Ditën e sotme banoret e Luzit në Fushë-Krujë kanë dalë përsëri në protestë, ku kërkojnë rregullimin e rrugës së fshatit të tyre.

Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen derisa rruga të ndërtohet, madje ata kanë thënë për kamerën e Report TV se protestat do të përshkallëzohen.

Një protestues u shpreh se rruga e fshatit Luz është si në vitin 1964, teksa kritikoi zyrtarët vendorë për mospërfilljen e kërkesave të tyre.

"Kam dal për rrugën. Unë kërkoj rrugën e Luzit, është bërë si në 1964. Në 1964-1975 këtë gjendje kemi shkuar nga Tur Bushi. Se Tur Bushi dhe Ilir Loci e di unë çfarë kanë bërë, prandaj nuk vijnë këtu", tha një protestues.

Një tjetër protestues deklaroi se pavarësisht se kishin dalë disa herë në protestë, ende nuk kishin marrë asnjë reagim nga pushteti vendor apo qëndror për ndërtimin e rrugës.

"Kemi dalë prap për rrugën dhe asnjë lloj reagimi. Është hera e parë që po dalim dhe asnjë lloj përgjigje s’po marrim. Ne do të vazhdojmë protestat, deri kur ta zgjidhim këtë punë", tha një tjetër protestues.

Ndërkohë aktivisti Aulon Kalaja deklaroi se disa nga protestuesit janë kërcënuar në telefon nga Policia, me qëllim që të ndalin protestat për ndërtimin e rrugës. Kalaja shtoi se në të ardhmen protestat do të përshkallëzohen.

"Jemi sërish me banorët e Luzit, kërkojnë vetëm rrugë, që të bëhet rruga. Tani do i bëj thirrje forcave të rendit, që i kanë marrë dje në telefon disa banorë dhe u kanë bërë presion, duke u marrë deklarata. Nuk kanë asnjë lloj të drejte. E drejta e protestës është e drejtë kushtetuese dhe janë në të drejtën e tyre për të bërë protestë ku të duan ata dhe si të duan ata, sepse duan që të rregullohet rruga. Nëse drejtori i ARRSH-së mund të ecë në këtë lloj rruge, atëherë t’u bëjë thirrje edhe këtyre banorëve. Kështu që protesta do të përshkallëzohet. Do organizohet edhe një peticion për ARRSH-në dhe do të kërkojnë të drejtat e tyre që kjo rrugë 1.5 kilometra që kalojnë 2 mijë kamionë në ditë, të shtrohet me asfalt, jo me çakëll. Kështu që protesta do përshkallëzohet dhe Policia larg duart nga protestuesit", tha Kalaja.

Kujtojmë se ditën e djeshme Policia nisi hetimet ndaj disa protestuesve, pas pretendimeve se protesta e ditës së djeshme ishte organizuar pa lejen përkatëse.

“Policia referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit G. D., B. S. dhe S. B., pasi dje, në fshatin Luz, duke organizuar një protestë të paligjshme, kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Por hetimi i disa personave nuk i ka ndalur banorët e fshatit Luz që ditën e sotme të dalin sërish në protestë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre për një rrugë me standarde.