nga ILDKP, për subjektet e kontrolluara deri më tani, do t’u shtohen prova të tjera që do të mblidhen nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe anëtarët e Vetingut, rreth paligjshmërisë së pasurive të deklaruara dhe mundësisë së pasurive të fshehura të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në bazë të gjetjeve në raport me numrin e subjekteve të kontrolluara, më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve rezultojnë me pasuri të pajustifikuar, kanë bërë deklarata të rreme pasurie, kanë fshehur pasurinë si dhe janë përfshirë në pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh. Ndërkaq, në rastet kur një gjyqtar ka rezultuar me pasuri të paligjshme nën nivelin e parashikuar nga neni D i Kushtetutës, pra me pasuri të paligjshme më pak se dyfishi i pasurisë së ligjshme, subjekti është penalizuar nga fshehja e pasurisë, deklarimi i rremë si dhe nga mashtrimi me deklaratat e pasurive. Ky skenar u zbatuar edhe në rastin e gjyqtarit Fatos Lulo.
A duam te hiqen gjyqtaret e korruptuar, atehere cfare llafesh beni. Me mire mos behet asnje gjyq se sa ta bejne te pistet, apo manover e re per te bllokuar Vetting-un
Përgjigju