1766933208_Protesta.jpg

Në Britaninë e Madhe, revolta kundër politikës nuk po zhvillohet vetëm në parlament apo në rrugë, por edhe në vende të papritura: te berberi dhe salloni i bukurisë. Pas lokaleve të mbrëmjes, edhe berberët, parukierët dhe profesionistët e bukurisë kanë nisur të ndalojnë hyrjen e deputetëve të partisë Laburiste, në shenjë proteste ndaj rritjes së taksave dhe tarifave që, sipas tyre, po godasin rëndë bizneset e vogla.

Javët e fundit, tabela me mbishkrimin “No Labour MPs” janë shfaqur në dritaret e salloneve dhe bareve anembanë vendit. Fillimisht protesta e veçantë nisi me një reagim të pronarëve të bareve dhe pubeve, por tani është përhapur edhe në sektorin e shërbimeve personale, duke u kthyer në një zinxhir pakënaqësie.

Një prej tyre është Collette Osborne, pronare e dy salloneve në Nottinghamshire, e cila i tha gazetës The Telegraph se rritja e tarifave të biznesit me mbi 10 mijë paund në vit e ka vënë aktivitetin e saj “në kufijtë e mbijetesës”. Ajo ka ndaluar hyrjen e dy deputetëve të zonës së saj, duke thënë se premtimet e tyre për mbështetje ndaj bizneseve të vogla nuk janë mbajtur.

Edhe në Londër, parukierë të tjerë shprehen se kombinimi i rritjes së kostove, pagës minimale dhe kontributeve po e bën të pamundur vazhdimin normal të aktivitetit. Sipas tyre, nuk ka më hapësirë për të përballuar goditje të reja fiskale.

Nga ana tjetër, qeveria e udhëhequr nga Keir Starmer dhe kancelarja Rachel Reeves këmbëngul se po mbështet bizneset e rrugëve kryesore, duke marrë si shembull një paketë ndihme prej miliarda paundësh.

Megjithatë, mes gërshërëve, pasqyrave dhe karrigeve të salloneve, mesazhi i bizneseve të vogla është i qartë: zemërimi ndaj politikës ka arritur aty ku nuk mban më. Në Britani, nëse je deputet laburist je i padëshiruar nga bizneset e vogla dhe jo vetëm që rrezikon të mos gjesh një tavolinë në pub, por edhe të qethesh.