Aleanca e qendrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rrezikon të mos fitojë shumicën, pas rundit të parë të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
Në këtë proces zgjedhor është vërejtur rritje për koalicionin e krahut të majtë.
Aleanca “Së bashku” e Macronit ka garuar me grupin NUPES të së majtës në rundin e parë të zgjedhjeve.
Macron ka fituar mandatin e dytë presidencial në prill të këtij viti dhe këto zgjedhje parlamentare janë parë si testi i parë për të.
Aleanca e Macronit ka fituar 25.75 për qind të votës së përgjithshme, në krahasim me NUPES që ka fituar 25.66 për qind të votave.
Duke marrë parasysh këto shifra, katër kompani të sondazheve kanë parashikuar që aleanca e Macronit mund të fitojë në rundin e dytë të zgjedhjeve të dielën e ardhshme, ndonëse rrezikon shumicën, por shihet si grupi më i madh.
“Ne kemi një javë për t’u mobilizuar”, ka thënë kryeministrja franceze, Elizabeth Borne para gazetarëve.
“Një javë për të bindur, një javë për të siguruar një shumicë të fuqishme”.
Sipas saj, aleanca e Macronit është grupi i vetëm politik që mund të sigurojë shumicën.
Nëse ky koalicion nuk fiton shumicën, pritet që Macron të sfidohet nga partitë e krahut të djathtë teksa çon përpara projektligjet dhe agjendën e tij.
Sipas Kushtetutës së Francës, presidenti ka kontroll ekskluziv në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes, mirëpo i duhet shumica në parlament për të miratuar legjislacionin e brendshëm./REL
Pas raundit të parë të zgjedhjeve për parlamentin në Francë fronti i qendrës i presidentit Macron rrezikon të humbasë shumicën absolute. Macron ka një kundërshtar të ri me aleancën e re të majtë, aleancën "Nupes".
Pak pas rizgjedhjes si president, Macron duhet t'i trembet humbjes së shumicës absolute në Asamblenë franceze, gjë që do t'ia vështirësojë qeverisjen dhe realizimin e projekteve politike që Macron i bëri të ditura gjatë fushatës elektorale për president.
Në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, aleanca e majtë e gjelbër "Nupes" e Jean-Luc Melenchon ka arritur të marrë gati po aq vota (25,7%) sa fronti i qendrës i presidentit Macron, "Ensemle" (25,8%). Dallimi mes dy kampeve politike, sipas të dhënave zyrtare qëndron në 21.442 vota, përballë 48,7 milionë qytetarëve me të drejtë vote. Sistemi i komplikuar zgjedhor çon pjesërisht në dallime të mëdha në proporcionalitet dhe shpërndarjen e vendeve në parlament. Në fund vlejnë votat për fituesin e secilës zonë zgjedhore. Sipas sondazheve të instituteve, pritet që të dielën e ardhshme, kampi i Macron në raundin e dytë të mbledhë vota nga shumë zgjedhës, kandidatët e preferuar të të cilëve kanë humbur në raundin e parë.
Populistja e djathtë, Marine Le Pen u tregua optimiste, që partia e saj "Rassemblement National" në të ardhmen do të mund të krijojë një fraksion të vetin. Për këtë nevojiten 15 deputetë, partia e saj sipas llogaritjeve mund të arrijë 10-30 vende.
Kryeministrja e sapoemëruar nga Macron, Elisabeth Borne bëri thirrje për një "javë të mobilizimit". Ajo vetë dhe 14 anëtarë të qeverisë kanë dalë në zgjedhje dhe rrezikojnë të humbasin postet, nëse nuk fitojnë në zonat e tyre zgjedhore. Por nuk dihet, nëse shumica e francezëve do mund të mobilizohet të dielën e ardhshme. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti një pikë tjetër të ulët./DW