SPAK ka zbardhur rolet e bashkëpunëtorëve të huaj të rrjetit të Franc Çopjas, Ervis Çelës dhe Fadil Ballës, nga furnizimi me kokainë dhe transporti me avionë deri te transferimi i milionave të trafikut.
Sipas hetimeve, furnizuesit ishin të gatshëm t’i jepnin Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tij nga 2mijë03 mijë kg kokainë pa parapagim, duke e shtyrë shlyerjen e detyrimit financiar për një moment të mëvonshëm.
Ja bashkëpunëtorët e huaj të Ervis Çelës, Franc Gergely dhe Fadil Ballës sipas SPAK
1. Një nga personat me rëndësi në rrjetin e kontakteve të Ervis Çelës është shtetasi uruguaian me inicialet S.E.M.C., i arrestuar në Bolivi në vitin 2023 dhe më pas i ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe Administratës Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA), ai dyshohet se ka drejtuar një organizatë ndërkombëtare të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës dhe të pastrimit të të ardhurave nga kjo veprimtari kriminale.
2. Një tjetër bashkëpunëtor i afërt i Ervis Çelës është shtetasi tjetër uruguaian me inicialiet F.E.S.V., i cili rezulton i përfshirë në skema ndërkombëtare të pastrimit të parave në Paraguaj, në favor të organizatave të trafikut të narkotikëve. Ai ndërmjetësonte transferimin e miliona dollarëve, të përfituar nga trafikimi i drogës në vende të ndryshme të Europës drejt Amerikës së Jugut dhe destinacioneve të tjera. Ky shtetas është arrestuar në Paraguaj në gusht 2023, në kuadër të operacionit antidrogë “A Ultranza PY”, dhe në korrik 2024 u ekstradua drejt SHBA-së.
3. Në rrethin e bashkëpunëtorëve më të afërt të Ervis Çelës rezulton edhe shtetasi paraguajan me inicialet D.I.B.C. Ai është pronar i disa shoqërive tregtare, të cilat dyshohet se janë përdorur për magazinimin, përgatitjen dhe kamuflimin e kokainës në produkte të ligjshme, për transportimin e mëtejshëm me kontejnerë drejt Europës. Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
4. Një tjetër shtetas paraguajan i lidhur me këtë veprimtari është shtetasi me inicialiet A.R.G., aktualisht i arrestuar, i cili, në Paraguaj dhe Brazil,përballet me akuza penale për përfshirje të dyshuar në krimin e organizuar ndërkombëtar. Prokuroria në Paraguaj e akuzon për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrim parash. Ai zotëronte avionë sportivë, të cilët dyshohet u përdorën për transportimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Bolivia drejt Paraguajit.
5. Në këtë rrjet bashkëpunëtorësh përfshihet edhe shtetasi brazilian me inicialiet C.S.L., aktualisht në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet braziliane. Ai rezulton i përfshirë, në bashkëpunim me Ervis Çelën, në organizimin e blerjes, financimit dhe shpërndarjes së ngarkesave me lëndë narkotike, përmes furnizimit të vazhdueshëm me sasi shumëtonëshe kokaine, të prodhuar në laboratorët e rajonit të Andeve.
6. Gjithashtu, shtetasit brazilianë me inicialiet R.P.A. dhe Th.A.D.B. rezultojnë të përfshirë në administrimin e laboratorëve, përcaktimin e parametrave të cilësisë së kokainës dhe identifikimin e ngarkesave përmes markave të stampuara mbi pakot e lëndës narkotike. Një tregues i rëndësishëm i pozitës së Ervis Çelës në këtë marrëdhënie është gatishmëria e furnizuesve për t’i vënë atij dhe bashkëpunëtorëve të tij në dispozicion sasi prej 2.000 deri në 3.000 kilogramësh kokainë pa parapagim, duke e shtyrë shlyerjen e detyrimit financiar për një moment të mëvonshëm.
7. Në vijim të këtyre të dhënave, nga analiza e komunikimeve rezulton se, në disa raste, laboratorët e prodhimit të kokainës hasnin vështirësi në përmbushjen e kërkesave të Ervis Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tij, për shkak të pamundësisë për të prodhuar dhe siguruar sasitë e kërkuara të lëndës narkotike.
Vëllimi i aktivitetit kriminal është shoqëruar me realizimin e përfitimeve financiare jashtëzakonisht të mëdha, potencialisht në vlera që arrijnë në miliarda euro. Për këtë arsye, një aspekt i rëndësishëm i hetimit lidhet edhe me identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e produkteve të mundshme të veprimtarisë kriminale, si dhe me evidentimin e mekanizmave financiarë të përdorur për transferimin, investimin dhe fshehjen e tyre.
Lajmi kryesor:
Trafikuan 61 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë, SPAK çon për gjykim organizatën kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës! 16 të pandehur, 9 mln € pasuri të sekuestruara









