Rritja e pagave për mësuesit e arsimtarët, indeksimi i pensioneve në muajin prill si dhe financimi i borxheve të marra kanë rritur në rekord shpenzimet e përgjithshme publike. Edhe pse pandemia rriti shpenzimet për shkak të paketave sociale dhe ekonomike të miratuara, shpenzimet në gjashtëmujorin e parë të vitit sipas Ministrisë së Financave janë rritur me 12.6% ose rreth 29.9 miliardë lekë.
Për periudhën janar-qershor janë shpenzuar 263.1 miliard lekë nga 233.3 miliardë lekë që u shpenzuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku ishte edhe kulmi i pandemisë dhe vendi hyri në karantinë.
Prej të cilave 216,3 miliardë lekë ishin shpenzime korrente nga 193,7 miliardë lekë që ishte totali në vitin e kaluar, dhe këtu ndikim më të madh sipas të dhënave të Ministrisë së Financave ka rritja e investimeve ku më shumë se 10.8 miliardë lekë janë përdorur për procesin e rindërtimit.
Më pas janë rritur edhe shpenzimet për personelin ku përfshihen pagat me më shumë se 3 miliardë lekë krahasuar me 2020, për shkak se këtë vit hynë në fuqi pagat e rritura me 15% për arsimtarët dhe 40% pagat e mjekëve.
Ndërkohë si pasojë e rritjes së borxhit publik në vitet e kaluara për shkak se u mor eurobondi 650 milionë euro dhe një sërë kredish për arsye të ndryshme si për pandeminë ashtu edhe për nevoja të tyre, janë rritur edhe fondet që kanë shkuar për interesat e borxhit me 3.2 miliardë lekë.
Ndërsa totali i shpenzimeve kapitale ishte 35,7 miliardë lekë nga 28 miliardë lekë që u shpenzuan në vitin e kaluar. Por pavarësisht se është regjistruar rritje e shpenzimeve, deficiti buxhetor ka rënë nga mbi 38 miliardë që ishte në gjashtëmujorin e parë të 2020 në rreth 29 miliardë lekë këtë vit. Kjo për shkak se këtë vit ka pasur rritje të ndjeshme të të ardhurave.
TOTALI I SHPENZIMEVE
Janar-Qershor 2020 233,389 mld lekë
Janar-Qershor 2021 263,380 mld lekë
Diferenca +29,991 mld lekë
SHPENZIMET PËR RINDËRTIMIN
Janar-Qershor 2020 0 mld lekë
Janar-Qershor 2021 10,851 mld lekë
Diferenca + 10,851mld lekë
INTERESAT E BORXHIT
Janar-Qershor 2020 15,102 mld lekë
Janar-Qershor 2021 18,325 mld lekë
Diferenca + 3,223 mld lekë