Me këtë procedurë parlamenti (i mëparshëm) pati zgjedhur z.Adriatik Llalla në konkurrim me z.Bashkim Dedja, edhe pse më pas, i njëjti parlament dhe ai pasues i tij, me konsensus, e emëroi Llallën prokuror të përgjithshëm dhe Dedjen kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Në këto procedura nuk ka pasur ankesa dhe as pretendime nga asnjë palë, për ndryshim ligji dhe kufizim kompetencash.
Pas kësaj përvoje, Presidenti propozoi dy emra, Xhuka dhe Ganaj, parlamenti i kaluar zgjodhi të parën, parlamenti aktual e riktheu procedurën dhe zgjodhi kandidaturën e dytë. Çështja është në Gjykatën Kushtetuese dhe ndërsa pritet një interpretim i saj, shumica parlamentare ndërmerr nismën e re, për heqjen e kompetencës presidenciale dhe kalimin e zgjedhjes në atribut direkt të parlamentit. Alibia: zgjedhja bëhet më transparente, Presidenti aktual nuk ka besimin e shumicës, etj, etj.
E njëjta logjikë apolitike po përdoret edhe për të justifikuar projektet e kufizimit të kompetencave presidenciale në emërimet e drejtuesve më të lartë të Forcave të Armatosura, në kompetencën për prokurorët, për gjyqësorin, për ambasadorët etj. Në bazë të kësaj logjike, nëse President nuk do ishte Nishani, por një person tjetër, atëherë nuk ka nevojë për ndryshime dhe as kufizim kompetencash: diçka që ende vlen për ndonjë shtet në embrion demokratik, por është dhe mbetet një standard i papranueshëm për një shtet serioz, anëtar në NATO dhe aspirant për në BE.
Një retrospektivë që merr vlerë: më 1997 e majta fitoi shumicën parlamentare dhe krijoi komisionin për kushtetutën. Drafti kushtetues mori besimin e ekspertëve shqiptarë e të huaj për kalimin e sistemit parlamentar në një sistem me dy dhoma, një dhomë normale me votim të përzier, dhe një senat me 36 deputetë, me mandat të kombinuar, garanci për stabilitet në raste të krizave dhe rotacioneve politike. Në momentet e fundit kreu i grupit parlamentar të PS (1998) vendosi veton kundër, me argumentin, nëse miratohet Senati, atëherë vendi shkon në zgjedhje për senatin dhe mazhoranca ime humbet një pjesë të pushtetit! Pra interesat e momentit fituan, projekti i bllokua dhe Shqipëria humbi shansin për një parlament të balancuar dhe funksional. Sot të gjithë, përfshirë politikanin e vetos, kanë ndryshuar qëndrim, por është vonë, shumë vonë.
E njëjta logjikë u bë në nenin për Presidentin: duke pasur parasysh dorëheqjen e ish Presidentit Berisha u fut neni (absurd) se presidenti që jep dorëheqje nuk mund të kandidojë dhe zgjidhet më. Në Rumani, e kundërta, dorëheqja e Baseskut dhe fitorja e tij në votë popullore solli stabilitet dhe ndikoi dukshëm në procesin e reformave, kurse tek ne, dorëheqja nuk lejohet të jetë akt politik, por fatal për jetën dhe karrierën e kreut të shtetit. Ndaj nuk bën dhe nuk pritet ta bëjë më askush, edhe për shkak se zgjedhja e tij nuk është direkte, por parlamentare.
Në një rast tjetër mazhoranca e vjetër miratoi një nen në ligjin për arsimin vetëm e vetëm për të penguar rikandidimin në detyrë të një rektori. Pas një viti mazhoranca u pajtua me rektorin dhe menjëherë e ndryshoi edhe ligjin duke i mundësuar atij rikandidimin dhe rizgjedhjen. Po ashtu mazhoranca e djeshme për shkak se nuk pëlqente Presidentin, i kufizoi kompetencën e faljes, të dekorimeve, të emërimit në KQZ, të përfaqësuesit në KKRT, etj, vendime që më pas rezultuan dhe vijojnë të shihen si zhvillime hakmarrëse dhe me produkt negativ.
Praktika të tilla, kur mazhorancat dhe parlamenti iniciojnë e miratojnë ligje me rëndësi duke nënkuptuar pas ndryshimeve emra të përvetshëm, dhe duke zgjidhur interesa të vogla të ditës, janë sa abuzuese, aq edhe me pasoja të dëmshme afatgjata në sistemin qeverisës, në jetën institucionale dhe në modelin e demokracisë përfaqësuese. Ligjet nominale, ligjet për emra të veçantë, për privilegje e masa që lidhen me individë të veçantë, janë e mbeten një kërcënim për demokracinë, vlerat dhe parimet e saj. Në rastin shqiptar pasojat janë edhe më të mëdha sepse kthehen në sistem, në kulturë dhe ushqejnë gjithçka që vjen pas tyre. Harrohet fakti i thjeshtë se institucioni i Presidentit nuk është pronë e një individi, qoftë dje Meidani, Moisiu e Topi apo sot Nishani, por është institucion kushtetues, me mandat të përcaktuar, simbol në krye të shtetit dhe me vlerë specifike në modelin qeverisës. Kur nuk duam individët që e drejtojnë nuk d.m.th. të mos duam institucionin dhe ta shpërbëjmë atë.
Është njësoj si të thuash, nuk na pëlqejnë deputetët (ka shumë që e besojnë) dhe hajde të heqim kompetencat e parlamentit; nuk ka pëlqen kryetari i bashkisë dhe hajde tia heqim kompetencat, etj, etj. Unë p.sh, kam arsye e argumente të jem kritik ndaj Presidentit aktual dhe e kam shprehur këtë shpeshherë publikisht, por shteti nuk bëhet me pasione, bëhet me institucione. Në fund të fundit, pas katër vitesh Bujar Nishani nuk do jetë më President, pas tij mund të jetë një politikan i lartë i mazhorancës aktuale dhe atëherë e njëjta mazhorancë do detyrohet të rishikojë ligjet, të rikthejë kompetencat presidenciale “sepse është i yni”. Siç bëri PD më 1992, siç bëri PS më 1998 me kryeprokurorin apo zyrtarë të tjerë të lartë. Imagjinoni që pas zgjedhjes së Presidentit në pranverë 2017 në zgjedhje parlamentare të fitojë pala tjetër politike, e cila të bëjë të njëjtën gjë që bëri dje e djathta dhe sot e majta: kufizim kompetencash të Presidentit të zgjedhur nga pala tjetër! Absurde, por me shumë gjasa të ndodhë.
Faktori tjetër lidhet me pushtetin e parlamentit. Pas ndryshimeve kushtetuese 2008 parlamenti nuk ka më pushtet dominues në jetën politike, ai nuk kontrollon de facto më kryeministrin dhe qeverinë, por drejtohet e kontrollohet nga kryeministri. Për shkak se edhe listat elektorale të deputetëve përcaktohen nga shefi i partisë/qeverisë kontrolli është i shumëfishtë, ndaj nuk ka pasur dhe nuk pritet të ketë as në të ardhmen ndonjë mocion mosbesimi ose rikthim të parlamentit në rolin kushtetues të institucionit kryesor qeverisës në Shqipëri. Dhe në një rrethanë të tillë, ti japësh parlamentit kompetencat e Presidentit ose institucioneve të tjera të pavarura prej tij, de facto i jepen shumëfish kompetenca kryeministrit, një zyrtar i zgjedhur indirekt, pa mandat kohor kushtetues.
Faktori i fundit është edhe ai moral. Zgjedhja direkt nga ILDKP e kryekontrollorit të pasurive në thelb është zgjedhje partiake dhe politike. Pasuri zakonisht bëjnë mazhorancat, ndaj e drejta morale do kërkonte që institucione të tilla të mos drejtohen nga individë me mbështetje partiake nga mazhoranca; mazhoranca nuk mund të kontrollojë mazhorancën. E drejta do kërkonte që ai të ishte një zë i pavarur, i shoqërisë civile ose në rastin tjetër nga vetë opozita, siç u dha dje Avokati i Popullit. Vlera morale kërkon gjithashtu që kur betohesh përpara një Presidenti nuk mund tia heqësh foton, kompetencat, përgjegjësitë dhe përsëri të shkosh të betohesh përpara tij apo ta ftosh atë të dekretojë heqjen e kompetencave të tij. Me vlerat morale lidhet edhe praktika e imitimit të mazhorancës së djeshme, - përpjekja për të marrë nën kontroll gjithçka, përfshirë institucionet e pavarura, - diçka që rezultoi e gabuar, nuk është praktikë demokratike dhe nuk është vullnet elektoral.
Së fundi, por më me rëndësi, - mbetet e habitshme paaftësia e politikës për të zgjidhur konflikte e mosmarrëveshje me mjete institucionale, për të mos mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të refuzuar zgjidhjet e drejta, morale dhe kushtetuese. P.sh, nëse mazhoranca nuk do Nishanin apo ndonjë individ tjetër nuk ka pse të identifikojë atë me institucionin dhe kështu, të sulmojë me çdo mjet institucionin. Institucioni i Presidentit kërkon dhe meriton dinjitet, respekt e promovim, mbrojtje dhe etikë komunikimi, qoftë nga mazhorancat e radhës, qoftë nga individët që delegohen në krye të këtij institucioni. Mazhoranca ka zgjedhur rrugën e gabuar, - duke perifrazuar një thënie popullore, “për një detaj djeg gjithë jorganin”, - ndërkohë që ajo e ka zgjidhjen optimale, të cilën ende (çuditërisht) e refuzon: le të kërkojë, mbështesë dhe provokojë zgjedhje direkt të Presidentit nga populli. Me siguri që produkti do ishte një President shumë i pranueshëm sesa çdo politikan që partitë në qeveri delegojnë në presidencë.
Zgjedhja direkt nga qytetarët do ta bënte institucionin më të besueshëm, rolin presidencial më funksional, mandatin përfaqësues më moral, përgjegjësitë kushtetuese më të drejtpërdrejta. Vetëm kështu do të fitonin dinjitet e respekt demokracia, qytetarët votues, Presidenti dhe institucionet e tjera politike e kushtetuese, përndryshe, me ligje që bëhen për një individ rrezikojmë të mbetemi në një rreth vicioz interesash që ka pak lidhje me demokracinë, parimet, vlerat, standardet dhe modelin e Shqipërisë Evropiane të premtuar e të votuar nga qytetarët.
Përndryshe vrapojmë vendnumëro, mbetemi peng i pasioneve politike, dhe mbi të gjitha historia e Kalasë së Rozafës nuk do tingëllonte më vetëm si një përrallë, por si një sistem mendimi, pune dhe qeverisjeje edhe një shekull më pas në Shqipëri.
Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)