Rripi i Nasradinit

Rripi i Nasradinit
Na erdhën sërish ato të bezdisshmet. Zgjedhjet. Madje, si të na kishte marrë malli, kësaj radhe morën mundin dhe na i sollën të parakohshme. Dhe ia nisën, me të njëjtën atmosferë bezdisëse, fjalë koti e premtime boshe që të lodhin. E mira është se kësaj radhe, dhuna psikike nga ekranet do të zgjasë më pak.

Kujt iu ngut dhe pse u desh të jenë të parakohshme kur në tetor është dashur të mbaheshin zgjedhjet e rregullta, askush nuk e ka qartësuar plotësisht. Pse të mbahen kështu, fët e fët, me improvizime, gjithashtu nuk e tha kush. Nëse jo për tjetër, edhe KQZ-ja do të përgatitej ashtu si edhe votuesi që do të dilte në zgjedhjet e rregullta.

Derisa partitë politike qeverinë e pakicës e pritën për tri vjet tek ecte me një këmbë, kujt iu ngut aq shumë sa të pranojnë që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, vetëm dy muaj para afatit. Sidomos duke marrë parasysh përvojën e kaluar kur në pikë të ditës, kuota e përqindjes së daljes në votim kaloi absurdin me 114 përqindëshin e votuesve, nuk ka njeri që heq dyshimin se këtë radhë do të jenë zgjedhje të rregullta. Madje edhe nëse Kosova mban zgjedhjet më demokratike në Evropë, nuk ka kush që e lanë dyshimin e partive që humbin se votat sërish nuk janë hëngër.

Thonë, ashtu siç kanë thënë përherë, se kësaj radhe do të jenë fer. Se nuk ka më vjedhje votash. Do të ishte mirë, po të ishte e vërtetë. Por duke marrë parasysh se për nga natyra, duhet ta pranojmë, e kemi treguar tashmë, s’është që s’jemi hajdutë, kush garanton se kësaj radhe do të ndryshojmë. Më në fund, as që e beson kush këtë mrekulli.

Ashtu si në atë ndodhinë e Nasradinit, fajtorit kujdestar, të cilit, jo vetëm ne, kur na konvenon ia veshim të gjitha të mirat e të këqijat. Thonë se njëherë gjersa po mundohej të qetësojë lopën që sapo e kishte blerë në pazar, i kishte rënë rripi i pantallonave dhe në atë moment ia behu një kalimtar.

Çka po bën ashtu, Nasradin, -ishte pyetja befasuese kalimtarit tek e shihte në atë pozitë, me rripin e pantallonave ndër këmbë?

Qe, po e sheh edhe vetë! Se, me të tregua drejt, e di se nuk më beson, - i kishte thënë Nasradini i gjendur në atë pozitë të palakueshme, i bindur se e vërteta nganjëherë nuk pi ujë.

Sidoqoftë, në një pozitë të tillë do të gjendemi edhe ne të nesërmen e tetë qershorit.

Deri atëherë, në vend që t’u gëzohemi ditëve të pranverës, maji, muaji më i bukur, ka nisur me të njëjtat pallavra, si katër viteve më parë në zgjedhjet, që mos u përsëritshin më.

Kush ka durim të maltretohet me udhëheqësit e emisioneve që na shesin mend sikur vërtet mendojnë se prej tyre varet diçka e aq më shumë prej mysafirëve në studio, që përsërisin të njëjtat fraza, por që duan të na bindin se janë gjoja të rëndësishëm në jetën tonë.

E në të vërtetë janë hiçi, pa asnjë rëndësi në jetën tonë, përveç që, fatkeqësisht ndikojnë në xhepat tanë.

Por kjo është koha e tyre, u kemi rënë hise. Ka kohë që në vend të krijuesve, artistëve, intelektualëve që kanë arritur majat, po shihet, më të popullarizuarit na janë bërë ky soj gjoja politikanësh që duan të na shesin atë që e kanë me deficit të madh. Mend, moral, etikë, - atë që s’e kanë hasur kund në rrugë.

Na flasin me aq madhni duke aktruar të brengosurin që as gjumin s’e bën gjumë për vendin dhe popullin që s’iu hoqën hallet. Normalisht, me përjashtim të ndonjë epizodisti që, vërtet, mund t’i ketë hyrë ujërave të turbullta të politikës me synimin për të bërë diçka të mirë për këtë vend.

Në këtë vend ku më shumë çmohen fjalët sesa veprat, me rëndësi është kush sa di të flasë bukur. Atij që Zoti ia ka dhënë gojëtarinë, shkathtësinë oratorike, ia ka dhanë edhe zanatin prej të cilit shumë nga këta që defilojnë ekraneve, jetojnë shumë mirë.

Kalimtari mund t’i ketë besuar, ose jo, Nasradinit. Por, se dikush do t’i besojë këtij Nasradinit tonë, edhe nëse mban, ashtu siç thotë, zgjedhjet fer dhe më demokratike në Evropë, vështirë mund të ndodhë. Përvoja është diçka e çuditshme.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS