Banorët e fshatit Luz të Fushë Krujës kanë dalë për të tretën herë në protestë për gjendjen e mjerueshme në të cilen ndodhet rruga e këtij fshati.

Mëngjesin e sotëm, banorëve i janë bashkuar dhe fëmijët e tyre, që shkojnë në shkollën “Gjon Luka”. Ata shprehen se bëhen me baltë duke shkuar në shkollë, por edhe se kanë frikë kur shkojnë në shkollë nga kamionët, të cilët shpesh herë për të evituar gropat hipin mbi trotuare.

“Është e treta herë që dalim në protestë, asnjë lloj reagimi nga shteti. Kemi dalë me fëmijët, nuk kemi datë se kur do fillojë rruga. Do dalim derisa të kemi një përgjigje. Nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Mbrëmë kanë hedhur një makinë me çakull, e kanë bërë më keq, nuk është zgjidhje kjo.”, tha një banor.

Pasditen e djeshme, në rrugë është hedhur një kamion çakull për të mbyllur disa gropa gjigande por asnjë lloj reagimi nga ana e institucioneve për këto banorë se kur do rikonstruktohet kjo rrugë, e cila është dhe një arterie për ekonomine e vendit.

Në këtë rrugë çdo ditë kalojnë mbi 1000 kamione të cilët transportojnë çimento, gëlqere, inerte për të gjithë vendin madje dhe per eksport.

Banorët sot e mbajten të bllokuar rrugën për mbi një orë. 

Ata deklarojnë se do i vijojnë protestat, madje do i përshkallëzojnë nëse nuk ndërhyhet seriozisht për rikonstruksionin e saj.

“I bëj thirrje qeverisë të marrë masa për rrugën. Ta shtrojnë me asfalt, nuk është rrugë jo, do bllokohet prapë, nuk do hapet. Kemi frikë të dërgojmë fëmijët në shkollë. Vijnë kamionë hipën në trotuar. Asnjë nuk ka ardhur, as bashkia. Të vijnë ta rregullojnë rrugën, ose do bllokohet rruga pa ndalim fare”, u shpreh një banor tjetër.

"Është hera e tretë që dalim, nuk kanë sjellë asnjë përgjigje. I kemi marrë edhe fëmijët, i kanë këpucët me baltë. Presim përgjigje nga shteti për këtë", deklaroi një banor që kishte dalë për të protestuar.

Në protestën e banorëve, ishte edhe ish-kandidati i PD për deputet, Aulon Kalaja, i cili theksoi se rruga duhet të shtrohet me asfalt. Sipas tij, nëse shteti nuk reagon, banorët jo vetëm do bllokojnë rrugën, por edhe autostradën.

“Jemi sot në Luz të Fushë Krujës pa paralajmërim, duam t’i bëjmë thirrje qeverisë të reagojë. Nuk është zgjidhje çakulli, çakullin ta mbajnë për vete. Kjo rrugë do asfalt, të standardeve europiane, mbi 25 cm asfalt që të mbajë kamionet e tonazhit të rëndë. Sot edhe fëmijët janë bashkuar me baballarët e tyre, për një të drejtë të ligjshme. Është e drejta e tyre të kërkojnë rrugën, këpucët e tyre bëhen me baltë. Shikojmë çfarë bëhet edhe për mungesën e një mbikalimi. Jeta e këtyre vogëlushëve rrezikohet çdo ditë për të kaluar nga njëra anë e rrugës, për të shkuar te shkolla sipër. Një mbikalim me konstruksion hekuri, kjo është kërkesa e dytë. Kërkesa e parë, sigurisht, është çështja e rrugës. Pas protestës sonë hodhën çakull. Këtu duhet vetëm asfalt, pa hedhur asfalt, këta banorë nuk tërhiqen nga protesta. Hapi i radhës, nëse ju shihni sot bllokim rruge pa leje në polici, do shikoni pastaj bllokimin e autostradës.", nënvizoi Kalaja.