/ATSH-DPA/ -Irani shtoi dje kritikat ndaj rivalit të tij rajonal, Arabisë Saudite për incidentin e kësaj jave në Mekë, ku vdiqën 769 pelegrinë, katastrofa më e rëndë në këto  25 vitet e fundit.
Lideri suprem iranian, Ali Khamenei kërkoi që Arabia Saudite të kërkojë ndjesë për katastrofën në të cilën 155 pelegrinë iranianë vdiqën.
"Sauditët, në vend që të hedhin fajin mbi të tjerët dhe duke  inkriminuar këtë apo atë, duhet të pranojnë përgjegjësitë e tyre dhe të kërkojnë falje ndaj kombit iranian dhe familjeve të viktimave", tha Khameini në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir la të kuptohej se Teherani po manipulonte politikisht incidentin.
"Unë shpresoj se liderët iranianë do të jenë më të ndjeshëm dhe më të zhytur në mendime në lidhje me ata që humbën jetën në këtë tragjedi dhe të presin derisa të dalin rezultatet e hetimit",  tha al-Jubeir.
Ndërkohë, dhjetëra iranianë të zemëruar u mblodhën jashtë ambasadës saudite në Teheran për të protestuar ndaj paaftësisë së Riadit për të menaxhuar situatën.