Kultivimi i kanabisit po zhvendoset gjithnjë e më shumë në ambiente të mbyllura në Shkodër. Vetëm në muajt e parë të vitit 2026 policia ka zbuluar pesë raste të ashtuquajtura “shtëpi bari”, ndërsa janë asgjësuar mbi 1500 bimë narkotike.

Shifrat u diskutuan në mbledhjen e Task-Forcës Vendore kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ku u fol edhe për planin e veprimit për këtë vit. Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, tha se fokusi do të jetë bashkëpunimi mes institucioneve dhe njësive vendore për të parandaluar kultivimin e kanabisit në territor.

“Në vazhdën e përgjegjësive që ligji i ngarkon prefektit të Qarkut, edhe në cilësinë e kryesuesit të Task Forcës vendore për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, jemi në takimin e parë hapës në lidhje me planin e veprimit në këtë luftë. Do të ketë një seri takimesh të hartuara në bazë të plan veprimit të punës për vitin 2026. Praktikisht, qasja e kësaj task force të ngritur në kuadër të strategjisë kombëtare të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është një qasje bashkëpunimi dhe koordinimi ndër institucional në mënyrë që të forcojmë të gjithë luftën kundër kanabisit që si produkt përfundimtar të kemi garantimin e mos kultivimit të kanabisit dhe minimizimin e rasteve të kultivimit të kanabisit në Shkodër. Gjatë vitit që lamë pas fokusi ka qenë në koordinimin dhe harmonizimin e veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse dhe anëtarëve të kësaj task force me njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e të gjitha masave të parashikuara në plan veprimin e miratuar në vitin 2025.  Është punuar në mënyrë mjaft intensive për këto masa parandaluese. Në këtë kuadër kemi zhvilluar takime periodike ku janë bërë pjesë drejtues të institucioneve rajonale në nivel vendor. Policia vendore ka realizuar në bashkëpunim me qeverisjen vendore një seri takimesh me qëllim sensibilizuar që të rritet ndërgjegjia në komunitet për rolin në parandalimin e kultivimit të kanabisit.”, tha Duda.

Bilancin e aksioneve e paraqiti nën drejtori i Policisë së Shkodrës, Akil Kalo, i cili theksoi se është rritur ndjeshëm zbulimi i rasteve të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

“Në këtë periudhë 2 mujore ka një volum të lartë kontrollesh. Janë 407 kontrolle për vitin 2026 nga 1624 në vitin 2025. Kemi një rritje prej 175% të kontrolleve kryesisht të ambienteve të mbyllura.. Kemi tregues pozitivë rritjen e ndjeshme të zbulimit të rasteve të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura. Kemi 5 raste në 2026 nga 0 në vitin 2025. Janë asgjësuar 1529 bimë narkotike dhe 555 kubikë, dhe janë referuar në prokurori 18 autorë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Ka rritje të efektivitetit të zbulimit të këtyre rasteve në ambiente të mbyllura të ngrohura me anë të energjisë elektrike të vjedhur për të cilën janë proceduar autorët .  Vjedhjet dhe humbjet në rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike krijojnë një potencial të lartë për zhvillimin e hetimeve në këtë drejtim. Rezulltatet tregojnë se kultivimi në ambiente të mbyllura po bëhet me metoda më të përparuara dhe në raste të veçanta brenda zonave urbane gjë që tregon se ky fenomen mund të jetë më i përhapur gjërësisht në rajone të tjera ku evidentohen humbje apo vjedhje të energjisë elektrike. Kemi një ritëm prej 76 kontrolle ambientesh në ditë. Janë angazhuar 260 grupe kontrolli, 809 punonjës policie , 264 automjete dhe shpenzuar 6300 orë shërbimi. Si pasojë e presionit të policisë në ambiente të hapura, kultivuesit janë organizuar dhe orientuar në drejtim të kultivimit në ambiente të mbyllura” tha Akil Kalo, nën drejtor i policisë së Shkodrës.

Ndërkohë përfaqësuesi i OSHEE, Gjon Bala, ngriti shqetësimin për ndalimin e punonjësve të operatorit gjatë aksioneve të policisë në këto ambiente.

“Ne bëjmë kontrolle të vazhdueshme çdo ditë. Ndalimi i punonjësve të OSHEE-së që më pas lirohen nga gjykata për mungesë provash është një problematikë që ndikon në ecurinë e punës, pasi mungesa e tyre sjell edhe mungesë shërbimi”, tha Bala.

Sipas policisë, presioni i shtuar ndaj kultivimit në zona të hapura ka bërë që personat e përfshirë në këtë aktivitet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.