Bashkë me të papunët për shkak nga pandemia, numri total i të papunëve në vendin tonë deri në fund të qershorit, ka shkuar mbi 166 mijë. Sipas të dhënave të Institutit te Statistikave gjatë karantinës numri i të papunëve u rrit me 0.5% .

Në kaosin e krijuar nga shifrat e papunësisë si pasojë e pandemisë COVID-19, Instituti i Statistikave raporton se gjatë 6 muajve në vend dolën 50 mijë të papunë. Ne raport thuhet se shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të këtij viti arriti në 11,9 %. Kjo shifër është 0,4% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe me 0.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Në total në fund të qershorit në vendin tonë numri i të papunëve ka qenë 166 mijë e 127 persona.

Niveli më i lartë i të papunëve është tek të rinjtë me 21.4%, dhe ka pësuar një rritje prej me 1.4% krahasuar me tremujorin e parë të 2020, ndërsa për grupmoshën 30-64 vjeç papunësia është 9,5 %, duke pësuar rritje me 0.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Nga ana tjetër ka rënë edhe shkalla e punësimit në periudhën e karantinës me 3,6 %, nëse e krahasojmë me Prill-Qershor të 2019. Ndërsa numri i të punësuarve është mbi 1.2 milionë, ku pjesa më e madhe i përket grupmoshës 34-64 vjeç.

Sipas të dhënave punësimi ka pësuar rënien më të ndjeshme vjetore në sektorin e bujqësisë dhe industrisë me -3,7 % dhe me -3,4 % në sektorin e shërbimeve. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti numri i të punësuarve në industri ka pasuar rënien më të madhe.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Financave nga pandemia dolën të papunë 87 mijë punonjës, ndërsa sipas Institutit të Sigurimet Shoqërore nga sistemi dolën mbi 56 mijë punonjës.