Kryeministri Edi Rama si dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha replikuan të martën në rrjetet sociale lidhur me projektin e rrugës së Arbërit.
Kryeministri Edi Rama informoi për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e rrugës me Chinese Exim Bank. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Basha reagoi duke deklaruar se projekti strategjik i rrugës së Arbërit nisi para tre vitesh, por  u ndal me ardhjen e kësaj qeverie, si shumë projekte të tjera të rëndësishme për njerëzit dhe ekonominë e vendit. "Edhe pse marrëveshja me palën kineze për financimin e tunelit të Qafë Murrizit ishte gati që në shtator 2013 ajo u shty me papërgjegjshmërinë me të madhe nga qeveritarët për plot një vit e gjysëm", shkruan Basha në rrjetin social "Facebook".
Por menjëherë ka reaguar Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se projekti i hartuar nga qeverisja e djathtë ishte një gropë si gjithë gropat e tjera të borxheve zinxhir në qafën e shqiptarëve. "Rruga e Arbërit ishte gati? Po, si gjithë gropat e tjera të borxheve zinxhir në qafën e shqiptarëve! 1vit negociata për të mos rënë brenda", shkruan Kryeministri Rama në "Facebook"./ATSH/