Një 'copëz' Tirane, në një gjysmë shekulli! Arti i Stefan Taçit dhe 'Rrugica e tij' si dëshmi, piktori: Gjithçka nisi kur isha 12-vjeç deri në 2021-shin, kur im at u nda nga jeta

“Ky katalog mbetet edhe si simbolik e ndryshimit të Tiranës, sepse jeta ikën, dhe u mbetet brezave si dëshmi, si një copëz e historisë së Tiranës”, thotë artisti Stefan Taçi.

Afro gjysmë shekulli më parë, artisti Stefan Taçi, asokohe një djalosh 12-vjeçar nis të përjetësojë, jo thjesht historinë e rrugicës së tij në hyrje të Rrugës së Bogdanëve, por edhe të Tiranës përmes motiveve të larmishme...

“E gjitha fillon në 73-shin! Në atë kohë isha 12-vjeç dhe ishim zhvendosur nga shtëpia e vjetër te pallati ngjitur dhe ndoshta instinktivisht doja të bëja diçka që të fiksoja vendbanimin e ri”, shprehet piktori.

Punimet që shfaqen në katalogun e tij, të ndarë, para dhe post diktaturës,  janë pikërisht “Trëndafilat e mëhallës” dhe rrugica në akuarel...

“Ndoshta kështu ka filluar, me naivizmin e moshës.... duke qenë i apasionuar pas vizatimit dhe në rreth pionieri. Mirëpo, gjithçka që kam bërë gjatë asaj periudhe i kam ruajtur”, shprehet Taçi.

Rrëfen se në atë kohë, struktura e rrugicës i dukej gati skenike, me shtëpitë, parmakët, pemët frutore, lulet me bollëk, zogjtë, macet e lagjes... Sot, gjurmët që kanë mbetur nga kjo copëz e kryeqytetit janë të pakta, e lidhet edhe me këtë transformim botimi i katalogut “Rrugica ime dhe Tirana”.

“Kjo ishte dhe fabula! Ideja lindi prej një ekspozite me të njëjtën temë që mbajta në 2010-ën, edhe për të treguar se si ka ndryshuar Tirana ndër vite. Mirëpo në ekspozitë nuk mund të vendoseshin të gjitha dhe bëra një përmbledhje të këtij katalogu”, shprehet piktori.

Në një gjysmë shekulli art, impresionet i jetëson në vizatime, piktura në vaj, pastel, akrilik, bocete e  skulptura.  Teknikat janë të ndryshme e punët dëshmi shkojnë deri në vitin 2021, kur babai i piktorit ndahet nga jeta dhe gjysma e rrugicës shembet për t’ia lënë vendin një ndërtimi shumëkatësh.

“Mund të ketë melankoli, nostalgji po unë e konsideroj mbi të gjitha si dëshmi”, shprehet piktori.

Dëshmi vizive nga Sahati me xhaminë e Et’hem Beut, prej ’74-ës, apo motivet në vaj nga pemishtet e Laprakës, shpalosin Tiranën e dikurshme...

“Me aq sa kam mundur unë të hedh jetën përmes artit në Tiranë, them se është i kuptueshëm ky lloj kalimi, ky lloj evolucioni i mirë ose ‘i keq’” , shton ai.

Janë në katalog gjithashtu objekte tipike të asaj kohe, si radio e vjetër, çajniku,  furnela e vajgurit, por edhe lojërat si ajo me kopaca.

“Kështu unë pa e ditur se një ditë do të bëja këtë katalog nis të fiksoj gjithçka. Në një farë mënyre kuptohet ana kronologjike e bërjes së ides që kam dhe pastaj mbetet në dorë të publikut të vlerësojë”, thotë Taçi.

Autoportrete, portrete të familjarëve dhe të të afërmve, shënojnë në këtë katalog, dhe momente personale të artistit. Punët të shtrira në kohë, vijnë edhe si dëshmi e evoulimit të tij artistik.

“Është fare e natyrshme përmes katalogut njerëzit kuptojnë edhe evoulimin tim si artist nga fëminija, koha e shkollimit , ndonëse punët janë bërë gjatë kohës së lirë”, shton ai.

Dëshmohen në këtë album disa nga punët e tij si skulptor; Ky reliev i valles së Tiranës, “Studentja” në terrakotë, apo “E dashuruara” dhe “Shën Pali”. Prej tyre në hapësira publike është vendosur busti i mjekut Shefqet Ndroqi në Sanatoriumin e Tiranës.

“Si unë dhe kolegët e mi, pas 90-ës po të ish përkrahja dhe mbështetja më e madhe mund të bënim shumë më tepër. Mos harroni që ne bëjmë një sakrificë, i ofrojmë publikut vepra arti dhe nuk e bëjmë se shohim fitimin në të. Flas për ata që e shohin artin si shprehje të personalitetit, jo shprehje të komercializmit për të bërë para. Në një farë mënyre ne i ofrojmë publikut një shërbim falas estetik, se sa na i kthen ai është në dorë të tij.” thotë Taçi.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Niko Sh: 06/09/2023 11:45

    Ngjan ncik me Rezin ti stefo. Ca e ke? P.S. a je pikturist apo amator a?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë