Një avion privat me 9 pasagjerë është rrëzuar në Florida, vetëm 13 kilometra larg rezidencës së Donald Trump në Mar-a-Lago. Aksidenti shkakton një shpërthim të madh që përfshin edhe anën e rrugës.
Administrata Federale e Aviacionit tha se një avion i tipit Learjet 60 u rrëzua në një zonë të banuar pranë Cresthaven, në Florida, rreth mesditës të së dielës.
Pamjet filmike të momentit të përplasjes, të regjistruara nga një automjet që po kalonte aty pranë, tregojnë avionin duke rënë me pjesën e përparme drejt tokës, përpara se të përplasej në anë të rrugës.
Avioni ishte nisur nga Austin, Teksas, dhe kishte si destinacion Bahamasin.
Pamjet pas aksidentit tregojnë një gropë të përfshirë nga flakët dhe tymi, në vendin ku avioni u përplas me rrugën.
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Palm Beach njoftoi në rrjetet sociale:
“Aksident me avion. Rruga Military Trail, midis Cresthaven dhe 10th Avenue N, është e mbyllur për të gjithë qarkullimin. Shmangni zonën. Operacioni do të zgjasë për një kohë të konsiderueshme”.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi se të nëntë pasagjerët që ndodheshin në bord kanë humbur jetën.






Komente
Komento