37 familje të cilat rrezikoheshin për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut në Selitë të vogël, do të qëndrojnë të evakuara deri në një afat të pacaktuar. Kjo pasi Shtabi i Emergjencës i ngritur për të rehabilituar perimetrin e prekur nga rrëshqitjet nuk ka ndërhyrë ende me veprime konkrete. Përveç bllokimit të zonës, topografët kanë përfunduar matjet në vendngjarje që konsiderohen të rëndësishme për projektin që po përpilohet. Prefekti i qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi tha se ndërhyrjet do të kryhen kur të përfundojnë projekti teknik. Ai shtoi se do të ketë studime edhe në zona të tjera të Tiranës.