Një ditë pas protestës së dhunshme në "Rrugën e Kombit" ku iu vu flaka sporteve të firmës koncesionare e cila do mbledhë taksën për automjetet që do kalojnë aty, kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një konference për shtyp se për banorët e zonave të Kukësit do ketë një sistem të posaçme pagese i cili do marrë 6 muaj kohë për identifikimin e përdoruesve të rregullt të rrugës. Kreu i qeverisë tha se firma koncesionare do aplikojë abone për automjetet e banorëve të zonave përreth të cilët kalojnë më shpesh në autostradë, ndërsa deklaroi se tarifa 5 euro mbetet e panegociueshme. Sportelet e shkatërruara nga protesta, tha Rama, do rindërtohen.

"Nuk ka asnjë shans që kjo rrugë të mirëmbahet pa pagesë, është e pamundur. Dhe nga ana tjetër është plotësisht e parashikuar që të ndërtohet një sistem i posaçëm për të gjithë përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Të gjithë banorët e zonës që do përdorin rrugën shpesh do kenë kartën, abonenë për 1 muaj apo gjashtë muaj kjo do diskutohet. Për 6 muaj do identifikohen përdoruesit e shpeshtë, sipas ekspertizës ndërkombëtare.  Tarifa 5 euro mbetet e panegociueshme, s'ka diskutim. Do rindërtojmë pikën dhe në momentin e rindërtimit edhe sistemi për banorët do jetë i qartë. Përdoruesit e rregullt nuk do paguajnë njësoj, do mund të marrin abone. Ndërsa për banorët në nevojë do shfrytëzojmë më së miri atë shumën që ka përcaktuar kontrata. Investimet e kryera dhe që vazhdojnë të kryhen janë të një rëndësie të dorës së parë për të parandaluar degradimin dhe rritur sigurinë me qëllim përfundimin e një rruge e cila u la rrugëve".

Edi Rama, Kryeministër

Rama sqaroi se 2 muajt e lënë si afat qarkullimi pa pagesë në rrugë, do shërbejnë si periudhë fushate për të informuar banorët nga qeveria dhe kompania koncesionare. Kreu i qeverisë tha se banorët e zonave të Kukësit janë disinformuar, ndërsa shtoi se dëmi i shkaktuar dje te firma koncesionare do dëmshpërblehet nga buxheti i shtetit. Zhvillimet e një dite më parë në Kukës Rama i quajti vandalizëm, ndërsa aktet e dhunës i cilësoi të planifikuara.   

"Disinformimi dhe manipulimi i njerëzve në Kukës ka triumfuar mbi shpjegimet që ne kemi dhënë mbi debatet ditët e fundit. Të tërhiqesh nuk është asnjëherë e paudhë nëse duhet të tërhiqesh. Këtu s'ka tërheqje por të luftuar disinformimin. Më vjen shumë keq që në këtë proces pasi kjo kontratë është nënshkruar prej 2 vitesh. Pasi ka një vit që kompania ka filluar punën dhe ka bërë goxha punë deri tani, ngrihet një furtunë në gotë dhe derdhet benzinë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që sa për dijeni do duhet ta dëmshpërblejë përsërsi buxheti i përbashkët. Në këtë fushatë disinformimi  që me dashje apo pa dashje ju keni rolin tuaj mund të kishim bërë më shumë për ta luftuar. Do bëjmë atë që duhet për të informuar siç duhet publikun dhe në mënyrë të posaçme banorët. Tufa e vandalëve do marrë ndëshkimin e merituar. Policia ruajti gjakftohtësinë përballë vandalëve. Protesta e djeshme nuk përfaqëson banorët e Kukësit. Dhuna dhe zjarri në protestë ishte e planifikuar.  

Edi Rama, kryeministër 

Duke u ndaluar te tarifa e vendosur për automjetet që do lëvizin në Rrugën e Kombit, Rama tha se erdhi si rrjedhojë e një studimi dhe është marrë për bazë fluksi i lëvizjeve. "Tarifa i referohet fluksit të lëvizjeve. Në verë ka fluks, ndërsa në dimër numër më të ulët të lëvizjeve. Kjo është historia e tarifës. Në kontratë ka edhe trafik rrisk, nësa trafiku nuk garantohet është buxheti i shtetit që e mbulon. Taksa e qarkullimit nuk ka lidhje me mirëmbajtjen e rrugëve, por është taksë kombëtare. Kjo nuk është tarifë patriotizmi. Dhe ato historitë që këtu do ndërpriten flukset, janë qesharake, asgjë nuk do ndërpritet, kushdo që vjen do vazhdojë të vijë, kushdo që ikën do vazhdojë të ikë. E thotë studimi dhe jo unë".  

I pyetur nëse protesta në Kukës ngjante me atë të 21 janarit, Rama tha: “Atëherë, protestuesit u sulmuan nga policia. Unë personalisht kam qenë duke ecur dhe jam kthyer përpara kullave pasi pamë tymin e gazit lotsjellës dhe makinat me ujë. Janë dy gjëra të ndryshme. Ndodh që turma të reagojë kur sulmohet nga policia, por të mos bëjmë krahasime pa lidhje sepse në këtë rast bëjmë gabim të madh”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:24
Rruga e Kombit, Rama mbron policët: U bënë ballë një tufe vandalësh

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën e djeshme në "Rrugën e Kombit". Gjatë një konference përpara gazetarëve Rama i ka quajtur vandalë protestuesit të cilët i vunë flakën sporteleve të biletave që do të paguhen pas vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit. 

Kreu i qeverisë tha se të gjithë ata që shkatërruan dje sportelet në këtë aks, do të ndëshkohen sipas ligjit.

“Vetëm ju mund të bëni pyetje të tilla, pasi përgjigja është e qartë. Në radhë të parë duhet thënë se ka një zonë të përcaktuar në protestë. Kush e shkel vijën, është në shekeje të ligjit. Godet apo nuk godet je në shkelje të ligjit. Policia ka bërë dje më të mirën e mundshme për ballë një tufe vandalësh të cilët do të marrin ndëshkimin që meritojnë. Nxitësit i kanë parë të gjithë dhe e di i madh dhe i vogël se kush janë. Deri më sot kompania ka bërë 15.2 milionë euro investime mbrojtëse”.

Edi Rama, Kryeministër