Sipas të dhënave zyrtare, për periudhën korrik-shtator, që përbën dhe pikun e sezonit turistik, vizitorët e ardhur nga jashtë shpenzuan 521 milionë euro në Shqipëri, 25 për qind më shumë se e njëjta përiudhë e vitit të kaluar.
Ndërsa për të gjithë 9-mujorin ekonomia ka përfituar nga shpenzimet e udhëtarëve që hyjnë nga vendet e tjera 1 miliard e 161 milionë euro, ose mbi 15 për qind më shumë se një vit më parë.
Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që është regjistruar ndonjëherë nga udhëtimet, çka sinjalizon se gjatë këtij viti turizmi mund të jetë shndërruar në një nga sektorët kyç që ka udhëhequr rritjen ekonomike.
Një ditë më parë Instituti i Statistikave raportoi se pikërisht gjatë tremujorit të tretë të vitit ekonomia shtoi 18 mijë e 600 vende të reja pune. Të dhënat e detajuara tregojnë se një pjesë e mirë punësimeve të reja kanë ardhur nga sektori i shërbimeve, që është i lidhur ngushtë me turizmin.
Por veç kontributit në rritjen ekonomike dhe punësim, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e gjeneruara nga turizmi ishin burimi kryesor që kompensuan defiçitin e lartë tregtar të ekonomisë, si diferencë mes vlerës së importeve dhe asaj të eksporteve.
Në fakt, turizmi është duke u shndërruar në zërin më potencial të hyrjeve valutore, pas të ardhurave nga eksportet. Fitimi më i madh prej turizmit lidhet me faktin se, në tremujorin e tretë 2016, për herë të parë që nga viti 1990, vlera e mbetur në ekonominë vendase shënoi rekord.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shërbimet e udhëtimit u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 153 milionë eurosh, rreth 2 herë më i lartë ky, kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, pasojë e rritjes më të shpejtë të të ardhurave kundrejt shpenzimeve në këtë kategori.
Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 69% dhe 76% të totalit. Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur respektivisht me 25% dhe 5%.
Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe pasoi rritjen e numrit të vizitorëve të huaj (jorezidentë) në vend, me rreth 19% në terma vjetorë. Shpenzimet mesatare të këtij grupimi vlerësohen lehtësisht në rënie, ndërsa ditë-qëndrimi është zgjeruar lehtësisht në terma vjetorë.
Nga ana tjetër, udhëtarët shqiptarë (rezidentët) kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 368 milionë euro. Edhe numri i rezidentëve që kanë udhëtuar jashtë është rritur me 8%. Rezidentët kanë shpenzuar mesatarisht më shumë se një vit më parë.
Për verën e vitit që vjen, parashikimet e sektorit janë po ashtu optimiste. Problemet me sigurinë në Turqi, Egjipt, vende të tjera të njohura ndër vite për turizmin global, kanë bërë që një pjesë e ofertës europiane të kanalizohet në Shqipëri.
Shumë hotele kanë pohuar se kanë zënë kapacitetet për verën e 2017-ës që muajin e kaluar.
Energjetika
OSHEE, nga pakësimi i humbjeve u fituan 26 mln euro
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë njoftoi dje se, si pasojë e reduktimit të humbjeve, hynë 26 milionë euro gjatë 11-mujorit. Humbjet e energjisë në rrjet ishin 27.7 për qind në janar–nëntor, ndërkohë që një vit më parë treguesi i humbjeve ishte 30.7%.
Ndërsa, në raport me vitin 2014, reduktimi i kostos së energjisë së humbur është 80.6 milionë euro. Gjithsesi, energjia e humbur në rrjet ishte 52 milionë euro në 11-mujorin e vitit 2016, nga 82 milionë euro, që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vitin 2014, vlera e energjisë që humbiste në rrjet ishte 136 milionë euro. OSHEE po investon 10 miliardë lekë në rrjet, teksa planifikon 12 miliardë të tjera për 2017.
dy.b/shqiptarja.com